Translate

Reklama

Sunday, March 13, 2016

SOT E 15 VITE MË PARË


Sot e 15 vite më parë, në atë ditë me diell, nuk isha cinik. Sot e 15 vite më parë unë u nisa me besimin se do të mund të jetonim bashkë me lirinë për të cilën isha në gjendje të shkëmbeja dhe jetën  time. Sot e 15 vite më parë nuk kishta kohë të mendoja se jeta  ime do të kishte më pak vlerë se sa mendoja, ndërkohë që plumbi m’i shponte mendimet. U nisa në një nga ditët e zakonshme për të tjerët, me qëllimin e pastërt se Vendi Im do të jetë më i mirë për Ne.
 Nëse unë, do të mund të zgjidhja, nuk do të kishte luftë, e nëse lufta të vjen në derë,unë  do t’ia kish hapur përsëri atë. Për një ditë me pak luftë, unë do të kisha disa shokë më shumë pranë. Një ditë më shumë në shtëpi, do të kisha, derisa sot, një nëpunës administrate i përdorur si leckë, vetëm për një ditë më shumë pushim, do të kish vrarë shefin e tij. Unë, sot e 15 vite më parë, nuk nxitoja se nuk duroja dot stresin e punës. Unë,pra,sot e 15 vite më parë(gjithnjë) nuk kisha i-phone. Familjarët s’mund t’më kërkonin në skype apo viber. Unë atëherë  thoja të vërtetën, më shumë se të gjithë zv.kryeministrat dhe ministrat, sot bashkë.
 Unë atëherë nuk ishta cinik. Po të isha i tillë, do të kisha qëndruar në shtëpi.
Unë nuk e dija që “vëllai” im do të bëhej shef administrate, e familja ime do të kalonte vite duke e shitur nga fillimi. Unë nuk e dija që sot do të ishte  pas partia e një mase familjarësh të ngadalshëm. Po të isha si ata, do të kisha qëndruar i pa lëvizur.
Unë nuk e dija, dhe s’kisha se si ta dija, se Vendi,për të cilin unë do të kisha humbur edhe jetën, do të kthehej në një grumbull pa inventar tenderash.
Unë, sot e 15 vite më parë, nuk e kisha idenë se mund të vdisja për “këtë” ministër, as për “atë” ministër. Nuk më dukej me vend se pas kësaj do të kishim një lavatriçe në politikë.
Unë, sot e 15 vite më parë, edhe pa qenë cinik do të kisha qëndruar në shtëpi. Do të isha mbuluar me një batanie të leshtë, duke pritur një ditë më të mirë.
Unë s’mund ta dija se në botën e të nesërmes, do të kishte Big Brother e universitete private, që ecin me të njëjtin hap injorance sublime.
Asnjëherë , unë, nuk mund të kisha besim tek “falli”, edhe sikur nga njëra betejë tek tjetra, përpara t’mu shfaqte Kasandra dhe t’ma parathonte jetën dhe bëmat e” këtij” ministri, komentet mbi “atë” ministër, tutat e “këtij dhe atij” ministri dhe kushërinjve të tij, unë do të kisha luftuar njësoj, pa marrë asgjë tjetër seriozisht.
Unë nuk e dija se Vendi  Ynë do të tregohej i vërtetë vetëm në Wikiliks apo në “Bombat e Z.Z”
Unë nuk do ta besoja që politikani do të gënjente duke e ditur se të gjithë e dinë se po gënjen. Që populli do të gënjente duke bërë sikur besonte politikanin që dinte që po gënjente. Që politikani do të bënte sikur besonte, që njerëzit e besuan.Unë  po ta dija, nuk do ta  kisha gënjyer veten.
Unë nuk mund të dija se në 2016, “llavat” do ishin të besueshëm, megjithëse mbajtën anën e së keqes.. Unë, sot e 15 vite më parë nuk mund ta dija, se do të ekzistonte në këtë kohë një qeveri  me shqiptarë që do të firmosin një mori ligjesh për të na mbuluar me plehëra. Unë, atëherë nuk isha mësues servil, që që do t’i vritja intelektualisht bijtë dhe bijat e mija. Unë, sot e 15 vite më parë nuk e shita shpirtin për një rrogë, as për një zyrë në katin e 3, apo të 13.” Vëllai” ndoshta e bëri. “Vëllai” ishte si ne atëherë, i vogël dhe i dëmshëm për shëndetin. Si cigare kontrabandë.

Unë sot e 15 vite më parë, nuk u mundova  asnjëherë të isha analisti kozmopolit, të cilit nuk i dihet kahu. Që të vdesësh për një Atdhé më të mirë, është patetizëm anakronik. Njësoj si ajo tjetra që vera e kuqe ka vitin e vet dhe që vera e bardhë shkon me peshkun e egër. Unë,sot e 15 vite më parë, nuk isha legen  që s’doja ta shihja se si degradon Vendi ku unë linda, ku pushtuesi në fillim të pushton, pastaj të shet frigoriferë, apo që në Tetovë nuk jeton më Migjeni,po Luli i vocërr disleksik. Që aty për ty tregon barsoleta se si ti luftove  për ta, në vend që të lije Shkumbinin t’i përmbyste çdo vit, sa herë që mbi Sharr të binte shi. Unë nuk isha si Ju. Unë, sot e 15 vite më parë u nisa  dhe të paktën në mendjen e tij kam pasur qetësi, kur m’u kërkua nga historia, unë mora pushkën.