A kanë shenjë kohët barbare? Imagjinata e gatuar rrëfenjave
pret të dalë një Bajloz nga deti apo që njerëzia të kapë kallashin. Ndërkohë që
barbaria bashkëkohore është më pak spektakolare, më prozaike, e mezidukshme në
miriadat e hapave gjithkahshkues të së përditshmes. Shenja e saj nuk është
diçka, por mungesa e diçkaje, e një hap më tutje mungesa e mungesës. Përpara se
të rrotullohet ai burri i vejushës në
varr, të shpejtojmë të sqarojmë se
barbaria bashkëkohore shënohet nga mungesa e ëndrrave, e shpresës utopike
kolektive për një jetë cilësisht të ndryshme nga kjo që kemi. Pikërisht nga
ëndrrat syhapura, që nga përditshmëria e
shohin një degëz, një shteg a një dorë që mundëson të hedhësh të parin e të
panumërtave hapa, përpara, për aq kuptim sa ç’i ka mbetur përparimit pas tufanit postmodern.
Afërmendsh bashkëkohësia shqiptarçe,tetovarçe,kërçovarçe,shkupjançe
e gostivarçe ka vend për zhgjëndrra, për frikë nga terroristët me mjekër që
shesin parfume haxhillëku, nga shitësi i marihuanës që degjeneron rininë e
touch-it, nga forcat regresive që na ngadalësojnë hapin drejt Europës, nga
fqinjët me thikë ndër dhëmbë që përditë thurin intriga, nga mjerimi i
shumanshëm që kërcënon kënd e më shumëkënd, thellë e më thellë. Zhgjëndrrat
kolektive që kanë edhe pikëmbështetjen e tyre individuale, ato ëndrra të vogla
që kërkojnë diçka më shumë se dje, në mos të paktën sa dje, mjaft që të mos
jetë më keq se dje. Ato ëndrra të ngushta, që
janë melhem plagësh, bash si pështymë qeni që pakëson dhimbjet pas shqelmit të radhës. Të ngushtat
ëndrra për një të dashur, për pak seks, për pak para në skedinë, për një birrë
më shumë me shokët…të varfrat ëndrra individuale të të varfërve njerëz të
katandisur në individë, në atë atomizëm që i lëshohet vetëm organizimit fisnor.
Ka edhe ëndrra “të mëdha” pasanikësh. Ëndrra për pushtet, për shfrytëzim, për
ovacione, për delet, për turizëm malor, për dashnore të papërlyera
si Maria e kurva si Maria Magdalena. Ëndrra njerëzish të varfër në mendje (në
shpirt do të thoshim po të mos kish dalë mode romantizmi), varfërues të
shumëkujt.
Nëse dëshiron të jesh vërtetë i lumtur, është shumë e
thjeshtë; ti ke potencial për këtë: Mos mendo! Mos mendo asgjë! Madje as mos
mendo që ke mundësi të mendosh, se ndryshe lumturia jote merr fund,
tragjikisht, komikisht, ose edhe tragji-komikisht. Në gjumë, të lejohet të
shikosh edhe ndonjë ëndërr, por kujdes, ëndrra spontane, dhe jo nga ato ëndrrat
frojdiane apo futuriste, se ato janë të rrezikshme për lumturinë tënde. Kujdes!
Mos guxo të ëndërrosh me sy hapur, se përndryshe e mori lumi lumturinë tënde.
Në mëngjes, bashkë me shpëlarjen e syve, shpëla edhe mbeturinat e fundit të ëndrrave
spontanbudallaqe, pastrohu nga ëndrrat, dhe kujdes, mos guxo të mendosh, kujto,
përsërit me veten “mos guxo të mendosh, mos guxo të mendosh”!
Nisu për në punë, shtyp tastiera, a shty karroca, bjeri edhe
pianos po pate qejf, por mos mendo. Mos mendo as për veten tënde, se përndryshe
ta mori lumi lumturinë, të fituar me aq mund e djersë, në kohë dhe hapësirë.
Herë pas here, pusho, bëj një shpëlarje truri, dhe përsërit me veten tënde “jam
i lumtur, jam i lumtur, nuk mendoj, nuk mendoj”.
E nëse ti je fatkeq, e fatkeqësisht, bie në fatalitetin e
mendimit, kujdes, se mund ta kesh një shpresë: të paktën, zgjidh mendime
pozitive (shënim i paketës: mendimet pozitive nuk përfshihen këtu, se janë me
pagesë), ose beso në zot, pëshpërit “i di zoti këto punë, s’është puna ime, i
di zoti këto punë, s’është puna ime”.
Ti, njeri i ndershëm – se po të ishe njeri i pandershëm ose
i korruptuar as që do e merrje mundimin të lexoje këto këshilla, sepse ti e ke
arritur lumturinë tënde, dhe nuk ke nevojë për këshilla, ose do jesh i zënë,
full apo busy, duke pjellë mendime se çfarë djallëzie do bësh nesër) – ti
njeriu i ndershëm, se më shkëputi lugati i korruptuar, a do vërtet të jesh i
lumtur?! Po ta thash pra një herë më sipër, ku e ke mendjen, është e thjeshtë:
Mos mendo! Mos mendo, se po mendove, mendimet janë të këqija, ato ndonjëherë të
shtyjnë në veprim, dhe veprimet janë edhe më të këqija se mendimet; nëse
mendimet të pezullojnë lumturinë – ka gjithmonë shpresë që lumturia mund të
shërohet – veprimet mund të ta marrin lumturinë për fare dhe pastaj kot që
jeton.
Ti njeriu i ndershëm, mos mendo (në këtë mënyrë je dhe i
sigurt nga fataliteti i veprimeve), mendon shteti për ty. Apo nuk e dije këtë?!
Mos e vrit mendjen për asgjë, vetëm kështu do jesh 106 % i lumtur, lër
qeverinë, shtetin, pushtetin, gjykatat, prokurorinë, policinë, shefin,
pronarin, mjekun, mësuesin, të mendojnë për të gjitha, që nga buka e
përditshme, e deri tek puna e kushtet e punës, tek strehimi, edukimi, të
drejtat e kafshëve, liçencimi i leshit, apo edhe i preshit, koncensionet e
sektorit publik, aksidentet rrugore, taksat, krimin; madje edhe për kë do
votosh mos mendo (se në votime duhet shkuar patjetër), dhe këtu bëj vërtet
kujdes, se kjo është vërtetë pikë e nxehtë, mendon shteti edhe për këtë. Ehhhhh
ka përvojë shteti në këtë proces kaq të ndërlikuar! Pëshpërit, herë pas here,
“mos mendo, i zgjidh shteti këto punë, i zgjidh shteti këto punë”. Hiç mos
mendo, e çfarë punë ke ti me ndryshimet klimatike dhe ngrohjen globale, mos je
çmendur, po me importin arit, trafikun dhe trafikimin, transplantet, skanerat,
përgjimet, muajt e vitit, eklipsin dhe solsticin apo lirinë dhe barazinë?!
Jo, mos mendo, asgjë, ruaj lumturinë tënde, ose tek e fundit
mund ti bësh thjesht një “like” shtetit në facebook, por kujdes, “like” vetëm
si refleks muskulor dhe aspak si rrjedhojë e një mendimi fëmijërorë (të gjithë gabojmë), asnjë lloj
mendimi nuk lejohet, se sot në epokën digjitale, të lexohen edhe mendimet, dhe
iku, shkoj, lumturia jote. Ore, ti, njeriu i ndershëm, se më plase, edhe nëse
ta zhysin kokën në ujë, ti mos mendo, mos mendo si të dalësh nga uji, mendon
pushteti. Ouuuu kjo është hafife për qeverinë. Ti shijo lumturinë nën ujë,
porsi sqepi i një mjellme.
Nëse je grua shtëpiake mos mendo! Lër burrin të t’i sjellë
lekët, punë e tij, se si, e si qysh. E nëse je burri i shtëpiakes, puno, ul
kokën, shih punën tënde, çoj gruas para (hiq mënjanë paratë e cigares dhe
kafes, dhe të skedinës (opsionale) dhe mos mendo nëse i arrijnë apo jo gruas
paratë që i çon për të blerë pazarin e ditës. Nëse je njeri pa punë, dil edhe
lyp, e nëse ke turp të lypësh, kërkoji qeverisë të të fusë në burg, se atje të
japin për të ngrënë, pëshpërit: “do lyp, do lyp”, pëshpërit: “do futem në burg,
do futem në burg”, pëshpërit: “jam i lumtur, jam i lumtur”, pëshpërit: “mos
mendo, i zgjidh shteti këto punë, i zgjidh shteti këto punë, e zgjidh shteti
lumturinë time”.
Dyqind herë të thashë, mos mendo për asgjë.
Kështu mund të jesh 107% i lumtur; ah po, vër re se sa më shumë kohë kalon duke
mos menduar, por me besnikëri ama, aq më shumë rritet lumturia jote, ke bonus
çdo dy vjet (sa herë ka zgjedhje). Mos mendo, qëndro i lumtur, i lumtur, ti
trup me qeliza të gjalla, por me mendje të vdekur (mossss, më
shkau, që më plastë mendja e kokës). Vdekja, vdekja e mendimit, e shpirtit, ajo
është lumturia e vërtetë.