Translate

Reklama

Wednesday, March 25, 2015

POLITIKA E FRIKËS NGA TJETRI

Në këtë shkrim do të nisem nga një  këndvështrim i Slavoj Zizek-ut. Kështu Slavoj Zizek-u e qartëson aksiomën e tij duke thënë: “dhuna subjektive është thjesht pjesa më e dukshme e një triumvirati(trinie) që përbëhet edhe nga dy forma objektive të dhunës. Së pari është një dhunë ‘simbolike’, e trupëzuar tek gjuha e tek format e saj, tek ajo çka Heidegger-i do ta quante ‘shtëpia e qenies sonë’. Ky lloj i dhunës nuk funksionon vetëm tek rastet e qarta – dhe të studiuara gjerësisht – të provokimeve dhe të marrëdhënieve të dominimit social që riprodhohen në format e zakonshme të të folurit tonë: ka një formë edhe më bazike të dhunës, e cila sërish i përket gjuhës si e tillë, si imponuese e një universi të caktuar kuptimor. Së dyti, ekziston ajo çka quajmë dhunë ‘sistemike’, apo pasojat shpesh katastrofike të funksionimit normal të sistemeve tona politike dhe ekonomike”.
Këtë këndvështrim te tij unë e gjej të aplikueshëm edhe në një analizë që mund t’i bëhet dhunës në politikën e këtij shteti të pëbashkët që e kemi, dhunës së shfaqur dukshëm  në shtypjen e dhunshme të demonstratave për rastin “Monstra”, mosrespektimin e nevojës për drejtësi në rastin në fjalë, pushimin nga puna sa herë që ndryshojnë duart politike, shtimi i krimeve, shtimi i vetëvrasjeve, dhe në përgjithësi ashpërsimi i marrëdhënieve të qytetarit me jetën e me mirëqenien. Ky është spektakli i dhunës, ajo dhuna e dukshme që na shqetëson të gjithëve, e që është trajtuar gjerësisht në opinion publik, në analiza, në emisione. Nga analizuesit jo rrallë janë evidentuar edhe fajtorët e dhunës së dukshme, që në përgjithësi edhe ata janë shumë të dukshëm. Janë udhëheqës politikë të rangjeve më të larta, kryeministri (sipas opozitës), apo kryetari i opozitës (sipas qeverisë). Të evidentuarit e burimit të dhunës së dukshme te lideri i forcës kundërshtare është një lloj argumenti që i ngjit publikut, në kushtet kur si mjet qeverisjeje përdoret frika prej tjetrit. Kështu, pasi dëshmohet se tjetri është i përlyer dje e sot, pasi dëshmohet se rrethohet prej interesaxhinjëve të ulët e kriminalë, është e lehtë të thuhet – më mbështesni mua, se në dorë të tij po hiqni keq. Gjithashtu kjo sjell me vete justifikimin: “Nëse ai që ka pushtetin është kaq i lig e kaq brutal, as unë që i kundërvihem s’mund të jem engjëll, se pragmatizmi më detyron ta përballoj me të njëjtat mjete”.
Kështu është frika për pozitën që mbjell opozita te pasuesit e saj (apo e anasjellta), ajo që zhduk nevojën për parashtrim platformash ideore të guximshme – sepse thuhet se “idetë e guximshme” i diskutojmë kur të heqim qafe tjetrin. Po kjo frikë zhduk nevojën për diskutim, si edhe shpresën për ndryshim thelbësor. Ndryshimi i vetëm që duket i mundshëm, është “zhdukja e burimit të frikës”, që në fakt është një jo ndryshim, pasi siç e dimë, frika është instrument i transformueshëm lehtë e i përdorshëm gjatë.
Kjo frikë, dhe mënyra se si ndërtohet (mos)ligjërata rreth saj, përbën një lloj të egër të dhunës simbolike. Ti nuk e kritikon dot pozitën, sepse menjëherë shpallesh puçist, ti nuk e kritikon dot opozitën, sepse menjëherë shpallesh i shitur a i dhunuar nga pushteti. Ky është një prej efekteve të dukshme të kësaj dhune të padukshme, ajo nuk të lë të flasësh politikisht, të kritikosh a të propagandosh diçka të ndryshme prej dy monstrave që trembin njëri-tjetrin, e i mobilizon masat që të linçojnë çdo fjalë që prish monotoninë e hirtë të kërcënimeve simetrike. Prodhohet një moment interesant pafjalësie, një moment kur brutaliteti qoftë i rëndomtë qoftë i sofistikuar, e ka të lehtë të sundojë. Pasi është e vështirë të denoncosh a të luftosh pa fjalë. Në rast se gjuha është terren i dhunës simbolike, heshtja (heshtimi i kritikës, heshtimi i propozimit të të resë),  është aktualizim i kësaj dhune në të njëjtin terren.
Dhuna që prodhon kjo politikë e frikës nga tjetri shpejt bëhet sistemike. Për t’u mbrojtur prej kundërshtarit politik nuk mjafton më dedikimi, nuk mjaftojnë më sakrificat fizike të militantëve, duhet diçka më shumë – duhen mjetet e tij. Kështu, në vend që të luftojë koniunkturën politikë-mafia, në emër të frikës, edhe opozita shkon e kërkon mbrojtjen e mafias. Krijohet një dikotomi(ndarje në dy pjesë) fiktive, dy mafia, një opozitare, e një qeveritare. Të dyja këto marrin përsipër mbrojtjen prej palës tjetër, kuptohet, nën një “çmim tregu”. Shpesh “çmimi” është mosndëshkueshmëria, pra zhbërja e aksiomës së drejtësisë (dhe e sistemit të së drejtës aty për aty), e lindja e një sistemi jo-publik, jo-transparent. Një sistem ku politika e mafia kanë imunitet, e transferojnë pushtet a ndëshkim aty ku duan, e ku publiku është i shndërruar në komentator të pafuqishëm. Ky është rasti i Vendit Tonë. Natyrisht, politika jo-publike (lexo mafia), e kupton që dikotomia e frikës ndaj tjetrit është e pavërtetë. Ky lloj i politikës bashkëpunon mirë me kundërshtarin. Jo më kot një nga organizatat më të suksesshme transnacionale është mafia, e cila e gjen gjuhën e bashkëpunimit edhe mes serbësh e shqiptarësh, izraelitësh e palestinezësh, amerikanësh e kinezësh. Natyrisht që e gjen gjuhën ky lloj politike edhe mes “VMRO-istësh” e “LSDM-istësh”apo “BDI-stësh” dhe PDSH-istësh.

Kritika të tilla jo rrallë zhvleftësohen me një batutë të rastit, duke thënë se “po i fut të gjitha palët në një thes”. Mirëpo që të mos konsiderohen të gjitha në një thes, palët duhet të dëshmojnë se kanë së paku vullnetin për të dalë prej thesi. Që do të thotë të fillojnë të jenë objektive ndaj marrëdhënies që kanë me mafian, e ta ndëshkojnë atë në çdo element, jo vetëm duke e denoncuar te “tjetri”, por së pari duke e larguar prej vetes. Dhe së fundi, politika duhet të rikthehet te fjala, te forca e propozimeve domethënëse, e kritikave dhe e diskutimeve mbi koncepte, nocione e vlera. Një politikë pa fjalë s’është veçse një përulje (omertá) sistemike, një dhunë që mendohej se e kemi lënë pas bashkë me mesjetën.