Translate

Reklama

Sunday, February 22, 2015

MBI KONCEPTIN E HISTORISË


(WALTER BENJAMIN)
Teza I
Rrëfejnë një tregim për një buratin robotik që qenkësh ndërtuar në të tillë mënyrë që të luante e të fitonte lojën e shahut, e t’i përgjigjej lëvizjeve të kundërshtarëve me nga një kundërlëvizje. Ky na qe një buratin me petka turke e me një nargjile në gojë, ulur para tabelës së shahut të vendosur mbi një tryeze të madhe. Një sistem pasqyrash krijonin iluzionin që tavolina qe e tejdukshme nga të gjitha anët. Po në të vërtetë një kurrizo trupvogël, shahist me përvojë, ulej brenda tavolinës dhe drejtonte duart e buratinit me një sistem fijesh. Buratini i quajtur “materializëm historik” do të fitojë gjithnjë. Ai mund të sfidojë lehtësisht këdo, nëse përdor dhe shërbimet e teologjisë e cila sot, siç e dimë, është e tkurrur dhe mbahet larg syve të botës.
Teza II
“Një nga karakteristikat më të dalluara të natyrës njerëzore” – shkruan Lotze – “është, paralel me egoizmin e tepërt në instanca të veçanta, të qenët i lirë prej zilisë që e tashmja shfaq ndaj së ardhmes”. Reflektimet na tregojnë se imazhi ynë i lumturisë është i ngjyrosur tejetej prej kohës ku na ka caktuar traga e ekzistencës sonë. Ai lloj ngazëllimi që mund të ngjallë zilinë te ne, ekziston veç në ajrin që dikur kemi thithur, veç te njerëzit me të cilët mund të kemi folur, te gratë që mund të na kenë falur vetveten dikur. Me fjalë të tjera, imazhi ynë i lumturisë është pazgjidhshmërisht i lidhur me imazhin e shpagimit. Njësoj ngjet edhe me vështrimin tonë ndaj së shkuarës, që është objekt i historisë. E shkuara sjell me vete një tregues të përkohshëm, përmes së cilit thirret në shpagim. Ka një marrëveshje sekrete mes brezave të shkuar dhe këtij të tashmit. Toka e ka pritur ardhjen tonë. Njësoj si secili brez paraardhës edhe ne jemi pajisur me një fuqi e zbehtë mesianike, një fuqi ndaj së cilës e shkuara ka ngritur mëtimet e saj. S’janë çështje pazari ato mëtime. Materialistët historikë janë të vetëdijshëm për këtë.
Teza III
Kronikani që i rendit ngjarjet pa bërë dallim mes të mëdhave e të voglave, vepron në përputhje me këtë të vërtetë: prej gjithçkaje që ka ndodhur ndonjëherë, asnjë ndodhi s’bën të quhet e humbur për historinë. Sigurisht, vetëm një njerëzim i shpaguar mbërrin ta zotërojë tërësisht të shkuarën e vet, që do të thotë se vetëm për njerëzimin e shpaguar e shkuara bëhet e citueshme në të gjitha momentet e saj. Secili moment i përjetuar bëhet një citation a l’ordre du jour – dhe kjo ditë, është Dita e Re (der juengste Tag).

Teza IV

Së pari përpiquni për bukë e rroba edhe
Mbretëria e Zotit do të vijë vetë te ju
Hegel, 1807
Beteja klasore, që është gjithnjë e pranishme për çdo historian të ndikuar nga Marksi , është betejë për të fituar gjërat e ashpra dhe materiale pa të cilat nuk mund të ekzistojë asgjë delikate e shpirtërore. Gjithsesi, këto të fundit janë të pranishme në betejën klasore, por jo në formën e plaçkës që i takon fitimtarit. Ato e manifestojnë vetveten në këtë betejë në formën e kurajos, humorit, dinakërisë e qëndresës. Ato kanë një forcë retroaktive dhe vazhdimisht do të vënë në pikëpyetje cilëndo fitore të sunduesve, qoftë ajo e së shkuarës apo e së tashmes. Porsi ato lulet që e kthejnë fytyrën kah dielli, ashtu edhe e shkuara, e detyruar prej një force të fshehtë heliotropike, e kthen fytyrën kah dielli që po lind në horizont të historisë. Materialisti historik duhet të jetë i vetëdijshëm për këtë transformim, që është më pak i dukshmi nga gjithë të tjerët.
Teza V
Imazhi i vërtetë i së shkuarës kalon rrëshqanthi. E shkuara mund të kapet veç si një imazh që shkreptin në çastin e vetëm kur mundet të njihet, pastaj s’shihet më kurrë. “E vërteta s’do të largohet prej nesh”: në një vështrim historik të historicizmit këto fjalë të Gottfried Kellerit shënojnë saktësisht pikën ku materializmi historik e pret mespërmes historicizmin. Sepse çdo imazh i së shkuarës të cilin e tashmja nuk e njeh si shqetësim të vetin rrezikon të zhduket përgjithmonë. (Lajmet e mezipritura që historiani i së shkuarës i sjell zemër-rravguar mund të humbin në zbrazëti pikërisht në momentin kur ai nis të flasë).
Teza VI
Të artikulosh historikisht të shkuarën nuk do të thotë ta njohësh atë “ashtu siç ka qenë me të vërtetë” (Ranke). Do të thotë ta kapësh një kujtim teksa shkreptin në një moment rreziku. Materializmi historik synon të fiksojë atë imazh të të shkuarës që i shfaqet befasisht njeriut të përzgjedhur nga historia në çastin e rrezikut. Rreziku shenjon si përmbajtjen e traditës, ashtu dhe publikun e saj. Të dyjave u kanoset i njëjti kërcënim: mund të shndërrohen në vegël të klasave sunduese. Në çdo epokë duhet bërë rishtaz përpjekja për t’ia shkëputur traditën konformizmit që gjithnjë synon t’i mbivendoset. Mesia nuk vjen veç si shpagues, ai vjen dhe si mposhtës i Antikrishtit. Dhuntinë për t’i fryrë gacës së shpresës që gjendet tek e shkuara ka për ta patur vetëm ai historian që është tërësisht i bindur se as të vdekurit nuk do të shpëtojnë nga armiku nëse ai ngadhnjen. Dhe ky armik nuk ka pushuar së qeni ngadhnjimtar.
Teza VII
Mendoni terrin dhe të madhen ngricë
Të k’saj lugine ku jehon mjerimi
Brecht, Opera për tre pare
Historianit që dëshiron ta jetësojë rishtaz një epokë të së shkuarës Fustel de Coulanges i rekomandon që ta fshijë prej mendjes gjithçka që ai di mbi zhvillimin e mëpastajmë të historisë. S’ka mënyrë më të mirë për ta përshkruar metodën prej së cilës materializmi historik është distancuar e është shkëputur. Është një proces empatik, që rrjedh prej plogështisë së zemrës, acedisë, që dëshiron ta kapë e ta mbërthejë imazhin e mirëfilltë historik, teksa ky shfaqet vetëtimthi. Teologët mesjetarë e shihnin acedia-n si shkakun që i rri në rrënjë trishtimit. Flaubert-i, që e njihte mirë këtë ndjenjë, shkruante: “Peu de gens devineront combien il a fallu être triste pour ressusciter Carthage”*. Natyra e këtij trishtimi del në pah më qartë nëse shtrohet pyetja se cilën anë mban empatia e atyre që përkrahin historicizmin. Përgjigjja është e pashmangshme: anën e ngadhnjyesit. Dhe çdo sundues është trashëgimtar i pushtuesit të mëhershëm. Pra, empatia me ngadhnjyesin gjithnjë i leverdis sunduesve.Materialisti historik e di mirë ç’do të thotë kjo. Cilido që gjer më sot ka ngadhnjyer bëhet pjesë e kortezhit triumfal gjatë të cilit sunduesit aktualë shkelin mbi ata që shtrihen të përulur. Sipas praktikës tradicionale, plaçka e ngadhnjyesit bartet me vete gjatë gjithë kortezhit. Ajo merr emrin thesar kulturor, e ndaj saj materialisti historik mban një distancë, për siguri. Sepse pa asnjë përjashtim thesaret kulturore që ai sheh kanë një origjinë të cilën s’mund ta sodisë pa neveri. Të tilla thesare erdhën në jetë jo vetëm prej përpjekjeve të mendjeve e talenteve të mëdha që i kanë krijuar, po edhe prej stërmundimit anonim të bashkëkohësve të tyre. Nuk ekziston asnjë dokument i qytetërimit që nuk dokumenton në të njëjtën kohë barbarizmin. Ashtu siç është inherente barbaria tek këto dokumente, është edhe te vetë mënyra përmes të cilës ato transmetohen prej një pronari tek tjetri. Kështu që një materialist historik e shkëput veten sa më shumë prej këtyre thesarëve. Ai e sheh si detyrë të vetën ta marrë furçën e ta shpluhurosë historinë.
* “Pak vetë mbërrijnë të imagjinojnë sa i trishtuar duhesh me qenë që ta ringjallësh Kartagjenën”
Teza VIII
Tradita e të shtypurve na mëson se “situata e jashtëzakonshme” në të cilën jetojmë nuk është përjashtim, por rregull. Duhet mbërritur një konceptim i historisë që përputhet me këtë vëzhgim. Më pas do ta kuptojmë qartësisht se ne na bie detyra që të shkaktojmë një situatë vërtet të jashtëzakonshme, dhe kjo do ta përmirësojë pozitën tonë përballë Fashizmit. Një nga arsyet se pse Fashizmi ka gjasa të ndodhë është se kundërshtarët e vet e luftojnë në emër të progresit, si një normë historike. Habia që shfaqet kësokohe, se si ka mundësi që gjërat që përjetojmë vazhdojnë “ende” të ndodhin në shekullin e njëzetë nukështë filozofike. Kjo habi nuk çon tek asnjë dije, përveçse tek ajo që shpërfaq se këndvështrimi historik prej nga rrjedh habia, nuk qëndron më në këmbë.
Teza IX

Mein Flügel ist zum Schwung bereit,
ich kehrte gern zurück,
denn blieb ich auch lebendige Zeit,
ich hätte wenig Glück.
“Gruss vom Angelus” *   
Gerherd Scholem
Është një tabllo e Klee që titullohet “Angelus Novus”, që paraqet një engjëll që ngjan a thua se është duke u larguar prej diçkaje të cilën po e sheh me përqendrim. Sytë e tij janë duke vështruar, gojën e ka të hapur, flatrat e shtrira. Bash kështu pikturohet engjëlli i historisë. Fytyra e tij është kthyer kah e shkuara. Aty ku ne perceptojmë një zinxhir ngjarjesh, ai sheh veç një katastrofë të vetme që pandalur rritet duke grumbulluar rrënoja, e duke i sjellë ato para këmbëve të engjëllit. Engjëlli do të dëshironte të rrinte, të ngjallte të vdekurit e t’i ribënte gjithë ato që dërrmoi rrëmeti. Por një ciklon fryn që prej parajse; i ka mbërthyer flatrat e engjëllit me të tillë dhunë sa ai nuk mundet më t’i mbyllë. Kjo stuhi e shtyn parezistueshmërisht drejt s’ardhmes, së cilës engjëlli i ka kthyer shpinën ndërkohë që orteku i rrënojave përballë tij rritet gjer afër qiellit. Kjo stuhi është ajo çka ne quajmë progres.
*
Versioni 1
Flatrat gati me flutrue                           
Kohën pas lum kush e kthen               
Gjithherë k’tu s’ban me qindrue
Ndo’j fat të mirë sodi s’un bjen.        

Versioni 2 ( nga Shkëlqim Çela)
Me shum’ dëshirë do ktheja pas
Me vrundull flatrat gati
Po meqë ngeca n’Kohë të Gjallë
Nuk më ka prirë fati

“Falëmeshëndetja e Engjëllit”
Teza X
Murgjve nëpër manastire disiplina monastike u përcaktonte tema për meditim me qëllim që t’i shkëpuste prej botës e çështjeve mondane. Mendimet që zhvillojmë këtu burojnë prej një konsiderimi analog. Vëzhgimet tona synojnë që – shi në momentin kur politikanët që mishërojnë shpresat e kundërshtarëve të fashizmit janë përkulur duke pranuar mposhtjen e vet e duke tradhtuar çështjen – ne ta shpështjellim politiken mondane prej merimangave ku e kanë kapërthyer tradhtarët. Konsiderata jonë lind prej vëzhgimit të këtyre tre fakteve: besimit kokëfortë që politikanët kanë te progresi; vetëbesimit që ushqejnë për “bazën popullore”; dhe më së fundi integrimit të tyre servil tek një aparat i pakontrollueshëm, të cilat s’kanë qenë veçse tre aspekte të së njëjtës gjë. Pra duam të bëjmë të qartë se sa shtrenjtë duhet t”i kushtojë mendimit të zakonshëm konceptimi i një historie që e shmang çdo lloj pikëpjekje me mendimin ku aderojnë këta politikanë.
Teza XI
Konformizmi që e ka patur çerdhen që prej fillimit në gji të social-demokracisë nuk qëndron veç te taktikat e saj politike, po edhe te konceptet e saj ekonomike. E këto të fundit janë një prej arsyeve kryesore të dështimit të saj. Asgjë s’e ka korruptuar klasën punëtore gjermane aq sa bindja që ata po notonin pas rrjedhës. Zhvillimet e teknikës atyre u dukeshin si shenja të kahjes së rrjedhës, në të cilën mendonin se po notonin. Kjo s’qe veçse një hap larg bindjes iluzive që puna në fabrikë – e cila sipas tyre qe hallkë e rrjedhës së progresit teknologjik – përbënte një akt politik përparimtar. E lashta etikë protestante e punës po përjetonte ringjalljen e saj mes punëtorëve gjermanë, tashmë në format të shekullarizuar. Gjurmë të këtij konfuzioni u shfaqën që në programin Gotha (i paraqitur në Kongresin e Gotha-s, në 1875). Aty puna përkufizohej si “burimi i gjithë pasurisë e i gjithë kulturës”. Marksi, që i tutej më së keqes, shkroi në përgjigjje se qeniet njerëzore që nuk zotëronin asnjë pronë përveç fuqisë së vet punëtore “detyrohen të jenë skllevër të të tjerë njerëzve të cilët… janë bërë pronarë”. Po duke e anashkaluar këtë vërejtje konfuzioni veç u rrit, dhe pak kohë më pas Josef Dietzgen shpalli se: “Puna është shpëtimtari i kohëve tona… Tek… përmirësimi… i punës… mbruhet pasuria, që tashmë mund të plotësojë më së fundi atë që asnjë shpagues nuk do e kish mbërritur”. Ky konceptim marksisto-vulgar i asaj çka është puna, nuk shqetësohet të ngrejë pyetjen se si prodhimet – për sa kohë nuk janë në dispozicion të punëtorëve – i ndikojnë këta të fundit. Ai percepton vetëm progresin në kapacitetin për të shfrytëzuar natyrën, por jo regresin e shoqërisë. Që këtu shfaqen gjurmët e para të teknokracisë, të cilat më vonë u shfaqën edhe tek Fashizmi. Mes tyre qëndron një koncept i natyrës që dallon në mënyrë shqetësuese prej atyre që u shfaqën në mendimin socialist-utopik të periudhës Vormaerz (para 1948). Puna, që në atë moment e tutje, filloi të konceptohej si tërësia e shfrytëzimit të natyrës, koncept që vendoset me një vetëkënaqësi naïve, përkundër shfrytëzimit të proletariatit. Krahasuar me këtë koncept pozitivist tingëllojnë çuditshmërisht të shëndetshme edhe fantazimet e Fourier-së, për të cilat aq shumë e kanë thumbuar. Sipas Fourier-së, një ndarje e mirë e punës shoqërore do të kishte pasojat që vijojnë: qiellin e natës do ta ndriçonin katër hëna; akullin do ta hiqnin prej poleve; uji i detit s’do të qe më i kripur; dhe kafshët e egra do të zbuteshin e do t’i shërbenin të gjitha njeriut. Gjithë këto fantazi përshkruajnë një punë që – larg të qenit shfrytëzuese e natyrës – është në gjendje ta ndihmojë t’i pjellë ato krijesa mundshmëria e të cilave fle në mitrën e saj. Konceptit të shtrembëruar të punës i korrespondon ideja komplementare e një natyre që, sipas fjalëve të Dietzgen-it, “na ofrohet gratis”.
Teza XII
Ne kemi nevojë për historinë, por nevoja jonë është e ndryshme nga ajo e bjerrakohësve që lazdrohen në kopshtijen e dijes.
Nietzsche, Mbi Dobinë dhe Dëmin e Historisë ndaj Jetës
Subjekti i njohjes historike është vetë klasa e shtypur që lufton. Te Marksi ajo shfaqet si e fundmja klasë e skllavëruar, që dëshiron të hakmerret edhe ta çojë deri në fund punën emancipuese, në emër të gjithë brezave të nënshtruar. Kjo ndërgjegje – që u bë e ndjeshme gjatë një periudhe të shkurtër tek “Lidhja e Spartakut” [grupi spartacist që u bë pararendës i Partisë Komuniste Gjermane] – e kundërshtonte  socialdemokracinë që prej momentit nistor. Brenda tre dekadave ajo mbërriti ta shuante thuajse tërësisht emrin e Blanqui-së, sokëllimat [Erzklang] e të cilit e kishin bërë të dridhej gjithë shekullin pararendës. Spartacistët u kënaqën duke i dhënë klasës punëtore rolin e shpëtimtarit të brezave të ardhshmeE bash kështu e gjymtuan prej forcës së saj më të madhe. Kjo pedagogji bëri që klasa të harrojë si urrejtjen ashtu dhe shpirtin e sakrificës. Sepse këto të dyja ushqehen veç nga imazhi i gjyshërve të skllavëruar, e jo nga ideali për nipër të emancipuar.
Teza XIII
Çdo ditë e më shumë çështja jonë qartësohet
çdo ditë e më shumë populli po bëhet i mençur
Joseph Dietzgen, Filozofia Socialdemokratike
Në teorinë, po sidomos në praktikën e saj, socialdemokracia është udhëhequr prej një koncepti të progresit që nuk përputhej me realitetin, por që kishte pretendime dogmatike. Progresi, siç përvijohej në mendjet e socialdemokratëve, na paskësh qenë një përparim i vetë njerëzimit (jo veç përparim i aftësive dhe dijeve të tij). Së dyti, progresi na qenka diçka që nuk mbaron kurrë (diçka që i korrespondon përmirësueshmërisë të pafundme të njerëzimit). Së treti, progresi njehsohet si diçka në thelb e pandalshme (si diçka që vetëvepron, dhe ndjek një tragë të drejtë apo spirale). Secili prej këtyre predikateve është kundërthënës, dhe secili lë vend për kritikë. Por kritika, në dashtë të jetë rigoroze, duhet të dalë përtej veçorive të këtyre predikatëve dhe të orientohet drejt diçkaje që e kanë të përbashkët. Ideja e progresit të species njerëzore përmes historisë është e pandashme prej idesë së lëvizjes brenda një kohe homogjene e të zbrazët. Kritika e kësaj idesë së fundit duhet t’i rrijë si themel kritikës së idesë së progresit në përgjithësi.
Teza XIV
Origjina është synimi
Ursprung ist das Ziel
Karl Kraus Worte in Wersen I (Fjalë në Vargje)
Historia është objekt i një konstruksioni që nuk shtrihet në kohën e zbrazët e homogjene, por në kohën e përplotë të “bash-tashit” [Jetztzeit]. Kështu, për Robespierre-in, Roma e lashtë qe një e shkuar e mbarsur me “bash-tash”, të cilën ai e shkulte prej tragës së vazhdueshme [continuum] të historisë. Revolucioni francez e mendonte vetveten si një Romë e kohës së tashme. E citonte Romën e lashtë njësoj si moda që risjell në jetë ndonjë kostum të së shkuarës. Moda ka një nuhatje për aktualen, kudo që ajo gjëllon në bjeshkët e së shkuarës.  Moda është një brofje prej tigri përmbi të shkuarën. Vetëm se kjo ndodh në një arenë të kontrolluar nga klasat sunduese. I njëjti hop, por në qiellin e çelur të historisë, është hopi dialektik, ashtu si e kish konceptuar revolucionin Marksi.

Teza XV
Në momentet e aksionit, vetëdijësimi për ta shpërthyer tragën e vijueshmërisë historike i përket klasave revolucionare. Revolucioni i Madh solli një kalendar të ri. Dita kur përurohet një kalendar i ri funksionon si përshpejtues i historisë. E në fund të fundit kjo është e njëjta ditë që kthehet e rikthehet pandalim nën formën e ditëve festive, që janë ditë përkujtimore. Pra kalendarët nuk e masin kohën ashtu siç bëjnë orët. Ato janë monumente të një vetëdije historike, së cilës duket se i kanë humbur gjithë gjurmët në Evropë që prej 100 vjetësh, vetëdije që u shfaq edhe një herë në një episod të Revolucionit të Korrikut. Kur ra mbrëmja e parë gjatë betejave – në shumë vende të Parisit, njëkohësisht por pa koordinim paraprak – njerëzit qitën plumba në orët nëpër kulla. Një dëshmitar okular, që ndoshta ia detyron përjetësimin e vet rimës shkruajti:
“Qui le croirait! On dit
qu’irrités contre l’heure,
De nouveaux Josués,
au pied de chaque tour.
Tiraient sur les cadrans
pour arrêter le jour.”

“E kush do ta besonte
Se në mëri me orën
Ca Jozue të rinj
Në kulla, me inat
Për ta ndaluar ditën
Qitën përmbi sahat”

Teza XVI
Prej konceptit të së tashmes që s’është çast kalimtar, po një kohë e ndalur dhe e bllokuar, materialisti historik nuk bën të heqë dorë. Sepse një koncept i tillë e përkufizon drejt atë të tashme në të cilën, për hesap të vet, ai shkruan historinë. Historicizmi kompozon një imazh “të përjetshëm” të së shkuarës ndërsa materializmi historik skicon eksperiencën unike të takimit me të. I lë të tjerët të shpërdorojnë forcat me kurvën e quajtur “na ishte një herë” në bordellon e historicizmit. Dhe mbetet zot i fuqive të veta: mjaftueshëm burrëror për ta shpërthyer tragën e vijueshmërisë të historisë.
Teza XVII
Po të ecë drejt historicizmi kulmon në histori universale[Universalgeschichte]. E prej kësaj dallon ndoshta më qartësisht se prej çdo gjëje tjetër historiografia materialiste, sa i përket metodës. Historisë universale i mungon armatura teorike. Ajo zhvillohet përmes grumbullimit: mbledh një masë faktesh që të mbushë kohën homogjene e të zbrazët. Historiografia materialiste, në anë të kundërt, themelohet mbi një princip konstruktiv. Mendimi nuk zhvillohet veç si lëvizje e ideve, po edhe si ngrirje, si ngurosje e tyre [Stillstellung]. Aty ku mendimi ngrin i beftë, brenda një konstelacioni stërmbushur me tensione, këtij të fundit i jep një goditje që e kristalizon në monadë. Historiani materialist nuk i avitet objektit historik për sa kohë ky ende nuk i është paraqitur si një monadë. Në këtë strukturë ai njehson shenjën e ngurosjes mesianike të gjithë ndodhive, e thënë ndryshe, shenjën e një mundësie revolucionare në luftën për të shkuarën e shtypur. E kap këtë shans në mënyrë që të shkëpusë një epokë të caktuar prej tragës homogjene të historisë; e nxjerr një jetë të përveçme prej një epoke; e nxjerr një akt të përveçëm prej veprës së një jete. Rezultati i kësaj procedure është se në aktin e përveçëm ruhet e përnaltësohet [aufgehoben] vepra e një jete, në jetën e përveçme ruhet e përnaltësohet epoka, e në epokë ruhet e përnaltësohet gjithë traga e historisë. Fruti ushqyes i konceptimit historik përmban në thelbin e vet kohën, si një farë të çmuar por pa shije e pa aromë.
Teza XVIII
“Pesëdhjetë mijëvjeçarët e shkretë të homo sapiensit” – shkruan një biolog modern – “përballë historisë së jetës organike në tokë qëndrojnë në raport diçka si dy sekondat në fund të një dite prej njëzet e katër orësh. Në këtë shkallë, gjithë historia e qytetërimit njerëzor do të mbushte vetëm një të pestën e sekondës së fundit në orën e fundit”. Koha e bash-tashit, që si model i kohës mesianike rimerr në një përmbledhje madhështore historinë e krejt njerëzimit, koincidon saktësisht me pjesën që zë në univers historia e njerëzimit.
Shtojcë
A. Historicizmi ndihet i kënaqur kur vendos një lidhje shkakësie mes momenteve të ndryshme të historisë. Mirëpo asnjë realitet faktik nuk shndërrohet – thjesht pse gëzon cilësitë e shkakut – në fakt historik. Fakti bëhet historik vetëm pasi ka vdekur, nën veprimin e ndodhive që mund të jenë të ndara me mijëvjeçarë të tërë nga vetë fakti. Historiani që niset prej këtij konstatimi nuk i lejon më rrjedhat e ngjarjeve t’i kalojnë nëpër gishtërinj si rruzarë (tespihe). Ai kap konstelacionin që formon epoka e vet teksa përziehet me një aksh epokë të së shkuarës. Kështu, ai themelon një koncept të së tashmes si koha e “bash-tashit” [Jetztzeit], stërpikur me grimca prej kohe mesianike.
B. Natyrisht që falltarët, të cilët e pyesnin kohën duke u rrekur të mësonin se çfarë fshihte në gji, nuk e perceptonin atë si kohë homogjene e boshe. Ai që e mban parasysh këtë shembull, ndoshta mund ta krijojë një ide për mënyrën se si perceptohet koha e shkuar si përkujtim: bash në këtë mënyrë. Ne e dimë që hebrenjve u ishte ndaluar të parashihnin të ardhmen. Torahu dhe lutjet, si kundërpeshë, u mësuan atyre përkujtimin. Kjo i çliroi ata prej magjepsjes nga e ardhmja, pre e së cilës bien gjithë ata që marrin këshilla prej falltarëve. Por e ardhmja nuk ishte aspak një kohë homogjene dhe boshe në sytë e hebrejve. Sepse te e ardhmja, në secilin çast, gjendet ajo porta e ngushtë prej nga mund të hyjë Mesia.


Përktheu Arbër Zaimi