Hë pra, në këto kohëra të
arrogancës qeverisëse,në këto kohëra të Kallashave që ekspozohen masovikisht si
mish në shitje, në këto kohëra të sharjeve politike, në këto kohëra kur
emisionet e përsërisin veten e njëri – tjetrin dhe gjithmonë në këto kohëra ky,
populli i Vendit Tonë i portretizuar si “qytetarë” futet gjithmonë në një thes
të vetëm, megjithëse diku ai është i arnuar e diku është me copa të
shkëlqyeshme nga ngjyrat. Por brenda – në thes -dikush është
barkthatë se s’ka asnjë thërrime, e dikush tjetër, barkthatë se është mërzitur
të hajë të mirat e pafundme që i ka në sofër. Ironikisht, tendenca shkon kah
ajo që njerëzit të bëjnë pjesë në të njëjtën kategori, kurse zgjidhjet e
problemeve të jenë individuale. Por zgjidhja miq, është vetëm tek e përgjithshmja.
Kur themi të papunët, cilat imazhe vallë i kemi në mendje?
Personazhet nuk kanë pse të dalin prej veprave shekullore,të Migjenit për të
dëshmuar atë që heq njerëzia – ende mund të gjenden lehtë, mes nesh. Janë të
kudondodhshëm. Gjenden përditë, aty përpara syve tonë. Ata nuk janë të përbashkuar,
por të ndarë në statuse ekonomike.
Pacienti i Vendit Tonë – e di në çfarë gjendje është e katandisur
shëndetësia. A i di shërbimet e kushtet në spitalet publike. Po çmimet e atyre
private, i di?. E di që përparësi të vetme kemi shkallën më të ulët e sëmundjes.
Besimi ynë i zbehur si për privatin, ashtu edhe për publikut forcohet nga zori
i sëmundjes kur ne dorëzohemi në spital. Ne e ndjejmë se zemra jonë e sëmurë
paraqet vetëm disa miligramë më shumë në industrinë e zemrave. Ajo është malli
i tregut. Defekti i vogël i saj paraqet shuma enorme për biznesmenët e zemrave.
Dhe ata – tregtarët e zemrave – janë të vetëdijshëm që nuk po pasurohen thjesht
prej shitjes së zemrave plastike për romantikët. Po luajnë me zemrat e njerëzve
të sëmurë. Shesin bateri për to. Ky nuk është korrupsion i thjeshtë. Ky është
korrupsion fatal i një shoqërie ku vëmendja është zhvendosur nga jeta, te
vdekja. Pacienti i Vendit Tonë mund të vuajë nga deformimi i shputave të
këmbëve dhe nëna e tij,e gjorë, të jetë e gatshme të shesë veshkën e saj, që
t’i sigurojë mjetet për shërimin e shputave të fëmijës së saj
Studenti – është kamerier. Shërben çdo ditë kafenë
më të mirë në botë. Ka dhënë dorëheqje edhe prej diplomimit që e kishte drejt
përfundimit. Tek e fundit, vendimtare për jetën e tij nuk do të jetë diploma.
Vendimtare do të jetë ndërgjegjja që u ndërtua prej Migjenit i cili çdo herë e
më rrallë gjendet si referencë në shkolla. Studenti i paguan kuotat semestrale,librat…
ai punon që prej vitit të dytë. Lodhet aq shumë, saqë fakulteti është kopshti i
tij i fshehtë për të pushuar dhe jo vendi i studimeve të thelluara.
I papuni – pret… Konkurs më konkurs. Derë më derë.
Kafe pas kafe…. Përditë.Çdo javë.Çdo muaj. Çdo vit.
Punëtori – sigurisht që nuk ka kontratë pune. Ai
është ndërtues. Punëtor me kurriz të dalë. Ndërtues në kuptimin që rropatet
përditë duke vendosur”ciglla”(tulla) një mbi një e duke përzier malter. E
shumtë është puna e tij përgjatë 12 orëve të ditës. Çdo javë pushon nga një
ditë. Nganjëherë fare. Kaq. Një ditë ishte rrëzuar nga shkallët. Gati sa nuk kishte
lënë kockat në vend. Tash mezi ecën. Ai nuk e paditi kompaninë, as nuk kërkoi
dëmshpërblim për shkak se pronarët e morën vëllain e tij në punë. S’ka lidhje
për sakatosjen për sa kohë dikush tjetër sjell miellin në shtëpi që të jetë një
invalid që frymon.
Indiferenti –ah ky, i ngjashëm me politikanin,
derisa ka punë. Nuk i bën përshtypje asgjë. Nuk është puna e tij. Mburret me
këtë. Ndërkohë njerëzit vuajnë. Pasiviteti i tij u ka shërbyer për t’u vënë në
anën e shtypësve. Sigurohet që historia të mos ketë çfarë të shënojë. Një greminë
e madhe. Hendek. Sepse hendeqet i heq rebelimi. Ndërkaq, pasiviteti e mbush zbrazëtinë
me boshllëk.
Ciniku – krejt ndryshimi që do ai, është që të
ndërrohet moti.Sa cinike!!
Në thesin e përgjithësimit ndodhet edhe gruaja rrobaqepëse e rrugës së butiqeve. Personazh i këtyre dramave të përditshme është edhe i përjashtuari i rrethinave rurale,nxënësi që nuk mund të shkojë në shkollë dhe
rinia e tij merr fund në s’di se çfarë rruge, “auslander” i
kriminalizuari, prostitutë, grua shtëpiake…
Por ndryshimi po kërkohet kolektivisht, pavarësisht se sa është
turbulluar përkatësia ekonomike. Fakti se të gjithë posedojnë kartela banke nuk
i bën njerëzit të barabartë. Ata janë të ndarë në mënyrën se si jetojnë,
megjithëse sipërfaqësisht nganjëherë duket se jetojnë njëlloj. Pabarazia aq e
thellë po i godet të gjitha shtresat nënelitare. Kriza është sociale e
ekonomike, por edhe kulturore. E zgjidhja ndodhet brenda të përgjithshmes. Ajo
duhet ta tronditë aq fort shoqërinë dhe të prodhojë të renë. Shkëndijat i kemi
parë.. Ato kthejnë përmbys ngadhënjimin e
deritashëm të ideologjisë së pushtetit që ka pohuar se ‘asgjë nuk ndryshon’.
Duhet të çelen horizonte të reja. E kjo bëhet duke u bërë bashkë,miq dhe
mikesha. Duke u bërë shumë. Dhe duke i thënë vetes: “sigurisht që,kjo është
edhe puna ime!”. Duke këmbëngulur në këtë përgjigje si atentat ndaj
indiferencës e shpërfilljes politike.