APO LETËR SHOKUT QË MË PYETI
Një ditë një shok më pyeti se pse shkruaj. Duke e analizuar
dhe mirëkuptuar atë, dua tani që t’i
përgjigjem.
I nderuar shok,
Dynjaja ka ca mijëra
vjet që po orvatet për të zgjidhur
një dilemë të maaaadheeee, dilemën pra,
në mes fytyrës dhe në mes “bafçires”(pasqyrës). Me pak fjalë,shok i dashur,dua
të të them se shumica e mendjehapurve dhe miletit të qytetëruar kanë rrendur , kalëruar apo vozitur,si të
duash thuaj, përpara përmes të vërtetës. Kur e vërteta nuk thuhet,ose kur ajo fshihet , ose dhe deformohet,miletet nuk ecin përpara. E vërteta është një farë
kompasi i mileteve. Për të vërtetën ka
pasur dhe ca njerëz që kanë marshuar
drejt e në turrën e druve. Ata janë djegur, por e vërteta e tyre jo. Ajo ka mbetur
dhe sot na ndriçon sokakun edhe kur sokak nuk ka.
Historia jonë dëshmon se ne kemi pasur një marrëdhënie të
shtrembër me të vërtetën. Me pak fjalë, sa herë që nuk na ka pëlqyer e vërteta
e surratit, ne ia kemi hedhur fajin bafçires .Hala këtu jemi. Jemi duke thyer bafçire
për të mbrojtur surratin. Unë këtë nuk e pranoj. Unë nuk besoj se fuqia esurratit
është t’i shpëtojë bafçires. Dua që ta detyrojsurratin që ta shohë
bafçiren. Siç është.
A di se ata erdhën në
pushtet duke premtuar 100.000 mijë vende
pune? A e di se sipas shifrave zyrtare papunësia është shtuar? A e di se Vendi
ynë po tretet? A e di se çdo verë nga Vendi ynë
ikën një lagje? A e di ç’do të thotë kjo? A e di se çka do të thotë kjo?
A e di se këta njerëz që ikin nga Vendi ynë nuk kanë punë, nuk kanë të ardhura,
nuk kanë shërbimet e duhura? A e di se kjo, përveç se cinike, është edhe tragjike? A e di se kemi një qeveri të
papërgjegjshme? A e di se asgjë nuk e rrezikon më shumë një milet të vockël,
sesa braktisja? A e di se mund të mos jemi më pas disa dekadash? A e di se
asnjë pushtim nuk na ka bërë më shumë dëm se sa ky mjerim?
A e di se lindim pothuajse po aq sa vdesim dhe se, nëse
vazhdojmë kështu, do tretemi dhe do përfundojmë sa një grusht? A e di kush do blejë dhe kush
do shesë, kush do shkojë në shkollat tona (të integruara me TIK),a e di se kush
do i punojë tokat dhe punishtet tona, kush do i pastrojë shtëpitë nëse të
gjithë ikin? A e di që po fikemi ,tretemi, pak nga pak, jo se nuk kemi tokë,
diell, ujë dhe ajër, por se qeverisemi keq e mos më keq?
A e di se para ca muajsh u përmbytëm? A e di se sa prej tyre
janë zhdëmtuar? A e di se sa shqiptarë të varfër janë terrorizuar, janë
burgosur për palidhje, gjoja terrorizëm
A di ndonjë rast kur dikujt i është sekuestruar shtëpia për shkak të
abuzimit, korrupsionit apo evazionit fiskal? A e di që nëse të duhet të
rregullosh shtëpinë që ta përmbyti dimri apo lumi i tërbuar, duhet të marrësh
leje nga uqimati(pushteti)? A e di se përndryshe ky meremetim llogaritet ndërtim pa leje? A e di se rrezikon burgun
nëse rregullon çatinë e prishur? A e di se nevoja për një estetikë kaotike
të “Disneyland-it” ka fshirë mijëra
vende pune?? A e di sa taksa të qytetarëve i kanë harxhuar për shkak të këtij projekti tekanjoz?
A e di se sa borxh
publik kemi? A e di ti se ku shkon ky borxh? A e di se sa paguan ti dhe
të gjithë ne për të shlyer një borxh që nuk e kemi krijuar vetë, por është
mbledhur për shkak të mediokritetit, paaftësisë dhe abuzimit në vite? A e di se
çdo fëmijë që lind, duhet të paguajë një borxh prej afër 3000 eurosh (mos më
kap për shifre) që brezat ua lënë brezave pa asnjë arsye të qenësishme? A e di
si do ta lajmë këtë borxh? A e di se qeveria mendon se borxhi lahet duke marrë
borxh? A e di shpenzimi kryesor i qeverisë është pagesa e borxhit, në vend që
të ishte arsimi, shëndetësia, pagat dhe
shërbimet publike?
A e di se sot qytetari konsumon më pak se një vit më parë? A e di se
sa janë shtuar veresitë në bakallnicat e lagjeve tona? A e di sa fëmijë nuk
blejnë dot një senduiç në shkollë? A e di se të varfrit sot marrin më
pak ndihmë nga shteti? A e di se numri i atyre që marrin asistencë sociale
është reduktuar? A e di ku kanë shkuar tepricat e këtij kursimi? A e di se këto
kursime kanë shkuar për të trukuar surratin në mënyrë që të gënjejnë bafçiren?
A e di se janë arrnuar,jo ndërtuar rrugët në këto dy vite ?A e di ti se “pomada-NIVEA”e
surratit kushton më shumë se e vërteta e bafçires?
A e di se na thanë se punësimet do të bëhen vetëm me
konkurse? A e di se këto konkurse nuk prodhuan asnjë ditë më shumë cilësi, më
shumë barazi, më shumë transparencë për administratën tonë? A e di se nëse
është e vërtetë se mësuesit merren në punë me konkurs, asnjë nga drejtuesit e
ndërmarjeve publike nuk është marrë me konkurs? A e di se drejtuesit e
ndërmarjeve publike janë zgjedhur me
shoqëri dhe pa asnjë kriter cilësie apo merite?
A e di se kush është futur në Parlamentin e Vendit tonë? A e
di se qytetarët mendojnë se në Parlament mund të hysh vetëm nëse vret, nëse
vjedh, nëse je i pashkollë apo nëse je i pasur? A e di se në Vendin tonë,tani,
po të vrasësh quhet punë, kurse të bësh një libër quhet dembelizëm i ushqyer me
taksa? A e di kush i futi dhe pse këta në Parlament? A e di ti që dikush e
dinte këtë kur i futi? A e di që partitë
e atyre qe na vranë dhe na vrasin janë ende në koalicion me ne? A e di që, nëse
duhet të kandidosh për deputet apo kryetar komune, pyetja e parë që bëhet është
sa para ke? Sa vota do blesh? Sa të
varfër do ushqesh me miell dhe vaj ditën e zgjedhjeve? A e di që tenderashat vetëm zgjidhen kurse mileti vetëm zgjedhin?
A e di se kjo ndodh vetëm me parlamentet e atyre vendeve,
partitë e të cilave nuk bëjnë reforma? A e di se po të jesh deputet, mund t’i
kalosh policisë lëndë narkotike në makinë, ndërsa po të jesh i varfër nuk të
presin sa ta paguash faturën minimale të operimit të djalit? A ke parë ndonjë
pushtetar të korruptuar në burgjet tona? A e di se dhe administratat e burgjeve
po ndahen mes partive në koalicion? A e di se edhe të burgosurit po ndahen mes
partive tona?
A e di se 153 mijë votat që morën, sot me sa duket nuk dalin,
duhet më shumë , duhet 200 mijë? A e di se administrata publike është një
plaçkë që ndahet çdo ditë mes partive dhe prandaj kemi administratën më të
degraduar dhe më mediokre të Europës?
A e di, i dashur shok, se të gjitha sa shkruajta janë vetëm
vendime personale? A e di se askush nuk është pyetur për sa më sipër,
por përkundrazi, të gjithë janë detyruar të mbrojnë surratin dhe surrogatin për
të ndëshkuar bafçiren?
A e kupton atëherë pse shkruaj?
A mendon akoma se është më mirë të mos shkruaj?
A beson se dëmtoj më shumë kur vetëm lexoj apo kur shkruaj?
A e kupton tani kush i bën më shumë dëm Vendit tonë?
Surrati dhe surrogati apo bafçirja?