Translate

Reklama

Monday, April 28, 2014

APSOLUTISHT,AMA JO NË KUPTIMIN APSOLUT!!!

Çdo 1 Maj, gjithë bota është në ditë proteste dhe revolte, ndërsa në vendin tonë organizimi punëtor nuk duket pothuajse gjëkund. Po cilat janë arsyet?
Mos vallë këtu nuk ka punëtorë, dhe në këtë rast pyetja do të ishte e pavlefshme?! Afërmendsh këtu ka punëtorë sepse këtu ka të pasur dhe ka pronarë, dhe ata duken sheshit, duken kudo, dhe atje ku ka të pasur patjetër që ka edhe punëtorë; po këtu ka edhe politikanë karriere (123 vetë ndoshta, që po të mbledhësh pasurinë e tyre ia kalon pasurisë së gjithë pjesës punëtore të popullsisë (ky mund të jetë spekulim!). Po nga e gjetën gjithë këtë pasuri këta politikanë karriere, vetëm nga rroga, dietat dhe shpërblimet e ligjshme? Apo mos janë të lidhur me klanet e biznesit, monopoleve, lejeve të ndërtimit, emërimeve të gjykatëse e prokurorëve, apo edhe emërimet 3000-5000 euroshe të mësuesve, infermierëve e policëve, trafikun e drogës e të votës, e të tjera, e të tjera? Po, dhe pa shumë shkencë, politikanët e karrierës janë pasuruar me djersën e punëtorisë. Nëse, djersa e punëtorëve në periudhën e fund shekullit të kaluar – dhe duhet ta themi me zë të lartë që ishte nje farë TOTALITARIZMI – vajti për ndërtimin e çerdheve, kopshteve,shkollave, universiteteve, instituteve, akademive, teatrove, muzeve, fabrikave dhe uzinave, rrugëve, hekurudhave, hidrocentraleve, por edhe burgjeve ku e pësonin sa e sa të pafajshëm, e të tjera e të tjera, sot, një pjesë e mirë e djersës punëtore – dhe duhet ta themi edhe këtë, po ashtu me zë të lartë, madje edhe më të lartë meqenëse i përket të sotmes dhe të nesërmes – shkon për pasurimin marramendës të një klani politiko-biznesor-mafioz, në kurriz të mbetjes përherë i varfër dhe i kërcënuar çdo ditë për të ardhmen e jetës së fëmijëve. Sot punëtori nuk ka as shpresë e as ëndërr… dhe jam i bindur për këtë, se mund thoni që po spekuloj. Pyesni punëtorët, pyetini për të nesërmen.. dhe me gjasë nuk keni për të marrë përgjigje, sepse e nesërmja nuk ekziston në kokën e tyre – sot, vetëm sot, sot për sot, shyqyr Zotit që jemi gjallë – dhe kur e nesërmja nuk ekziston as në mendim, as në iluzion, vërtet që kjo është një krizë shumë më e madhe se një krizë morale e shoqërisë apo financiare e ekonomisë, kemi të bëjmë me një krizë të shpresës. Thonë që shpresa vdes e fundit, por këtu, me sa duket, shpresa ka vdekur që moti njerëz!
Sot, në paradën iluzioniste të teknologjisë shohim përditë modelet e suksesit të pronarëve ,politikanëve, artistëve dhe stilistëve, masazherëve dhe kirurgëve plastikë, edhe të atyre që me shumë zotësi fituan një skedinë. Sot, ne nuk shohim punëtorët, kur këtu ka punëtorë e punëtore, që, “porsi Zoti”, na japin bukën e përditshme, dhe nuk është fjala vetëm për bukëpjekësit, por për shumë e shumë të tjerë, edhe pse shkalla e papunësisë është në kufijtë e trishtimit shoqëror; ka mijëra vajza e gra që punojnë në butiqe, që mbajnë familjen me bukë dhe burrin me tallona skedinash ne duar, ka qindra studentë që punojnë si kamerierë, për të paguar tarifat e kripura të shkollimit dhe strehimit, ka mijëra punëtorë ndërtimi që piqen në diellin zhuritës te korrikut pa marrë paga për muaj me radhë; ka shoferë , punëtorë në fabrika tullash, mishi, vezësh, qumështi; ka punëtorë të administratës shtetërore, në hijen e shefave që nuk pjerdhin as për familjet e njerëzve që hedhin në rrugë, e as për statusin e nëpunësit civil; ka mësues e infermierë, ka policë etj, të gjithë duhet ta mbajnë gojën mbyllur, dhe gradulaisht, kur e mban gojën mbyllur, fillon të ikën edhe mendimi, ose grumbullon mllef përbrenda, deri në luftën finale, që gjithsesi nuk është fatale; ka punëtorë në sektorin e shërbimeve private, banka e kompani celularësh, që janë celula të fitimi multimiliardësh, ka punëtorë në qendra tregtare, kazino e skedina, dhe këtu nuk duhet as një e rënë e lapsit për të të hequr nga puna, sot mjafton edhe një sms, teknologji e inovacionit, po ne e meritojmë statusin e anëtarit, të paktën letrat t’i kemi në rregull.
Dikush do të thotë që këtu nuk ka organizim punëtor se na mungon tradita. Po mirë, si zhvillohet shoqëria atëherë – hidhet një i dytë – vetëm duke mbetur besnik i traditës, apo duke e tradhtuar atë, duke shpikur të renë? Dhe sot, e reja quhet: organizim punëtor!
Duhet organizim punëtor, e shpjeguar ideologjikisht sipas parullës së famshme “çlirim punëtor, çlirim shoqëror”.
Po jo ore, e ke gabim – thotë më pesimisti – sot punëtori është skllav, skllav, megjithëse ndoshta ka një shtëpi, një makinë (më fatlumi nëpunës ndër ta) dhe një celular. Shtëpinë, mund të ketë pasur fat ta trashëgojë, apo një i shtresës sipër-sipër-sipër të mesme të ketë marrë kredi, dhe nuk e kam fjalën për kreditë e buta që marrin politikanët dhe fisi e klientela e tyre, por e kam fjalën për kreditë 10-përqindëshe që të robërojnë gjithë jetën në vendin e punës, punë që të duhet domosdo, se po humbe punën, ke humbur dhe shtëpinë; sot ka edhe polici private për këto punë, dhe së shpejti edhe burgje private…allellujah.
Dikush do thotë, se mungon organizimi, se pasiguria për punën, dhe për pasojë edhe për jetën, është shumë e madhe, shumë e madhe, e madhe shumë, shumë e madhe, e madheeeeeeeeeeeeeeeeeeee…
Po si dilet nga ky rreth? Duke pritur vetemancipimin dhe vetëndërgjegjësimin e pronarëve dhe politikanëve? Apo duke iu dalë në ballë atyre, sot për sot, por edhe sot për nesër?
Dikush do thotë se nuk ka organizim punëtor ngaqë nuk ka sindikata. Por jo, do hidhet një tjetër dhe do thotë që ka sindikata. Dhe kjo është e vërtetë, në vendin tonë ka sindikata.
Po mirë do thotë një tjetër, paska sindikata, po a funksionojnë ato? Dhe këtu ndërhyn punëtori i radhës: xhi ije tu fol?!
Hidhet një i tretë: po ato janë të korruptuara bre vëlla!
Si, të korruptuara, prej kujt, edhe pse ?
Po janë vegla të politikës, thotë i katërti bre, po janë të shitura te pronarët ose drejtpërdrejt, ose nëpërmjet shitjes së politikës tek pronarët e monopoleve…nuk bëhet ky vend, duhet me ik dhe pikë.
Dhe i fundit hidhet dhe thotë, mjaft, pushoni, që të gjithë… diku kam lexuar që “nëse ka shpresë, ajo duhet të gjendet tek punëtorët”!
Po, të ngjallim shpresën e punëtorëve, dhe kjo nuk është një fjalë goje!