Translate

Reklama

ME SHKAS

ME SHKAS!!!
Duhet të jetë deklasuese e vërteta që djem e vajza pa konak, pa xhirollogari, pa karrige e zyra të nxehta ta kenë marrë punën më seriozisht e të “ndezin” dynjanë me vërtetësinë e tyre. E dhimbshme duhet të jetë kur gjatë përballjes me pasqyrën takon atë që nuk ke dashur as në makthet më të këqija ta konfrontosh. Të lëpish ç’ke pështy deri tani e të mos mbetesh as si fosil i kauzës së drejtë.
Pelin duhet t’jetë lakmia e inati. Pelin.



ME SHKAS!!!
Deri sot, çdo thirrje revolte u është drejtuar një grushti njerëzish që sot reduktohet pothuajse i gjithi nga ngritja e tyre në pozita pushtetore dhe sprovat e gjetjes së një pune. Sot duhet të vështrojmë për rrugë të tjera. Rrugë që janë të shumta dhe lodhëse. Që nga pamfleti i vënë në shtyllat e lagjes tek dorëzimi i tij në duart e studentit, punëtorit dhe qytetarit me një shpjegim të mirëpërgatitur. Të gjithë ndodhemi në të njëjtën situatë, më të ngjashëm se kurrë, ndërkohë që vlerat e lirisë për të menduar dhe jetuar siç ta do ënda është mall i skaduar supermarketi. Të gjithëve na ecën autobusi ngadalë, dhe s’po gjejmë një fucking punë edhe pse posedojmë dy fucking fuckultete. Të gjithë ndodhemi në rrethin dantesk të çmimit dhe parasë, në ferrin e padurueshëm të inflacionit. Të gjithë duhet të thërrasim:
KOKËPALARË të të gjitha rretheve BASHKOHUNI!



ME SHKAS!!!
Disa dekada më parë Migjeni shkruante: “Qeshu rini qeshu
Bota është e jotja.”
Disa dekada më vonë, rinia shkulet së qeshuri, por bota nuk është e saj. Bota është e të vjetrës, e gënjeshtrës, e poshtërimit. Dhe për rrjedhojë e qeshura nuk është shprehje e një shpirti të ri, të çiltër dhe ëndërrues, që mes zhulit ku ndodhet gjen guxim të ironizojë mendësitë dhe realitetet mesjetare. Prandaj nuk është e qeshur, por zgërdhirje.



ME SHKAS!!!
Tash e një çerek shekulli pluralizëm politik, Vendi Ynë është qeverisur nga një kastë politike që papërjashtimisht ka qenë e korruptuar dhe kriminale. Vendi Ynë ka pasur qeveri që vjedhin, vrasin e gënjejnë me lehtësinë më të mahnitshme. Partitë tona vetë garën mes vete e kanë perverse jo pse shahen si mos më keq mbi baze personale e familjare, por pse, mes vete, ato garojnë brenda meskinitetit të vet!!!



ME SHKAS!!!
Lufta socialiste mbart një kontradiktë të pashmangshme. Ne duhet të luftojmë për reforma, mirëpo çdo fitore shter vullnetin revolucionar të punëtorëve. Punëtorët e fuqishëm (politikisht, shën. përkth.) fitojnë përmirësime reale të kushteve të jetesës. Punëtorët e dobët vdesin urie. Ta merr mendja se borgjezia do t’i pranonte ditën tetorëshe të punës, pushimet e paguara, pensionet, shërbimin shëndetësor falas, arsimimin për të gjithë dhe sigurimin shoqëror kombëtar prej dalldisë filantropike?! Fitorja e tyre kërkonte të goditej jo zemra e kapitalistëve, por fitimet e tyre. Ta do mendja se kapitali shkon në Tailandë, Tajvan, Bangladesh apo Brazil me shpresën se do të gjejë punëtorë të mirorganizuar, të ndërgjegjshëm për të drejtat e tyre dhe të aftë për të siguruar paga të larta?! Kushtet e jetesës që kanë fituar punëtorët në Perëndim nuk mund të shtrihen në gjithë planetin. Kapitalizmi mund të bëhet global – siç e pata shpjeguar shumë kohë më parë, atëherë kur kapitali nuk ishte veçse një rreze në kënetën e stërmadhe botërore të mbizotëruar nga prodhimi i vogël i mallrave dhe fshatarësia. Mirëpo, a mund të globalizohen të gjitha? Socialdemokracia suedeze?! Apo mënyra e jetesës së shumë punëtorëve amerikanë?! Edhe katolikët e dinë se nuk mund të bëhen të gjithë papë. A do të vijë dita kur 1.3 miliardë kinezë dhe 1 miliard indianë do të shkojnë në punë duke u dhënë makinave që konsumojnë karburant të lirë?! Paskëtaj të kthehen në shtëpitë me dhoma me ajër të kondicionuar?! Dhe mëngjeseve (4.6 miliardë syresh) t’u hedhin sqetullave deodorantë pa ndjerë zhurmën shurdhuese të shkatërrimit të shtresës së ozonit?! Vërtet mendoni se rritja ekonomike nuk ka kufij?!
Intervistë imagjinare me Marksin Donald Sassoon



ME SHKAS!!!
Kur isha i vogël më treguan një barcoletë se si njerëzit për të marrë frutat në një fushë të mbushur me pemë, por që banohej nga majmunë i godisnin ata me gurë dhe këta të fundit gjuanin me fruta duke mbushur qeset e njerëzve.
Sot mu kujtua sërish,jo rastësisht.Si gjithmonë ne shqiptarët mbetemi populli i fundit në Evropë dhe shumë më gjërë të cilët nuk reagojnë apo nuk reagojmë ndaj politikave dhe burokratëve të institucioneve shtetërore.Për të qenë më të saktë, ne kemi një veçori nga të gjithë:reagojmë si majmuni në historinë e mësipërme. Ndërkohë që ata vjedhin papushim nga pasuria e përbashkët publike, bile nxisin edhe policinë për të na vrarë, ne i "godasim" ne VOTA një herë në katër vjet.



ME SHKAS!!!
"Pasuria e përqendruar" do ta kishte lënë njerëzimin pa demokraci, siç edhe ka ndodhur. Sepse të pasurit nuk duan t’i delegojnë vendimet. Ata mendojnë se i kanë blerë ato. Në të kundërt, nevoja për barazi e ka shtyrë njerëzimin përpara më shumë se çdo nevojë tjetër. Kjo është fitorja më e madhe e njeriut. Dhe, nëse rënia e perandorive është fitore e shumë kombeve mbi një komb, rënia e monarkive është fitore e të varfërve mbi të pasurit, rënia e diktaturave është fitore e të dobëtëve mbi të fortët, rënia e të djathtave është fitore e të barabartëve mbi të pabarabartët. Të paktën si iluzion. Por si një iluzion i bukur. Pa pasuri jeton, por pa iluzione nuk jeton dot. Kjo nuk do të thotë se e majta është vetëm një iluzion. Por, dhe në qoftë e tillë, prandaj vlen.Ja vlen bile shumë!E majta ka frymëzuar shumë nga fitoret e drejtësisë mbi padrejtësinë, megjithëse shpesh i ka vonuar apo bllokuar. Sepse nevoja për barazi, nëse nuk bëhet me drejtësi, kthehet në mjerim dhe dhunë. Siç edhe ka ndodhur. Ka ndodhur edhe tek ne. Prandaj kanë të drejtë të gjithë ata që kanë ende frikë nga e majta.



ME SHKAS!!!
Gjithnjë e kam pyetur veten pse jemi këtu ku jemi. Domethënë kemi bërë në 25 vjet dhjetëra reforma. Reforma zgjedhore, arsimore, territoriale, bujqësore, policore. Kemi reformuar dreqin dhe birin e dreqit dhe në fund prapë asgjë. E çka do të bëjmë? Do ikim vallë? Po ku ? Në Holandë?....Ja edhe një gjë tjetër që s’e kam kuptuar kurrë: kjo dëshira jonë patologjike për të ikur nga problemet dhe vështirësitë… kështu si popull! 
O njerëz,a e dini se nuk janë ligjet që e bëjnë një komb, por vullneti. Të gjithë ata që punojnë brenda sistemit, e dinë se ka 1001 mënyra për t’i ikur dhe rrëshqitur ligjit, sado i mirë qoftë ky. Pastaj, kush tha që zbatimi i ligjit është edhe problemi më i madh që kemi? Po sikur problemi më i madh që kemi të jetë ambicia e sëmurë e çdo funksionari për të qenë sa më i pushtetshëm? Sa më i pasur. Po sikur të mos kemi problem me ligjet, por me njeriun? Po sikur armiku jonë të mos jetë i një natyre teknike, por i një natyre psikologjike? Ja për shembull, kemi sharë këto 25 vite sistemin e kaluar se ishte diktatorial. Ashtu ishte! Dhe përgjigjen e mori nga historia. Por ai nuk vdiq kurrë. Ai thjesht u nda në pjesë më të vogla… u zvogëlua dhe u shumua. Si ajo fara e keqe. Tani nuk kemi më një diktator … por shumë diktatorë. Kemi (e kishim) njerëz në poste drejtuese, që bëjnë çdo gjë për pushtet.Dikush dje na vriste. E dikush tjetër,edhe sot, lejon që ne të vdesim,të vritemi. Ç’rëndësi ka kush tërheq këmbëzën e pushkës?! Vdekja nuk vjen vetëm nga plumbi. Dikur, dikush, qeveriste çdo gjë. Po sot? Për shembull njoh liderë politik lokal që sillen si Mbreti Artur. Dhe s’po shkoj më lart. Ja pra, ne s’kemi problem me demokracinë. Ne kemi problem me veten. Sepse mendojmë se dimë çdo gjë dhe se mund të bëjmë çdo gjë.
Dikur ne mundëm "një diktaturë" dhe që atëherë ne jetojmë në një diktaturë tjetër, të re. Diktaturën e injorancës, mungesës së vlerave dhe parimeve, diktaturën e arrogancës së pushtetarëve që duan të kontrollojnë çdo gjë, diktaturën e ambicies dhe të mungesës së empatisë. Ja pra, nuk është problem ligjesh, por vullneti. Sepse jam shumë i bindur, unë dhe çdo qytetar tjetër, që shteti nëse do, mund të asgjësojë çdo lloj krimineli, sado famëkeq të jetë ky.



ME SHKAS!!!
Hapi i parë në likuidimin e një populli është të fshini kujtesën e tij!
Shkatërroni librat e tij, kulturën e tij, historinë e tij. Atëherë vini dikë të shkruajë libra të rinj, të krijojë një kulturë të re, të shpikë një histori të re!
Para se të kalojë shumë kohë, kombi do të harrojë se çfarë është dhe çfarë qe!!!




ME SHKAS!!!
Politika dhe politikanët na e hoqën aureolën e shenjtë ,që dikur gëzonin respekt të thellë dhe nder të veçantë. Mjekun, juristin, hoxhën, poetin dhe shkencëtarin , ata dhe ajo i shëndërroi në punëtorë të saj me mëditje.
Politika dhe politikanët e grisën cipën e sentimentalizmit të ëmbël që mbulonte marrdhëniet familjare dhe i ktheu këto në marrëdhënie të thjeshta monetare.



ME SHKAS!!!
Një ditë një shok më pyeti se pse shkruaj.Më tha , " asht kotekot". Duke e analizuar dhe mirëkuptuar atë, dua tani që t’i përgjigjem.
I nderuar shok,Dynjaja ka ca mijëra vjet që po orvatet për të zgjidhur një dilemë të madhe, dilemën pra, në mes fytyrës dhe në mes “bafçires”(pasqyrës). Me pak fjalë,shok i dashur,dua të të them se shumica e mendjehapurve dhe miletit të qytetëruar kanë rendur , kalëruar apo vozitur,si të duash thuaj, përpara përmes të vërtetës. Kur e vërteta nuk thuhet,ose kur ajo fshihet , ose dhe deformohet, miletet nuk ecin përpara. E vërteta është një farë kompasi i mileteve. Për të vërtetën ka pasur dhe ca njerëz që kanë marshuar drejt e në turrën e druve. Ata janë djegur, por e vërteta e tyre jo. Ajo ka mbetur dhe sot na ndriçon sokakun edhe kur sokak nuk ka.



ME SHKAS!!!
A mund të jenë aktet e jetës së përditshme nacionaliste? Pa dyshim, në kuptimin e përgjithshëm me të cilin unë përdor këtë fjalë, janë: Mënyra sesi rris fëmijët, kujt i jap rëndësi, si ushqehem, çfarë mode më pëlqen, çfarë muzike më pëlqen, si i festoj festat, çfarë mendoj për farefisin, si lidhem me njerëzit përreth, si e konceptoj socializmin real, çfarë mendoj për Marksin, si lidhem me Enver Hoxhën apo Migjeni, si e çfarë konsumoj, përse jam I obsesionuar me erën e këpucëve të mira italiane, si i rris brenda vetes kujtimet për Përshefcën, Tetovën në raport me qytetet e huaja, si ua ndërtoj kuptimin fjalës “zhagit” apo “aksionit”, pse më pëlqen djathi i bardhë, pse nuk i them dot gjizës ricota , çfarë kujtimesh më zgjojnë kundërmimet e caktuara të Tetovës , si më ngashërejnë stanet me dele, pse e duroj pa dert fëlliqësinë e Shkumbinit, si i ndërtoj marrëdhëniet me qentë endacakë, si e pse i kujtoj dy gjyshërit e dy gjyshet e mija si më kanë ndikuar ato në jetën time, kujt i them shok ose shoqe dhe sa e si i zë shokët, si e përjetoj fjalën polic, xhip,rom, nerashtali, tearcali, selak, malsor, zorraxhi, sheherli,gurbetçi, king, nga i dalloj petat, pse shprehjen “erdhi mbas erës (aromës )” e kuptoj ashtu si e kuptoj dhe pse mund t’i dedikoj një disertacion 500-faqesh, … ah, gjuha, gjuha, gjuha, shqipja, ku banoj unë me idetë, me ndjesitë, me kujtimet që ruaj dhe ndryshoj e krijoj për ditë, gjuha ku prehem më thellësisht se në çdo tjetër gjuhë që takova rrugës, gjuha, e fundit dhe e para, – ja, këto, jo veç e veç, por në tërësi, në format konkrete dhe aktuale në të cilat lëviz, më bëjnë shqiptar. Njohja, interesi, dashuria (të gjitha këto të veçanta), dhe mos dhënia në rikthimin pa fund drejt Tetovës, janë të gjitha të trupëzuara në eksperiencat e mia personale. 
...Dhe kjo as prek, as përjashton kuintencën elementare ( primare) të misionit substancial e të qenurit njeri!!!




ME SHKAS!!!
Idioti nuk është sinonim i të marrit, budallait, teveqelit apo të çmendurit. Idioti, nëse mund ta çojmë metaforën deri këtu, është mishërim i dikujt të cilit mendja i punon deri aty sa të dijë të lidhë ushkurin e interesave të veta, që arsyen e përdor instrumentalisht vetëm për të përmbushur sa më shpejt qëllimet personale.



ME SHKAS!!!
Ti je në gjendje të mjerë sepse lexon, por nuk mëson, ose me gazep ndryshon bindjet!
Ti je në gjendje të mjerë sepse je i bindur se din shumë! Jo vetëm për vete, por për lagjen, vendin, kontinenti dhe botën.
Ti je në gjendje të zgjidhësh problemet e Tokës, por jo tuat!
Ti je në gjendje të mjerë sepse urrejtjen konsideron virtyt të mirë!
Ti je në gjendje të mjerë sepse urren standardet e kohës tënde!
Ti je në gjendje të mjerë sepse nuk merresh me ndërtimin e së tashmes, por me kultivimin e viktimizimit!
Ti vjedh shtetin dhe adhuron atdheun, domethënë rrënon shtetin që garanton ekzistencën e atdheut! Ti duke vjedhur shtetin, paguhesh nga shteti!
Ti adhuron demokracinë, por diskriminon në shtëpi!
Ti adhuron dhe shfrytëzon demokracinë për ta rrënuar atë!
Ti çaraveshesh për liritë dhe të drejtat e njeriut jashtë, por në shtëpinë tënde nuk realizon një marëveshje të fituar me gjak!



ME SHKAS 
Të shkruaj, të bërtas apo të bëj thirrje , por kujt se? Të gjithë janë shurdhuar apo u pëlqen të jenë të tillë. Të filloj që nga prindërit , a thua vallë keni fëmijë? Pse përgjegjësia juaj është më poshtë se zeroja,ta lëmë anësh edukatën familjare , e cila nuk ekziston fare më si koncept. Të dal te fëmijët , të rinjtë të cilët po kënaqen me pasurinë e prindërve duke mos punuar asgje, ama asgjë,nuk kanë asnjë ditë pune në jetë. Duke u endur të gjithë club-ve të Tetovës e duke shitur rrush për gogla lartë e poshtë me para të prindërve. Madje me makina e me smartphon-a të fundit u bëjnë karshillik të gjithëve, edhe atyre që kanë edhe atyre që s’kanë.I shajnë dhe I fyejnë ata që nuk kanë, sepse dëliri i tyre i madhështisë nis dhe mbaron nga hija e prindërisë. Vajzat gënjehen. U “sulen” të pasurve, të lyera e të ngjyera. Gjithçka duket aq e thjeshtë. Madje ato shpesh bien pre e barkderrave dhe kokërrjepurve per te pasur një smartphon të dhjerë . Bëhen dashnoret e tyre. Ndajnë edhe familje. Lënë edhe fëmijë jetimë me babë gjallë. Nuk iu bën fare përshtypje, sepse është kohë kapitalizmi dhe brekët ulen më shpejt se sa mund të ngrihet mendja. Në fillim bëhen me smartphonë,pastaj me diçka tjetër, por në fund mbeten injorante, sa të gjithë mund të tallen me to. Bëhen lecka të përdorshme aq kollaj, madje të tilla që janë vetëm për një përdorim.Por, jeta e të pasurit të tërheq aq shumë dhe nuk ka asgjë më të bukur se sa të shesësh rrush për gogla në atë hale injorantësh dembela. Gjithçka, për të cilën jetojnë është fama mes të përdalësh dhe të fortësh me brekë te shqyera alla "Shukri" e me familje të shkatërruar. Një katrahurë dhe një shoqëri e degraduar e etur nga mungesa e informacionit. Një karavan që ecën me sy mbyllur drejt një grope kotësie.



ME SHKAS!!!
Lajme të pakonfirmuara, thashetheme të sinqerta, rezultate të manipuluara, aksidente të stisura, këngë të kopjuara, ushqime të skaduara, çmime të hiperbolizuara, njerëz të mashtruar, maska, njerëz fallco , histori e falsifikuar, statistika të gënjeshtërta, tipare të ndryshuara kirurgjikisht, sëmundje të krijuara klinikisht, bimë e kafshë të modifikuara gjenetikisht, fshehje e pasurisë, mbulim i varfërisë, foto të retushuara, mendime të kamufluara, miqësi të rreme e dashuri të fshehta, tubime hipokritësh, histeri pseudomoralistësh, lot krokodili e keqardhje formale, nostalgji për kujtime të pajetuara, buzëqeshje të sforcuara.
Kjo pra,është përditshmëria jonë!!




ME SHKAS!!!
Shumë popuj vuajnë nga amnezia. Ne jemi një nga më të shquarit këtu. Nuk është fjala për amnezinë si sëmundje individuale me shkaqet që shpjegohen nëpër fjalorët mjekësorë, por për amnezinë kolektive që i bën popujt të harrojnë ato që kanë përjetuar dhe nga kjo të mos marrin vendimet e duhura në kohën e duhur lidhur me jetën e tyre të përditëshme dhe të ardhmen.



ME SHKAS!!!
Nesër, gjenerata e re fillon mesimin, dhe vëmendja e kujtdo prej nesh perqëndrohet pikërisht tek ata, filizat e vegjël që presin të formohen për rrjedhën e jetës që i pret.
Por, unë jo rastësisht sot, dua t’i bëj një lutje, ose apel, ose kërkesë, ose… verini çfarë emër të doni, por mos neglizhoni rëndësinë që ka.
Ju lutem, DREJTSHKRUANI, edhe drejtflisni, sepse në masë të madhe jeni të paformuar në këtë drejtim. Jeni, dashur pa dashur, shembull i shumë më të vegjëlve, të cilët duan të bëhen si ju, por në qoftë se do t’ju ngjanin në performancën tuaj drejshkrimore, do ishte një katastrofë për Vendin Tonë.
Ju lutem, ju kujtohen sa herë kemi bërë diktim në 8-vjeçare?! Po në gjimnaz, ju është nevojitur të shkruani ndonjëherë?! Po në Universitet?! Ndjesë për këtë të fundit, se ndoshta hyra në “terrenin” të cilin nuk ju pëlqen t’jua përmendin.
Të gjithë betoheni për Atdheun, punoni për të, por harroni që modeli i ofruar prej jush është i gabuar që në gjenezë, që në hapat e parë të gjithkujt që kërkon t'ju ngjajë, të cilit i thoni: “S’ka rëndësi në qoftë se shkruan apo flet drejt, avancimi yt varet nga të tjera gjëra”.




ME SHKAS!!!
Faji nuk është yni. Po na i vrisni idealet çdo ditë. Na keni zënë për fyti, e kur të zënë për fyti – siç thotë Sartri – njeriu, lum miku, nuk mendon më me kokë. Mendon me stomakun bosh, e stomaku bosh duhet të mbushet. “Ndaj thithe fort at’cicë partie/ po s’qe yt atë horr i sprovuar” – ndryshe vdis barkbosh.



ME SHKAS!!!
Një alternativë me dy ftyra, siç janë të gjitha alternativat. Tue u krue mbas veshi, rri njeriu përpara alternativës; dy ftyra – mbrapa nji ftyre asht Sokrati i vuejtun me rropatmet e veta e mbrapa së dytës ashte derri i kënaqun me trup të rrumbullakët të vetin. Te Sokrati nuk ke çka shef: dy sytë të tretun në rrashtë, disa shkarravina të palexueshme dhe një trup me do gjymtyrë të zhgatrrueme e pa asnjë vijë harmonike; e te derri ke çka shef: at frotë të kombinuese mbas rregullave strikt estetike, – e sidomos që të kënaqë synin – aj trup i majun e i shndoshë e me andje zhigatuni, dhe në fund ai bisht i përculluem në flakën e bukurisë hyjnore. Rri njeriu përpara kësaj alternative tue u krue gjithnji mbas veshi, ku e ha dyshimi – se nuk di se ç’ftyrë të zgjedh.
MIGJENI



ME SHKAS!!!
Të veprojmë në mënyrë të matur, të bëhemi nihilistë apo, të bëhemi donkishotë që me fatin tonë tragjik t'i kundërvihemi mullirit të erës që po na grimcon të gjithëve. Pra, le të veprojmë maturisht ! Po, çfarë të bëjmë? Çfarë të bëjmë përballë këtij përbindëshi që po ha fëmijë, përballë këtij qielli mizor, përballë padrejtësisë së hapur, përballë poshtërsisë së stabilizuar me marëveshje porsi novele migjeniane, teksa shikon si një plak i pafuqishëm ngritjen e së keqes? T’i kundërvihemi! Duke e refuzuar totalisht. Të refuzojmë demokracinë e tyre të kalbur. Të refuzojmë ata që na shiten si mbretër legjitim, ata që mendojnë se larja e duarve me gjak po e lanë edhe ndërgjegjen e tyre, edhe kujtesën tonë. Të refuzojmë gjumin dhe kafenetë e tepruara. Të refuzojmë reklamat dhe simpatitë edhe qejfet, edhe tekat, edhe gënjeshtrat, edhe autoritetin e tyre. Të refuzojmë fatin tonë të tanishëm. Të ngremë arsyen dhe zemrën në revoltë. Të kapërcejmë veten tonë!!!. 



ME SHKAS!!!
Kështu njeriu kalon në shekuj. Në vend që të naltësohet ndër sfera të kullueta e të shkasi nga ylli në yll me hapa përparimi, njeriu poshtërohet e bahet derr dhe Sokratin e dëbon të fyem, me ia vu maskën e derrit. Qashtu njeriu ja luajti lojën…kujt? Vetvetes! Ah vetvetes, bërtet morali prej mërgimit.



ME SHKAS!!!
Nga të gjitha vlerat e njeriut, thuhet se mendja është më së miri e shpërndarë në botë, sepse askush nuk ankohet se i mungon. Por, sado që të jemi të kënaqur me mendjen dhe inteligjencën tonë, realiteti i përditshëm na dëshmon të kundërtën: mbi pamundësitë, kufizimet intelektuale dhe marrëzinë tonë, e mos të flasim për urtësinë, e cila ndoshta edhe nuk ekziston fare.
Mendimtari i madh grek, Sokrati, para shumë shekujsh thoshte: "Unë di aq sa s'di asgjë". Një "i mençur" i yni sot, përkundrazi beson se di çdo gjë dhe për këtë është në gjendje që me orë të tëra t'ju bindi për njohurinë e vetë që ka nga të gjitha lëmenjtë e jetës: shkencë, politikë, sport, kulturë...Vaj halli, nëse rastësisht në këto tentime të këtij "të mençuri" provoni t'i kundërviheni. 
Kohët e vështira janë këto, pa dyshim. Fundja, në këto rrethana nuk është edhe aq keq të jesh budalla. Ose, së paku të dukesh i tillë. Sepse, në krahasim me të mençurit e zakonshëm, ti ke një përparësi: gjithnjë je i kënaqur me vetveten. Dhe, jo vetëm kaq. Si i tillë, bëhesh edhe i suksesshëm në jetë. Mu për këtë shkak, shpesh më ndodh që vetes t’ia parashtroj atë dilemë dëshpëruese: a thua, pse sot budallenjtë kanë suksese në të gjitha sferat të jetës, e unë jo?! Ndoshta pse ata në këtë rreth kanë prirje të gjejnë budallenj edhe më të mëdhenj se vetja e që mahniten me ta? Nuk e di, por ka mundësi të jetë edhe e kundërta: në realitet, janë të mençur, ndërsa qëllimshëm para tjerëve reflektojnë sa më shumë si budalla. Pse është kështu - dihet. Sot, e ha pazari të jesh i tillë.




ME SHKAS!!!
Jam dakort, që “fajin e ka qeveria”, por mua nuk më duket kaq e thjeshtë. Kjo strukturë që po i shërben pushtetit të sotëm, ka për t’i shërbyer dhe atij të nesërm, e gjithmonë ligji do të godasë mbi kokat e atyre që s’kane imunitet, për t’ua mohuar përfundimisht drejtësinë....



ME SHKAS!!!
Te shumica e qytetarëve pluralizmi është përcjellë gabimisht si një term që nënkupton ekzistencën e shumë partive ndërsa monizmi ekzistencën e një partie të vetme. Në fakt nuk është kështu, monizmi duhet të nënkuptohet si ekzistencë e një ideologjie të vetme e të pakundërshtueshme, ndërsa pluralizmi duhet të nënkuptojë lejimin e shumë ideologjive dhe pranimin e diskutimit apo kritikës në mes tyre, në raport me interesat e shtresave apo teorive që ato përfaqësojnë.
Vetë ideologjia si term popullor ka marrë një kuptim negativ, dhe njerëzit e shohin si fjalë thuajse-tabu, pa qenë të vetëdijshëm që në fakt jetojnë e veprojnë brenda një të tille, dhe nuk mund të bëjnë ndryshe, pasi çdo forcë qeverisëse aplikon ideologjinë e vet, nëpërmjet të cilës rregullon marrëdhëniet sociale e ekonomike dhe i normon ato. Monizmi totalitar e meritonte atë emër që kishte, ai lejonte vetëm një ideologji, dhe me anë të forcës i shtypte të tjerat, sa herë që ato tentonin të lindnin. Ndërsa sot, në sistemin pluralist demokratik ka shumë parti, por në rast se konsiderojmë alternativat politike që ato sjellin, do të ngelnim të zhgënjyer.


ME SHKAS!!!
Si dilet nga kjo situatë, o njerëz?
Lypet një sfidë qeverisë në terrenin performativ. Duhet mposhtur qeveria në terrenin shoqëror, çka do të determinonte kalimin e popullit nga "tullatja" në lëvizje, aktivizëm, rezistencë dhe, në fund, (mos u trembni nga fjala!) fitore. Kushti i parë i kësaj është shkatërrimi i përfytyrimit publik të qeverisë si një subjekt që di. Mjafton edhe përtallja. Një lloj “gomar ti, gomar kush t’vuni?!”




ME SHKAS!!!
Sikur kjo qeveri të kish qenë statujë, do ta kishin rrëzuar tashmë nga piedestali.
Kjo farë politike kinse reformuese organizohet rreth idesë së gjunjëzimit. Në fakt, opozitës prej kohësh nuk i kanë mbetur ide politike të tjera, veç kërkesës për “ikje”.Pakkush po përpiqet të argumentojë se nuk ka kuptim të kërkosh ikjen, në politikë, pa e pasur një alternativë të paktën në trajtë projekti.
Dhe, pavarësisht nga shkaqet e kësaj katastrofe, është momenti që, ky zemërim i përgjithshëm i qytetarëve ndaj qeverisë të fillojë të kanalizohet, duke u shndërruar nga impulsi fëmijëror për të rrëzuar statuja në përpjekje për organizimin e një force të re politike




ME SHKAS!!!
A shikoni pak se çfarë po ndodh në shoqërinë tonë për të kuptuar se çfarë përmase tragjike ka "Fati Ynë"! Kemi pushtetarë që kanë frikë të imagjinojnë përtej të tashmes. Kanë frikë të imagjinojnë një shoqëri më të lumtur. Kanë frikë të imagjinojnë kapërcimin e njeriut aktual. Dhe çfarë bëjnë? Nga frika e "shkollës" emancipuese, e shesin atë, për një grusht para, që t’ua sigurojnë fëmijëve të tyre pikërisht këtë "shkollë". Kanë frikë të rrojnë me djersë dhe dinjitet dhe tradhtojnë të dinjitetshmit, që të mos bien në poshtërimin e tyre. Të frikësuar prej të nesërmes, riciklojnë mëkatin zanafillor social, atë të ngriturit të parajsës individuale mbi ferrin kolektiv të të tjerëve.


ME SHKAS!!!
...Siç e pranojnë edhe vetë liberalët, jemi përballë një paradoksi: njerëzit e duan lirinë (vlerën kryesore të liberalizmit), por nuk votojnë për formacionet politike liberale, ose shprehen kundër ideve liberale. Sigurisht, ka edhe liberalë që nuk arrijnë ta durojnë këtë paradoks dhe, për ta shmangur, i qëndrojnë pikëpamjes se njerëzit, në fakt, kanë frikë nga liria – prandaj nuk e votojnë liberalizmin. Paradoksi zhduket, por kjo pikëpamje është e dyshimtë. E dyshimtë edhe atëherë kur nuk thuhet “njerëzit”, por thuhet “shqiptarët” kanë frikë nga liria. Madje e dyshimtë edhe kur thuhet “shumica e shqiptarëve” kanë frikë nga liria. Sido që të shprehet një liberal, duhet pranuar që “frika nga liria” nuk është fenomen i lindur; përndryshe do arrinim në konkluzionin qesharak sipas të cilit ka dy lloje njerëzish në botë: ata që lindin të frikësuar nga liria dhe ata që lindin të dashuruar me lirinë....
KLEMENTIN MILE
(Pedagog në UET)


ME SHKAS!!!

Prometheu (largpamësi), simboli filantropisë, sinonim i fuqisë dhe guximit, mishërim i rezistencës, por dhe inkarnim i dashurisë ndaj njeriut dhe dhembshurisë për njeriun, për të ndihmuar popullin e thjeshtë, ai vodhi zjarrin nga mali i shenjtë i Olimpit dhe ua dhuroi njerëzve të varfër. Ata përfituan nga zjarri ushqimin për familjen, veglat e punës për mirëqenie, armët për mbrojtje dhe falë Prometheut i ikën “gjendjes natyrore fillestare”. Mbi këtë, ata nga zjarri përfituan thelbësoren. Përfituan shpirtin e zjarrtë, guximin për të menduar ndryshe dhe për ta thënë atë që mendojnë. Përfituan shpirtin e jetës, arsyen e jetës dhe vetë jetën e mirëfilltë.
Si dënim, Zeusi e lidhi Prometheun për një shtyllë, ku çdo ditë një shqiponjë vinte për t’ia kafshuar mëlçinë, derisa e çliroi Herakliu.
Por, jashtë metaforës dhe mitologjisë, kush me të vërtetë është Prometheu ynë? Vallë “ka zbritur nga qielli” realisht “shpëtimtari” Promethe? Apo do e presim akoma? A do të jetë Prometheu mishërim i një individi apo i mentalitetit dhe kulturës kritike të popullit? Kush është Zeusi-tiran? Ishte ai këtyre anëve apo do të vijë? Ose ndoshta është rrugës për tek ne? A do të ketë kujt t’ia “dhurojë zjarrin” Prometheu? Do ta pranojmë apo do të bëjmë edhe një gabim të historisë sonë, të cilën më shumë sesa mundohemi ta ndryshojmë, kemi prirje ta mallkojmë? A do t’i mbijetojë shqiponjës “Prometheu i shqiptarëve”? Nëse po, a do ketë një Herakli për ta shpëtuar atë?


ME SHKAS!!!
Jam me të pushtuarit, të shtypurit, të përndjekurit, të varfërit, të shfrytëzuarit !Jam me të akuzuarit që ngrenë zërin kundër padrejtësive, jam me të përndjekurit që kërkojnë Liri për Veten dhe për Ata që Durojnë !Jam me të akuzuarit që nuk pajtohen me ato që na bëjnë të mjerë para të tjerëve dhe para vetes, jam me të arratisurit që nuk pajtohen me Burgosjen e Mendjes, jam me ata që dinë të thonë JO kur kjo jo është e vetmja fjalë që shpëton Nderin dhe Dinjitetin tonë !Jam me të Përulurit ,Jam me të dështuarit ,jam me të Heshturit nga dhuna ,jam jam ,jam...në anën e lirisë së cenuar;shpirti im është gjithmonë e gjithkund strehimorja e tyre.Dhe, kjo "jam me ata" , "jam në anën e tyre", është shumë më e fortë se unë !!!