Translate

Reklama

Monday, June 27, 2016

Ç’TË THEM…ME CILIN KE PROBLEM, O ….?!

Gjithnjë e kam pyetur veten pse jemi këtu ku jemi. Domethënë kemi bërë në 25 vjet dhjetëra reforma. Reforma zgjedhore, arsimore, territoriale, bujqësore, policore. Kemi reformuar dreqin dhe birin e dreqit dhe në fund prapë asgjë. E çka do të bëjmë? Do ikim vallë? Po ku ? Në Holandë?….Ja edhe një gjë tjetër që s’e kam kuptuar kurrë: kjo dëshira jonë patologjike për të ikur nga problemet dhe vështirësitë… kështu si popull!
O njerëz,a e dini se nuk janë ligjet që e bëjnë një komb, por vullneti. Të gjithë ata që punojnë brenda sistemit, e dinë se ka 1001 mënyra për t’i ikur dhe rrëshqitur ligjit, sado i mirë qoftë ky. Pastaj, kush tha që zbatimi i ligjit është edhe problemi më i madh që kemi? Po sikur problemi më i madh që kemi të jetë ambicia e sëmurë e çdo funksionari për të qenë sa më i pushtetshëm? Sa më i pasur. Po sikur të mos kemi problem me ligjet, por me njeriun? Po sikur armiku jonë të mos jetë i një natyre teknike, por i një natyre psikologjike? Ja për shembull, kemi sharë këto 25 vite sistemin e kaluar se ishte diktatorial. Ashtu ishte! Dhe përgjigjen e mori nga historia. Por ai nuk vdiq kurrë. Ai thjesht u nda në pjesë më të vogla… u zvogëlua dhe u shumua. Si ajo fara e keqe. Tani nuk kemi më një diktator … por shumë diktatorë. Kemi (e kishim) njerëz në poste drejtuese, që bëjnë çdo gjë për pushtet.Bile,dikush dje edhe  na vriste. E dikush tjetër, sot, lejon që ne të vdesim,të vritemi. Ç’rëndësi ka kush tërheq këmbëzën e pushkës?! Vdekja nuk vjen vetëm nga plumbi.
Dikur, dikush, qeveriste çdo gjë.
Po sot?
Për shembull njoh liderë politik lokal që sillen si Mbreti Artur. Dhe s’po shkoj më lart. Ja pra, ne s’kemi problem me demokracinë. Ne kemi problem me veten. Sepse mendojmë se dimë çdo gjë dhe se mund të bëjmë çdo gjë.
Dikur ne mundëm “një diktaturë” dhe që atëherë ne jetojmë në një diktaturë tjetër, të re. Diktaturën e injorancës, mungesës së vlerave dhe parimeve, diktaturën e arrogancës së pushtetarëve që duan të kontrollojnë çdo gjë, diktaturën e ambicies dhe të mungesës së empatisë. Ja pra, nuk është problem ligjesh, por vullneti. Sepse jam shumë i bindur, unë dhe çdo qytetar tjetër, që shteti nëse do, mund të asgjësojë çdo lloj krimineli, sado famëkeq të jetë ky.