Në kohërat e reja, në komunikimet dhe tendencat moderne krijohen disa forma të reja shoqërimi dhe veprimi, sipas linjave të reja ndarëse me matricat mendore të trashëguara. Rritja e luftës së kulturave, korrektësia politike dhe “epidemia e fundit e kulturës” krijojnë një mjedis në dukje të favorshëm për shtypjen e formave të ashpra të shoqërimit, siç është nacionalizmi, por nga ana tjetër krijojnë hapësirë për ngritjen e formave të reja, moderne të nacionalizmit me paketime tjera e në përputhje me interesin politik, me tendencat sociologjike dhe me interesat ekonomike, e gjitha kjo pëmes formave dominuese të shprehjes së re të nacionalizmit e që diktohen nga dy shkolla të mendimit dhe veprimit të sublimuar, modeli evropian dhe modeli sovjetiko-amerikan. Sigurisht, ekziston edhe modeli kinez, i cili është i bazuar në konfucianizëm,por ai është ende i parëndësishëm dhe mungon në vendin tonë.
Modeli evropian i nacionalizmit synon të sfidojë supozimet mbizotëruese të studimeve nacionaliste , duke dëshmuar se antikombëtarizmi pasmodern jo vetëm që nuk e përjashton atë, por është pjesë integrale e nacionalizmit thelbësor.(Josip Kesic dhe Jan Willem Dujvendak “Nacionalizmi antikombëtarist ; Paradoksi i identitetit kombëtar holandez”)
Ky studim deri më tani është përmbledhja më e saktë e formave të reja të nacionalizmit bazuar në frymën e antikombëtarizmit si një mendim dhe motiv i vjetëruar dhe i kompromentuar për veprim, duke u bazuar në përvojat holandeze me ksenofobinë, shovinizmin etj. Studimi është interesant dhe vizionar sepse duke rishikuar përvojën hollandeze si “Pacient Zero” ai mund të ndjekë zhvillimin, evolucionin dhe vendosjen e tij në një prirje të re pan-evropiane të nacionalizmit antikombëtar, format e veprimit të të cilit tashmë janë të pranishme në mjedisin tonë përmes ndikimeve të ndryshe.
Tendenca e antikombëtarizmit nacionalist holandez përbëhet nga tre aspekte: konstruktivizmit, lajt-nacionalizmit dhe esencializmit.
Konstruktivizmi nënkupton kundërshtimin në mënyrë aktive të nocioneve fikse të vendit dhe zëvendësimin e tyre me një përzierje të koncepteve subjektive dhe procedurale të çështjes kombëtare, d.m.th. refuzimi i racës dhe karakterit dhe zëvendësimi i tyre nga imazhi dhe identifikimi, në të njëjtën kohë refuzimi i nacionalizmit banal dhe zëvendësimi i tij me “identitet të butë” dhe “internacionalizëm abstrakt”.
Lajt-nacionalizmi nënkupton refuzimin e lidhjeve emocionale, shoviniste, serioze me kombin dhe pranimin e një lidhjeje vetë-relativuese, sipërfaqësore, ironike me të(kombin), duke ndërtuar një qasje të re paralele ndaj nacionalizmit antikombëtar, që përcillet përmes kritikave të identitetit kombëtar dhe këshillimeve paralele se si të jesh kombëtar.
Esencializmi nënkupton pranimin e karakteristikave të caktuara si zakonisht të trashëguara, tipare tranzistore që përbëjnë identitetin, duke ofruar një model sesi të jesh një liberal i krahut të majtë pa qenë antikombëtar dhe si të jesh kombëtar pa u futur në antikombëtarizëm.
Lidhja midis këtyre tre modeleve synon të hedhë poshtë “nacionalizmin e keq” dhe ta zëvendësojë atë me “nacionalizëm të mirë” bazuar në një sens të “karakteristikave tipike”.
Përkthyer në kontekstin tonë të brendshëm, këto forma të antikombëtarizmit nacionalist tashmë janë të pranishme përmes përpjekjeve për të paraqitur karaktere të caktuara, këtu e kam fjalën për Zoran Zaevin dhe Ali Ahmetin, të cilët si modernistë gjoja kanë tejkaluar çdo formë atavistike të nacionalizmit. Një formë e zëvendësuar nga qasja e re e antikombëtarizmit “të dobët, procedurial dhe plural”, por me një sens të thellë identik.
Në marrëdhëniet ndëretnike, kjo nënkupton marrjen e imazhit të një antikombëtarizmi duke mohuar në dukje motivin etnik dhe format tradicionale të nacionalizmit. Por në të njëjtën kohë, forma e re e nacionalizmit diktohet nga forma të “të civilizuara, joetnike” të komunikimit dhe debateve publike mbi përgjegjësinë qytetare, planifikimin urban, ekologjinë, etj. Teksa, zemar etnike fshihet pas etikës, qytetarisë dhe e ndërtuar mbi konceptin themelor të frymës nacionaliste në dukje dhe në mënyrë deklarative. Një qasje e tillë synon të zëvendësojë anversionin “en block ndaj palës tjetër (etnike) duke detyruar individualizimin shembullor të sjelljeve negative dhe ekeseve. Ky është trend në rritje i antikombëtarizmit në vendin tonë, të motivuar dhe frymëzuar nga nacionalistët, i modeluar sipas tendencave evropiane post-nacionaliste.
Ndërkaq qasja nacionaliste sovjetiko-amerikane ndaj antikombëtarizmit është më e lehtë për t’u kuptuar dhe zbuluar për shkak të përvojave tona nga e kaluara. Në kontrast me bazën evropiane, kulturore dhe kombëtare të antikombëtarizmit të rremë, modeli sovjetiko-Amerikan është diktuar në mënyrë propagandistike, i demostruar fizikisht dhe i kontrolluar socio-ekonomikisht, si një kopje perandorake e përvojave etnike, racore, kulturore të shoqërive multikulturore, nëpër institucionet kombëtare monolitike, kryesisht racore-fetare.
Në përplasjen midis qasjes së parfumosur evropiane dhe qasjes së llakosur sipërfaqësisht sovjetiko-amerikane, nuk ka shumë vend për rigjallërimin dhe rivendosjen e formave autentike të bashkimit antikombëtar dhe përshtatjes së tyre me tendencat moderne.
Përpjekja e fundit, ajo e momentit shoqëror të diktuar social, e ndërtuar në periudhën 2012-16, i uzurpuar brutalisht dhe përpjekjet e tanishme për të krijuar “një Frankenstein të ri” të bashkëjetesës etno-politike, e cila do të paraqitej si një “shembull i ndritshëm për fqinjët”,si duket janë të kota. Megjithëse, ne jemi akoma me të vërtetë një shembull për fqinjët. Pikërisht “suksesi i verbuar” i Maqedonisë së Veriut në këto tre vjet është shkak i anemisë sonë, por edhe të shoqërive në rajon, të depresionuara nga marrëzia e shoqërizimit, kur në fund të protestave pason një raund tjetër dhe një turne tjetër i instalimeve të nacionalistëve të bindur, antikombëtaristë e kërminj kriminogjen të diplomatëve.
Përplasja e dukshme midis rrymave kundërshtare evropiane dhe amerikane të antikombëtarizmit nacionalist nuk ka arritur ende një moment në rajon. Në atë përplasje midis Evropës qytetare, kulturore dhe Amerikës religjioze, siguria e imitimit të antikombëtarizmit nuk ka shumë hapësirë për manovrim në Ballkan.
Kompromentimi i shtetit si institucion, shembja e integrimeve dhe kolapsi i “reformave” ekonomike e lënë institucionin e etnikumit si një të keqe të domosdoshme e bashkë me të edhe nacionalizmin tradicional si një “fije kashte” ekzistenciale për të shpëtuar nga rreziqet reale ose të imagjinuara. Por në vend që të neveritemi nga ai kërcënim i vërtetë, ia vlen të pyesim ndonjëherë veten nëse në të – si në çdo të keqe – a mund të gjendet ndonjë gjë e mirë?
Në të vërtetë, pjesa më e madhe e përbuzjes dhe antagonizmit të brendshëm ndaj nacionalizmit bazohet në përhapjen e luftërave të përgjakshme në ish Jugosllavi, në politikat e Slobodan Miloseviçit, ku kemi një përzierje të thjeshtë të termave shovinizëm dhe nacionalizëm. Fatkeqësisht, janë SH.B.A dhe BE që për dekada, përmes logjikës se “nacionalistët bëjnë punë më të mirë” dhe arrogancës së tyre në kundërshtimin e forcave autentike liberale antikomuniste vendase, çimentuan mbizotërimin e shovinizmit etnik elitaro-proletar dhe shkatërruan strukturën liberale të klasës së mesme.
Liberalët tani duhet të gjejnë brenda vetes momentin e tyre nacionalist, të kuptojnë notën e virtytshme dhe të refuzojnë agresionin shovinist. Ndërkaq nacionalistët, të futur në narcizëm homogjen, tashmë janë të paaftë të kuptojnë se çdo luftë çlirimtare është gjenezë e liberalit, dhe për këtë arsye nuk do ta shohin dritën e ditës për sa kohë që frymëzohen nga asgjësimi i tjetrit. Nacionalizmi i tyre është një kafaz përkujtimor i egërsisë së mbijetesës së “kafshëve” nga vitet ’90-ta. E megjithatë, për të gjithë kuptimin e përmbysur të fjalëve dhe zvogëlimin e kundërshtimit ndaj kundërveprimit, oportunizmit dhe kundërshtimit, ndoshta vetë lidhja midis liberalit dhe nacionalistit mund të jetë një hap përtej hipnozës aktuale të shoqërisë. Por për këtë duhet nxituar, përpara se kjo mundësi të reduktohet në një debat kafeneje.
Arsim Zekolli