Translate

Reklama

Sunday, April 17, 2016

KADI I KORRUPTUAR APO HAJN I PRIVILEGJUAR

Nuk do të shkruaj për llumin e baltën e rrugëve që sjell moti me shi apo me borë. Me ato qytetarët janë mësuar. Vënë nga një shkorsë të trashë te dera e shtëpisë dhe bile mundohen që ti heqin këpucët sa më larg hyrjes e kur dëgjojnë ulërimën e zonjave të shtëpisë se kanë sjellë baltën brenda. Me këto dhe kusuret e tjera që sjell llumi e balta jemi mësuar.

Po ç’ti bësh kur llumi e balta përmbytin opinionet tona, fjalëzimin e artikuluar nëpërmjet medias së shkruar e audiovizive, internetit, foltoreve publike e kafeneve ku lëviz kakofonia më e shthurur, më e pistë e më e palogjikshme që mund të prodhojë raca njerëzore mbi dhe. Këtë nuk ka shkorsë e amvise ta pastrojë dhe e akumuluar ditë pas dite ajo kthehet në një murtajë të vërtetë për veprimin qytetar, për përparimin dhe qenien tonë normale si njerëz.


Ky llum e kjo baltë është llafazanëria e papërmbajtëshme, dhënia mend për çdo gjë të botës që nga mbjellja e “sallatave” e deri te problemet e kuarkeve bërthamore, hamendësimet groteske e të kotmëkota, nxirja e përbaltja e gjithkujt që ka patur fatin të lindë e të jetë në këtë botë, bjerrja e logjikës, gjuha e degraduar në barbarizma banale dhe zhargonet maçoiste që të kallin krupën.


Kujt i duken si shumë këto që përmenda këtu, le të dalë e të rrijë ca kohë kafeneve të Tetovës, Shkupit, Gostivarit,Dibrës, Kërçovës, Kumanovës,Strugës, në daçi dilni edhe nga pjesa lindore e këtij vendi që  s‘di si ta pagëzoj në daçi hidhni një sy gazetave në mëngjes , shikoni stacionet televizive në darkë dhe pastaj hyni në internet e shihni forumet e gazetave dhe blogjet e uebsajtet tona. Aktualisht, shprehja kësisoj e opinioneve, në mënyrën më të çorganizuar, kaotike e skandaloze që mund të bëhet, është një zeje moderne që lë në hije të gjithë veprimtarinë tjetër jetësore të këtyre qënieve humane.


E pra, a ka vërtet ndonjë politikan, deputet, ministër, specialist, ndonjë shkencëtar, gazetar, aktivist qytetar që të jetë i ndershëm në këtë qerrata vend? Se po t’i besosh llumit e baltës tonë të gjithë janë të përmjerrë si ato kumbullat e Nastradin Efendisë. Flitet për vjedhje, korrupsion, shpërdorim të pushtetit dhe të gjitha këto janë reale. Po dreqi ta hajë, jo të gjithë vjedhin, janë të korruptuar e shpërdorojnë. Por jo, të gjithë akuzojnë dhe akuzohen në Vendin Tonë, rrugë të mesme nuk ka. Teorira pa fund,dreqi e marrtë po lejeni PROKURORINË SPECIALE  të bëjë punën e saj!


(Për të hapur një parantezë, do të thoshim se përbaltja e gjithkujt dhe e çdo gjëje lë dukurinë negative pa goditur. E bën atë të majmet e të zërë kryet e vendit. Pa dyshim që në Vendin Tonë ka korrupsion. Por kur ti bën hajdut cilindo u ke dhënë amnisti hajdutëve të vërtetë. Pa përmendur pastaj se sa energji e punëra të dobishme bjerren më kot kur njerëz të ndershëm shohin se goditen, shahen, shpifen e mallkohen e kuturisen të mbyllen në guackën e tyre.)


Pse ndodh kjo kakofoni amorfe në mendimin dhe opinionin tonë që nuk gjendet kund në botë? Ç’përfundim del nga bisedat e kafeneve dhe diskutimet në TV, forume e bllogje interneti? Shpesh herë nuk del asnjë përfundim ose del ai përfundimi që shfaqet rëndom si në llumin e trishueshëm të kafesë: se ky vend nuk bëhet kurrë. Pjesëmarrësit në orgji të tilla diskutimesh, lënë fushëbetajat e u kthehen për pak çaste punëve të veta, të kënaqur se shfrynë dufet. Dhe kaq.


Përgjithësisht ne na mungon njerëzillëku, kultura e të qënit njeri, qytetar. Probleme si tonat ka e gjithë bota. Po jo të gjithë prodhojnë kaq llum e baltë. Jo të gjithë, si ne, thonë të parën fjalën që duhet thënë e fundit apo nuk thuhet kurrë. Jo të gjithë, si ne luftojnë personin e jo problemin (që e harrojnë fare), jo të gjithë, si ne, hiqen se i dinë të gjitha e i bëjnë të gjitha, jo të gjithë si ne rrëmbehen e pasionohen në kulm edhe për biseda fare të thjeshta sikur nga to të merret vendimi për jetë a vdekje të planetit, jo të gjithë si ne jepen pas fjalëve dhe harrojnë se veprimi është ai që e shpie përpara shoqërinë.


E pra duhet më shumë kulturë qytetare që të rreshtë kakofonia e shëmtuar e llafazanërisë. Për asgjë nuk ka nevojë ky Vend më shumë se për KULTURËN.