Translate

Reklama

Saturday, December 13, 2014

LETËR E HAPUR APO SI MIGJENI MIKUT TEUFIK!!!


Të fala nga fshati i ndotur!!!
Dikur murgjit e krishterë shëtitnin shkretëtirave dhe shpellave  të vetmuara që të futen thellë e më thellë në egon e tyre apo për të pa Zotin dhe për të bërë mrekullira-ashtu edhe unë në këtë fshat,zhytem në veten time,fundosem në një subjektivizëm më ekstrem,ama jo për të pa Zotin,apo për të bë mrekullira ;as për të bërë foto profili-s`kam ç`bëj se i papunë jam dhe unë si shumë te tjerë në këtë Vendin Tonë që mrekullohemi nga realiteti i shpifur mediatik,dhe shëtis fushave të shkreta(ndoshta jo të tilla),fushave te ndotura nga tymi qe përdridhet dhe do të më thotë apo të më shajë nënën.Shëtis,shëtis ngadalë,pastaj më shpejtë,pastaj edhe më shpejtë,deri sa, ndonjë ferë e ngatërruar në këmbët e mija më tërheq vëmendjen:hej mik çka bën,më ngadalë...ku je nisur?Unë atëherë filloj në një drejtim tjetër shëtitje dhe një drejtim tjetër mendimesh, pa orientim ashtu spontanisht. E mendimet e mia atëherë nuk janë mendimet e një njeriu që është i kënaqur me jetën, por janë mendimet e një njeriu që vuan. Vuan bashkë me fëmijën, të cilit prindi nuk ia bleu lojën e dashur, vuaj  bashkë me të sëmurin dhe të sëmurët e gjithë sëmundjeve,të riun që digjet n’dashuriçka, vuaj edhe  me pesdhjetë vjeçarin që mbytet n’apatinë e jetës, vuaj me plakun që dridhet nga friga e vdekjes; vuaj me bujkun që lufton me tokën e helmuar, vuaj me punëtorin të cilin paga e ndrydh(dhe nuk sheh ndotjen), por nuk vuaj me këtë “mizë”, së cilës gjithnjë dallëndyshja i kërcënohet e për motrën e së cilës tha një plakë : Gjynah, është krijesë e zotit. Vuaj me njeriun! E besoj, o njeri “i madh”, se nuk është kjo një metamorfozë egoizmi, - siç pretendojnë disa, - por është diçka tjetër që shpallet te njerëzit, të cilët – rastësisht, për një kohë – gjenden jashtë materializmit t’ashpër. T’hidhta këto mendime më therrin ndër ndjenja dhe më pezmatojnë. Do të thuash,o “i madh”, se jam pesimist i pashërueshëm, se më ka tërhequr Shopenhaueri me stilin e vet të bukur... Jo? – admiroj stilin e Shopenhauerit, por ndjenjat dhe mendimet e tij, për veten time janë vetëm fusha ku lexuesi mundet të shijojë gjithë atë bukuri stili, pra nuk jam shopenhauerist – pesimist nuk jam, se besoj në një fuqi të njeriut, besoj në mbinjeriun! (Duke menduar kështu, në vesh më tingëllojnë fjalët e dikujt: “Besimi yt të shpëtoi!”). Po pate dhe ti kësisoj mendimesh mirë,e po s`pate po të rekomandoj këtë besim, më modern dhe më të përshtatshëm të kohës së sotme – besimin në mbinjeriun!
Duke ndjekur shëtitjen time, marr furgonin, ka një largësi 12-13 km shoh Tetovën, të mbështjellur edhe atë në një tym të zi. Sa dëshira të flakta ushqej për këtë qytet! Dëshirat e mia janë shumë – shumë më të sinqerta e më të mëdhaja,si dëshira që pat perëndia kur krijoi botën. Tetova, dashnorja e shekujve! Tetova, Tetova, dashnorja e qiellit dhe rrugëve të pista! Tetova,Tetova, kjo dashnore  e malit Sharr të hedhur, Tetova një atitude shprehjeje... një fjale e cila përmban gjith nostalgjinë e ditëve dhe jetëve që fiken. Këtu në këtë largësi, ndiej damarët e saj që rrahin, rrahin e rrahin... edhe, sikur mjeku që transformon fytyrën n’hidhërim, duke pa se si  pulsi i kësaj dashnore nuk rreh siç duhet. Rreh: dy herë, një herë, pesë herë, dy herë, tetë herë, dhjetë herë, tridhet herë në sekondë! Pushon përsëri: një herë, katër herë, gjysëm herë! Duke rreshtuar këto të rrahura ofshana: pse nuk jam një pontifeks maximus, një papë ,ose një “Burdush” të hudhi mallkimin e plotë, të anatemoj sëmundjen epidemike bashkë me shkaktarin e saj! Por, për habi më ndjek një dallëndyshe, e cila, për të zënë sa ma shumë miza, stërhollonte gjithfarë lëvizjesh, akrobatike duke rrëshqitur nëpër ajër, e mua më shkoi mendja se Tetova, Ballkani, Europa, Bota mbarë ështe sëmurë prej këtij akrobacioni dallëndyshor. Besova se dhe kjo dallëndyshe do të thejë qafën në këto akrobacione, por atë e kishte falur perëndia më të shkathtë për jetë: pa pësuar asnjë dhimbje koke, u ngop me miza!
E dielli   i vjetër, dielli një mijë, pesë mijë, dhjetë mijë e kushedi sa vjet i vjetër. Jo, jo, diell, nuk pajtohem me ty, pajtohem me atë që ushqej tashti është dëshira me ju ngërdheshë, me ia treguar gjuhën këtij dielli, që aq indiferent perendon prapa maleve dhe po më nervozon shumë ama shumë.
Nisem kah shtëptë e fshatit, i cili është në mosmarrëveshje të plotë me qiellin. Për të fundit  herë shoh Tetovën, i dëshiroj “natën e mirë” dhe i dërgoj një të puthur në ajër.
Shumë të fala nga unë A.



P.s.bazuar në “Letër mikut Teufik” nga Migjeni