Një studiues turk,që për
momentin nuk me kujtohet emri ,në një nga librat e tij shpjegon “teorinë e
kapakut të tenxheres”,ku perandorinë otomane
e paraqet si një tenxhere ku në të ziejnë përbërës te ndryshëm,por që
mbaheshin te shtypur nga një kapak i madh,por në një moment ,ky kapak nuk do t’ia
dalë që të përballojë presionin e vlimit dhe do të shpërthejë dhe do të nxjerrë
në pah te gjitha çka fshihej nën të.
E tillë është edhe
shoqëria jonë ne këtë shtet. Një kazan,por që përbrenda ngërthen qytetarë të
shtypur që vlojnë e që janë nën një
presion të një kapaku të rëndë. Nën petkun e një shoqërie spektakli, ku jeta rrjedh vaj, fshihet
jeta e egër ,e realitetit të vjedhur të qytetarëve të varfër që po i ndjejnë në
lëkurë të vet pasojat.Të mbetur pa para, pa shpresë tek arsimi ose fare pa
mundësi financiare për ta ndjekur atë, me një kulturë të përçudnuar, me
varfërinë që shpon deri në koc, me industri të kolapsuar dhe tejet ndotëse
Kështu kur realiteti është larg ëndrrës, duhet që ëndrrën ta
bëjmë realitet. Ndonëse politikanët na e kanë marrë vendin e punës, pagën,
mirëqenien, kulturën, universitetin, fabrikën, fermën e madje edhe ajrin,
assesi nuk mund të na marrin ëndrrën – ëndrrën për një jetë më të mirë – jo në “banhofet”
e Evropës, por këtu dhe pikërisht këtu miq dhe mikesha! Lorenci i Arabisë
thotë, në memoaret e tij se “të gjithë njerëzit ëndërrojnë, por jo të gjithë
njësoj. Ata që ëndërrojnë në skutat e errëta të natës, gjatë ditës e kuptojnë
se e tëra na ishte e kotë. Por ëndërrimtarët e ditës janë të rrezikshëm, pasi
ëndrrat e tyre i shohin me sy hapur dhe i kthejnë në realitet.”
Ikja në Evropë, si edhe shpresa te partitë politike të këtij
sistemi të kalbur janë ëndrra nate miq dhe mikesha, që dita nuk i vërteton
asnjëherë. Sot ëndërr e ditës që duhet realizuar vërtet është ëndrra për një
shoqëri të re me barazi ekonomike, drejtësi shoqërore, liri politike dhe
mediatike mes të gjithë njerëzve dhe për gjithsecilin. Sot populli i frikësohet
qeverisë. Nesër qeveria do t’ia ketë frikën popullit. Edhe pse në dukje, një
herë për njëherë na ka mpirë kjo letargjii e thellë. Por në një ditë të afërt,
të shtypurit do të zgjohen nga kjo përgjumje e rëndë dhe me besim në fitore do
të rrëzojnë gjithë “kapakët e tenxheret” që na kanë mbajtur të shtypur gjer më
sot.
“Megjithatë unë ia kam frikën kësaj pritje të popullit. Popujt
s’presin kurrë kot, siç pret njeriu ëndërrimtar tek pragu i portës. Kur një
popull pret diçka, kjo do të thotë se në thellësi të tij ai e pjek atë që
pret.”
Kapaku, sado i rëndë qoftë, nuk do t’i rezistojë shumë gjatë
vlimit dhe shpërthimit është i paevitueshëm.