Translate

Reklama

Sunday, December 7, 2014

A KA MË DEMOKRACI NË VENDIN TONË,VALLË ?!!


 Nëpër botë,vërdallë, hasim regjime dhe sisteme politike nga më të nduarnduarshmet, duke filluar që nga ato më konzervatoret tek ato më liberalet; nga më diktatorialet e deri tek më demoktatike e kështu me radhë.Interesi im(në këtë shkrim)dhe i yni zgjohet më shumë nga sistemet demokratike, sepse edhe ne vetë kemi përqafuar këtë sistem,ose të paktën kështu pretendojmë.E duke qenë se demokracia është një sistem praktikisht i pamundur për t’u zbatuar në mënyrë të përsosur, për shumë vende me një sistem të tillë,të cilat kanë arritur një standard goxha të lartë demokracie , gjithkush mund të shtrojë pyetjen se çfarë i mungon këtij apo atij sistemi për t’iu afruar gjithnjë e më shumë përsosmërisë së demokracisë. Në një formë të tillë e kam pyetur edhe veten për demokracinë e Vendit Tonë, por shpejt mu desh t’ia riformuloja pyetjen vetes. Për Vendin Tonë është e vështirë t’i japësh një përgjigje në formën e parashtruar.Ndoshta më e lehtë do të ishtë pyetja se çfarë na bën ne,ajo që të quhemi një vend demokratik?
Jemi ndër vendet e pakta në Evropë, por edhe më gjerë, që jetojmë me dy realitete, një është ai i supozuar dhe i zbukuruar nga pushteti, ndërsa tjetri është realiteti i prekshëm, ose thënë ndryshe ai që të gjithë shohim me sytë tanë, sipas këndvështrimeve vetjake. Ai,realitet ,pra i supozuari ngjan si ato përrallat me fund të lumtur ku çdo gjë është e përsosur: demokracia jo vetëm që ka arritur një standard mbresëlënës, por tashmë ajo është kthyer edhe në një matës të nivelit të demokracisë për vendet e tjera, madje,madje Vendi Ynë është vend që shpërndan frymën e vërtetë të demokracisë nëpër botë. Po ashtu, ekonomia jonë, (gjithnjë)në këtë realitetin e supozuar, po thyen çdo parashikim të mundshëm. Vendi Ynë po ecën në kahun e kundërt me shumë e shumë vende të fuqishme. Këto të fundit po humbasin nga viti në vit fuqinë ekonomike, kriza botërore po lëkund rëndë çdo vend, ndërsa Vendi Ynë, për çudinë e të gjithëve, ecën kundra rrymës. Ai jo vetëm që nuk përfshihet në krizë, por përkundrazi, pëson rritje  ekonomike,bile të konsiderueshme. Shumë vende evropiane po lënë kokën pas udhëheqësit tonë dhe modelit tonë ekonomik e politik e s’do të ishte çudi nëse vendet e fuqishme do të financonin shumimin në mënyrë artificiale të kryeministrit tonë për të pasur sa më shumë “Gruevskë” vërdallë nëpër Evropë, që me gjenialitetin që e karakterizon do të ndalnin çdo krizë e periudhë të vështirë ekonomike.Deri në këtë pikë, gjithkush duhet të ndihet i lumtur për bollëkun ekonomik e krenar për udhëheqësin mitik që kemi.
Por. . . të lumtur e krenarë do ndiheshim në realitetin që na e supozon vetë kryeministri e që e zbukuron me fakte të trilluara (që të shpifin)e jo shumë të besueshme çdo ditë; në realitetin që shohim e prekim çdo ditë nuk ndodh kështu. Ky i fundit na grushton aq fortë sa na errëson gjithçka përpara e ne s’mund t’i shohim e t`i prekim bëmat e përrallisura nga kryeministri. Pavarësisht se po përpiqet me çdo mënyrë të na gënjejë mendjen, madje edhe me statistika zyrtare, është e vështirë të mbulohet e të fshihet një realitet kaq i qartë për shumëkënd. Në realitetin e prekshëm (në këtë tonin)nuk na shohin sytë as rritje ekonomike, as demokraci që funksionon e as lider për t’u pasur zili nga bota. Ky lider është veçse një kavalier, siç dua ta quaj unë, por që nuk i ka hipur kalit, por i ka hipur popullit mbi shpinë e një djall e di, kur ky i fundit do e ndiejë peshën e rëndë e të pavlerë që mban e do t’i japë shtysën që do e kthejë me këmbë në tokë kavalierin që jeton në mjegulla. Vetëm atëherë ai do fillojë të ecë me këmbët e veta e do ta kuptojë ç’do të thotë të jesh popull në një vend ku ai shtyp e shfrytëzon, e ç’do të thotë të jetosh në realitetin tonë e jo në të tijin (të trilluar).
Nuk e di ç`i ka mbetur Vendit Tonë nga simptomat e demokracisë; ndoshta asgjë ose ndoshta disa thërrmija që pakësohen gjithnjë e më shumë nga ky shtet i uritur. Demokracia po merr çdo ditë e më shumë plagë të rënda e çdo ditë e më shumë po shpërfytyrohet nga goditjet e pamëshirshme të një pushteti vrastar. Pushtet vrastar që po i vret të gjitha: ekonominë, shoqërinë, arsimin, solidaritetin e ndjenjat e pastra mes njerëzve, e madje po vret edhe dëshirën për të jetuar,po po dëshiren për të jetuar.

Pyetja që ja shtroj dhe  vazhdoj t’ia shtroj vetes(por edhe juve ) është: a ka më demokraci në Vendin Tonë? Meritojmë të quhemi ende vend demokratik?! Ndoshta jo, por unë dua të vazhdoj të besoj të kundërtën.