Kur Ajnshtajni e tha frazë:BOTËN E PRISHIN GJYSMAKËT, me siguri ai ka dashur që t’u referohej atyre që pretendojnë se dinë gjithçka, por nuk arrijnë të kuptojnë injorancën e tyre. Këtyre, nëse u jep si dhuratë lirinë,atëherë demokracia rrezikohet seriozisht. Ndaj Kenedi këtë e shndërroi në një maksimë sa politike aq edhe sociale me shprehjen: demokracia pa dije është e rrezikshme! Në këtë Vendin tonë, mungesa e kulturës politike është sa e trashëguar aq është edhe e lulëzuar në terrenin tonë të demokracisë.
Qytetarët, si edhe 100 vjet më parë, janë ende larg të kuptuarit të konceptit të lirisë. Kjo ndodh se lirinë ne e kemi kuptuar dhe e kuptojmë si një liri tonën të brendshme, që buron nga e drejta jonë individuale, pa marrë parasysh të drejtën e përgjithshme, të drejtën publike. Kjo e ka shpjegimin e vet historik. Perandoria Osmane përcolli te qytetarët ballkanas idenë se “toka e zënë me shpatë është e ligjshme”. Ndërsa “komunizmi” këtë e kaloi në ekstremin tjetër, edukimin me idenë “asgjë nuk është individuale, gjithçka është e askujt”! Të dyja këto këndvështrime politike bënë që kuptimi ynë për demokracinë të dilte përtej çdo përfytyrimi ligjor. Lirinë e konceptuam kështu, thjesht si liri për të thënë e bërë gjithçka që dëshirojmë. Politika, arsimi, media dhe të gjithë aktorët e tjerë, që duhet të angazhoheshin për të mos e lënë këtë gjysmëdije mbi lirinë të kthehej në model, heshtën. Sot gjendemi sërish në një udhëkryq me po të njëjtët aktorë, që vazhdojnë të punojnë negativisht për dijen e kulturën e popullit.
A e ka lënë politika qytetarin të pakulturuar? Përgjigjja ime është e prerë Po. Sepse ata që u morën me politikë, si në të kaluarën e largët dhe në të sotmen e përditshme në shumicën e herës, kanë qenë gjysmakë të dijes politike. Dhe këta gjysmakë, që përcollën politikën e tyre gjysmake në një popull të pakulturuar, sigurisht i bënë vendit dëmin më të madh. Sot Parlamenti përfaqëson një nivel, ndoshta edhe më të ulët nga niveli i popullsisë, që gjithsesi ka lëvizur e ka parë si funksionon bota demokratike Nga ana tjetër kemi një qeveri që flet bukur, por që ngurron të veprojë. Qeverisja e sotme ka pasur së paku 8 vite të përgatitej për këtë qeverisje, por duket edhe ajo vuan nga sindroma “unë i di të gjitha!” Të dy krahët e politikës shndërrohen kështu në rrethin vicioz të gjysmëdijes politike. Po anashkaloj ligjërimin politik që është ndoshta i vetmi i këtij lloji në botën moderne që barazvlerësohet me fluksin kulturor. Nuk mjafton të kesh mbaruar në universitete të botës, nuk mjafton as të mbash tituj e grada, por është e nevojshme të orientohesh politikisht! Nuk mund të ketë europianizim të vendit nëse elita politike nuk është e bashkuar në këtë qasje, nuk e kupton këtë nevojë dhe nuk vepron për ta realizuar atë! Puna është se ne nuk e edukojmë dot politikën, por popullin kemi detyrë ta edukojmë. Ndaj demokracia ka krijuar mundësi të mëdha për të realizuar një edukim të shëndetshëm të njerëzve. Media e ka një rol të tillë në demokraci. Në të gjithë botën e qytetëruar media ka luajtur e luan rolin e vet jashtëzakonisht të rëndësishëm në krijimin e modeleve të reja, dhe në goditjen e modeleve që cenojnë interesat publike, e kombëtare. Media jonë çuditërisht nuk ka ndryshuar shumë nga koha kur Konica shprehej: Gazetari që kujton se thashethemi i tavolinës përbën lajm, gazetarë që për shkak të paaftësisë së tyre personale shpifin e shajnë, sepse kjo është gjëja që nuk do aspak mend e profesionalizëm, i bëjnë dëmin më të madh popullit! Media jonë, në një përqindje të konisderueshme është gjysmake në të gjitha drejtimet; në profesionalizëm, në filozofi, në varësi politike etj. Modeli që sot media e shet për bashkëkohor është modeli më anarkist i një shoqërie që nuk kupton caqet e lirisë dhe nuk ndien peshën e ligjit. Modeli i antivlerës, modeli i paragjykimit, modeli i përçarjes sociale dhe i lirisë si anarki, është modeli më i pëlqyeshëm i një masmedie, së cilës i mungon profesionalizmi. Në këtë këndvështrim media jonë sot po rreshtohet në krah të politikës dhe në dëm të kulturës së popullit dhe të ardhmes së vendit. Unë nuk gjej dot një kauzë që media e ka bërë të sajën për të ngritur shoqërinë në këmbë. Dhe Vendi ynë ka kauza plot. Korrupsioni, droga, krimi i organizuar nuk do të mund të luftohet kurrë, nëse media nuk do t’i ketë kauza të sajat, jo me synim politik, por me synimin e saj fisnik: transparencë, ligjshmëri dhe kulturë të transmetuara në një model!
Arsimi mbetet padyshim një instrument i fuqishëm i edukimit të njerëzve me dije, me kulturë e me modele bashkëkohore. Unë shpresoj shumë që në Vendin tonë, revolucioni në arsim të fillojë nga fëmijët e çerdheve me një edukatë tjetër, me një dije të qëndrueshme, që të mos shndërrohen në gjysmakë, që dinë “gjithçka” e flasin “për gjithçka”. Por nëse edhe në arsim ne do të mbetemi në reforma, që shtojnë zhele (arna), por nuk zgjidhin problemin, nëse do të vazhdojmë të bëjmë sikundër thoshte dikur Konica: “Të merremi me hollësira dhe t’i largohemi të përgjithshmes”. Nëse nuk arrijmë të kuptojmë problemet e mëdha që kanë të bëjnë me gjysmakët në arsim, edhe pas 50 vitesh ne do të flasim me po këtë gjuhë. A nuk po flasim dhe sot me gjuhën e mendjeve të ndritura të shqiptarëve gati 100 vite më parë?