Largimin nga Vendi Im se kisha menduar kurrë, ama kurrë, madje as në vitin 1996, kur nuk kisha as një kacidhe denari për studime, as 1997, as më1998, as në ’99, e madje as më 2001 kur nën emergjencën e kërcënimit për jetën, emigrimi ishte e vetmja mundësi.
Mbase i nxitur nga prindërit, miqtë, mësuesit e të afërmit që më përsërisnin vazhdimisht fjalinë: “Do të bëhet një ditë mirë edhe për Ne”, vendosa të rri e madje të përpiqem që çdo ditë, të ndihmoj për ta bërë Vendin Tim dhe veten, ashtu siç prindërit, miqtë, të afërmit mësuesit më mësuan, me punë të ndershme, pra.
Por sot, të gjithë ata ndjehen të penduar për fjalinë që më ngulën në kokë për vite me radhë. Tani ata më thonë: “Nuk bëhet më Vendi Ynë” dhe ju duket shumë vonë për çdo vendim tjetër.
E kur thonë nuk bëhet Vendi Ynë, ata, pra, prindërit,miqtë,të afërmit dhe mësuesit nuk e kanë fjalën as për rroga apo pensione të mira dhe as për jetë luksi e makina të shtrenjta. Kur thonë “nuk bëhet Vendi Ynë”, ata e kanë fjalën për vetë jetën. Ndaj këtë radhë nuk mund të më ndalin, sepse nuk kanë as edhe një motiv për të qëndruar vet.
Dhe e di që askush, ama askush nuk do të më japë një motiv të vockël: as realiteti, as miqtë, as prindërit e as mësuesit që të mësuan se guri rëndon më shumë në vendin e vet.
Por me sa shoh dhe kuptoj, qytetarët nuk po duan të jenë më gurë që rëndojnë! Ata e kanë humbur edhe sensin e gravitetit!
Nuk jam i vetmi që mendoj për ikjen nga ky vend, dëgjoj edhe shumë miq që duan ta bëjnë një gjë të tillë. Disa për të gjetur një punë që nuk e kanë, disa për të ardhmen e fëmijëve, disa për një jetë më të mirë pa strese dhe telashe. Unë nuk kam asnjë nga këto arsye, sepse të gjitha më duken shumë përpara vetë jetës. Unë dua të iki, thjesht për të jetuar.
Ne duam të ikim sepse në këtë Vendin Tonë, Vend M…, jeta vlen shumë pak.
E dini pse? Sepse jetën tonë duhet t’ja lëmë çdo herë në dorë fatit, edhe pse paguajmë sigurime, edhe pse na zhvasin nga taksat, edhe pse na flitet për shëndetësi falas e nuk kemi ku të shkojmë. Dyert na përplasen në fytyrë nëse nuk kemi miq apo para të zgjidhim një hall. Por edhe kur paguajmë, edhe kur gjejme miq, përsëri na bie në kokë.
Shteti tek ne ka vdekur, o njerëz, ndaj fati është e vetmja derë ku mund të trokasim.
Në një vend ku është vonë për të jetuar, por ka kohë për marrëveshje se kush dhe si do të abuzojë me tenderat, ne nuk gjejmë dot më motivin, nuk gjejmë dot kompasin, nuk gjejmë dot më të shtrejtën ,pra jetën. Të tjerat janë thjesht të parëndësishme, të gjitha janë shtojca.
Por, nëse na jepni një motiv, ne do vazhdojmë të qëndrojmë në Vendin Tonë. E kur flasim për motiv, nuk e kemi fjalën për ujë, punësime apo për rrugë të pastra. Kur themi motiv e kemi fjalën për vetë jetën, me ose pa të tjerat jemi mësuam tashmë. Për fat të keq, ne vazhdojmë të besojmë që në Vendin Tonë jeta vlen shumë pak, e përsa na përket neve ajo është më e çmuara!!!…