Në një natë të zezë pis, në fillimvitet 90 të shekullit të kaluar, unë me një grup miqsh kishim dale për qejf në fushat e pollogut me peizazh baritor. Gjatë gjithë natës qielli flakëriu me vetëtima dhe shiu ra stuhishëm. Nën dritën e përhumbur të qiririt, mes krakëllimash dhe gulçimash që lëshonte rezidenca, apo thënë më popullorçe kolibja jonë, tek ajo përballej me furtunën, grupi i shokëve tanë vendosi të bënte një lojë: secili do të trillonte një histori tmerri, më pas do të përzgjidhnim më lebetitësen prej tyre.
Pasi të gjithë e treguan nga një histori të tillë, më erdhi edhe mua rradha. Unë zgjodha historinë e Dr. Viktor Frankenshtajnit, një doktor i ndershëm i cili qe dhënë me mish e me shpirt për të mposhtur vdekjen në një kohë kur ajo fshihej prapa çdo kthine. Kolera, gripi i zakonshëm dhe të kequshqyerit po e mpaknin popullatën. Viktori, një shkencëtar i shkëlqyer, ishte i vendosur të ngadhënjente mbi vdekjen. Kur bashkëshortja e tij e dashur zuri shtratin, vendosmëria e tij u shtua edhe më. Për të mposhtur vdekjen, atij i duhej fillimisht ta kuptonte atë, të përbrendësonte shkaqet e jetës që e kthenin mishin dhe gjakun në frymë të gjallë. Kështu që nisi të eksperimentonte mbi kufomat duke arnuar bashkë pjesët e ruajtura më mirë – organet e njërit, kokën e një tjetri, duart e të tretit, e kështu me radhë. Ideja e tij ishte përdorimi i fuqisë magjike të elektricitetit për t’i shtënë afshin e jetës krijesës së tij. Sepse nëse do ia dilte të sajonte një trup të gjallë nisur nga këto materiale fillestare, mposhtja e vdekjes, mendonte, të do ishte hiçmosgjë.
Papritur, krijesa e doktor Frankeshtajnit u trand. Mes mundimesh të stërmëdha erdhi në jetë, u ngrit nga tavolina e operimit duke ecur me këmbët e veta. Fill pastaj filloi të lypte përkujdesje. Viktori, i pështjelluar nga frika dhe neveria prej asaj që kishte sajuar, ia mbathi duke e braktisur krijesën e tij në mëshirë të fatit.
I paaftë për t’u integruar brenda një shoqërie armiqësore, përbindëshi që krijoi Viktori filloi të vrasë shumë njerëz – mes të cilëve vetë gruan e Viktorit. Përfundimisht, pasi doktori e ndoqi deri në Polin e Veriut me shpresën se do ta shkatërronte, duke mbajtur kështu mbi vete përgjegjësinë për kërcënimin që i kishte sjellë njerëzimit, përbindëshi, në një akt të dëshpëruar mbijetese, iu kundërvu krijuesit të tij duke e vrarë doktor Frankeshtajnin.
Pa pritni tani një moment! Realiteti sikur ky a po ravijëzohet si i tillë, apo jo?
Nga ky këndvështrim, kjo histori mund të shërbejë si një alegori: një paralajmërim ndaj lexuesve të këtij shekulli por edhe më pas, kështu nëse nuk tregohemi të matur, këta politikanë “kartelesh mafioze” po na shëndrohen në Frankenshtajna të vertetë dhe avash po na kthehen apo na janë kthyer kundër nesh, kundër atyre që I krijoi duke na sjellë edhe në shumë pasoja tragjike.
Na pëlqen ose jo, është vetëm çështje kohe kur ky FAT I yni do të bëhet edhe më I prekshëm.
E qytetarët e Vendit Tonë Verior besojnë shumë te Fati. Fati, për ne, qytetarët është si rastësi hyjnore. Si rastësi hyjnore, që të determinon të mendosh rrejshëm se rrjedha e jetës së sonë është e paracaktuar nga forca jashtë fuqisë që kemi ne, se është e shkruar dhe nuk kemi ç’të bëjnë veçse t’i bindemi e të përshtatemi. Pra, kjo është bota, një vend i mëkatit dhe ne thjesht kalimtarë. Kaq! S’kemi përgjegjësi tjetër. Të gjithë kemi riskun tonë.
Fundja, jo vetëm qytetari i thjeshtë, por e tërë shoqëria, rendi ekonomik, sistemi politik, skenat kulturore dhe vizionet qeverisëse i janë lënë në dorë Fatit dhe vetëm Fatit. Aty s’ka të nesërme, të pasnesërme. Sepse të nesërmen dhe të pasnesërmen, të cilat i lejuam si ëndërra poetike dhe siguri të shpresës ekzistenciale, po i hamë me shpejtësi, po u japim fund. Si të gjitha utopitë që i jetuam pa e kuptuar përmasën e vërtetë të tyre. Vendi Ynë Verior nuk do të ketë më rini. Është një peshk i vockël i kuq që rropatet në rrjedhën e rrëmbyer të lumit që rrjedh në Qytetin me Tetë Hove, do të thoshte një Poet. Është një zog obez metalik pa hapësirë dhe horizont. Një bishë e vogël e llastuar që gëlon dhe mbytet në qenien e tij.
Shikoni pak se çfarë ndodh në shoqërinë tonë për të kuptuar përmasën tragjike të Fatit dhe frankenshajnave! Kemi bashkëpjesëmarres në qeveri që kanë frikë të imagjinojnë përtej së tashmes. Kanë frikë të imagjinojnë një shoqëri më të lumtur. Kanë frikë të imagjinojnë kapërcimin e njeriut aktual. Dhe çfarë bëjnë? Nga frika e shkollës emancipuese, e shesin atë, për një grusht para, që t’ua sigurojnë fëmijëve të tyre pikërisht këtë shkollë. Kanë frikë të rrojnë me djersë dhe dinjitet dhe tradhtojnë të djersiturit dhe të dinjitetshmit, që të mos bien në poshtërimin e tyre. Të frikësuar prej të nesërmes, riciklojnë mëkatin zanafillor social, atë të ngriturit të parajsës individuale mbi ferrin kolektiv të të tjerëve.
Shikoni njeriun tonë, atë njeri të zakonshëm! Ai rri dhe vetëm pret ,pret me një durim acarues. Pret se gjërat do të bëhen vetvetiu mirë, se sundimtarin do t’a vrasë ndërgjegjja dhe se biri i Zotit do të zbresë sërish. Kur kjo nuk ndodh, ata shkojnë të lozin skedina. Me siguri fati do të tregohet i dhimbsur me ta dhe do të ndalojë te njishi, dyshi, iksi. Pastaj nxitojnë të votojnë për dyshin, treshin, katrën, gjashtën, shatën, dhjetën e kështu me radhë. Kur as lotoja elektorale nuk nxjerr gjë në dritë, rreket ta gjejë shpresën te lotaria amerikane, apo tek miqtë dhe familjarët në Europë, se mbase sistemi do ta kapë në rrjetë. Në fund, kur nuk gjen rrugëdalje, i futet botës së krimit dhe përfundon ashtu siç është, i burgosuri një numër katërshifëror. Ai nuk është gjë tjetër veçse numër, statistikë, llogaritje, konsumator, klient dhe variabël ekonomik në vorbullën e çmendur vetëvrasëse të kazinos botërore dhe të asaj në qendër të Qytetit me Tetë Hove.
Pra gjithçka është gëlltitur nga numri. Të gjitha besimet dhe përvojat janë numerike. Aq sa numri nuk i bindet më njeriut. Ai ka jetën e tij, të cilës ne duhet t’i nënshtrohemi. Madje edhe rezistencën ndaj numrit, ai,pra numri, e ka kthyer çështjen në shifrash. Numri, ndryshe nga njeriu dhe jeta njerëzore, nuk ngopet, nuk ka cak, pjell numra të tjerë dhe ekuacione makabre. Në fund të fundit, ai nuk është i arsyeshëm dhe vjen një çast kur ngec. Megjithatë, njeriu e gjykon të pamundur t’i arratiset.
Në përgjithësi, ka dy shpjegime mbi këtë besim të çuditshëm të qytetarit të vendit Tonë Verior. I pari thotë se qytetari nuk kupton çfarë bën. I dyti se thotë se e kupton çfarë bën, ama sjelljet e tjera prapë i ka të gënjeshtërta. Ndërsa unë besoj se qytetari nuk është aq i krisur sa të mos kuptojë, por ka frikë nga një tjetër botë e shoqëri. Ai e di se makineria e bixhozit është kurdisur në atë fare forme që në njëqind humbës të fitojë njëri dhe prapë vazhdon të besojë se është fituesi dhe se këtë e ka fati në dorë. Ai e kupton dramën e sistemit aktual, por i frikësohet maktheve të prindërve. Ai e kap instinktivisht faktin se ata me kollare ia fusin sa të munden dhe e di se do t’i dhemb shumë dhe përqafon si të mirëqenë idenë se ai do ta hajë gjithnjë. Qytetari , pra është një cinik i vetëdijshëm.
Ku qëndron rrugëdalja?
Unë mendoj se kjo rrugëdalje qëndron tek besimi se ne mund t’i marrim frenat e fatit në dorë. Nëse fati është e nesërmja e pritshme, atëherë le të mos presim të nesërmen, por t’i paraprijmë e t’i zdukim këta frankenshajna që po përpiqen të na fundosin!
Shpresa është pikërisht ndalimi i të priturit. Asgjë nuk është e pamundur. Koha është t’u japim fund besimeve tek të tjerët dhe të zbulojmë besimin te vetja e bërë bashkë me të tjerët.Të gjithë e dimë se Zoti nuk do të zbresë, se Frankenshtajni nuk do të bëhen më i mirë dhe se ne jemi qenie të mrekullueshme që mund të bëjnë çudira.