Në një situatë ku euforia po zbehet, por është rritur represioni shtetëror dhe mashtrimet mediatike, njerëzit në Bosnje dhe Hercegovinë po zhvendosen nga protesta në rrugë drejt mbledhjeve në plenume apo asamble popullore. Këto plenume synojnë rimarrjen e pushtetit nga populli: partitë politike janë të përjashtuara prej tyre.
Ndërkohë shteti i BH ka blerë 10000 fishekë gome për t’i përdorur kundër kryengritjes së radhës (1 në 90 goditje me fishekë gome mbetet i vrarë dhe 17 të gjymtuar).
J. Sharçeviç, Sarajevë: “Drejtësia ka nevojë për ndryshime radikale. Nuk ka dhimbje më të madhe për dikë sesa pamundësia për të ushqyer fëmijët e tij edhe pse ai zgjohet çdo mëngjes për të punuar në fabrikë apo në pyll për pak të holla. Këtë krizë e shkaktuan biznesmenët vendas, njerëz të cilët e përdorën kombin dhe fenë për të qeverisur duke lënë në varfëri popullin e këtij vendi”.
“Makineria gjigante shtetërore përforcohet nga nacionalizmi, korrupsioni, nepotizmi dhe oportunizmi, dhe me gjasa do t’i rezistojë çdo lloj ndryshimi dhe për ca kohë,” shprehet një nga pjesëmarrësit në plenumin e Tuzlës. Kjo është arsyeja se pse partitë politike ndalohen të marrin pjesë në asambletë popullore. Plenumi i Tuzlës kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare dhe atyre vendore sa më shpejt të jetë e mundur “për të ndaluar elitat politike të rimarrin popullaritetin e humbur dhe rivendosjen e lidhjeve kriminale, si dhe për t’i ndaluar ato të frenojnë liritë e individëve ndërkohë që i drejtojnë kundër vullnetit të tyre.”
Edhe pse protestuesit e Bosnje dhe Hercegovinës kanë fituar admirim botëror për luftën klasore që po bëjnë, ata po dënohen gjithnjë e më shumë si “terroristë” nga shteti i tyre. Ndërsa pjesëmarrësit në plenumin e Sarajevës kërkuan investigimin e policisë për ndërhyrjen brutale dhe abuzimin e bërë ndaj protestuesve të 7 shkurtit, gjykata e rrethit të Sarajevës asistoi në represionin kundër disidentëve dhe urdhëroi rrjedhjen e informacionit në mënyrë që policia të shtinte në dorë të gjitha materialet video nga protesta. Banorë të Tuzlës shprehen pa pendesë për zjarrvënien e ndërtesave qeveritare: “Duhet t’i kishin lënë të digjeshin. Njerëzit janë të uritur.”
Po rritet ndjeshëm numri i pjesëmarrësve nëpër plenume – rreth 1000 vetë qëndruan në shi gjatë plenumit të Sarajevës pasi salla ishte shumë ë vogël për t’i nxënë të gjithë. Po aq morën pjesë edhe në Tuzla, me qindra në Mostar dhe në qytete të tjera gjithashtu. Pas pritjes me orë të gjata në shi, plenumi i Sarajevës vendosi që kantoni dhe qeveria federale duhet të japin dorëheqjen.
Në këto plenume në mbarë vendin njerëzit diskutojnë për përfshirjen e tyre në komunitetin ku jetojnë. Gjatë plenumit të dytë në Tuzla pjesëmarrësit folën për përditshmërinë e tyre në jetë e në punë, duke na ofruar një këndvështrim depërtues mbi arsyet që e bënë djegien e ndërtesave qeveritare të dukej ide e mirë për shumë prej tyre. Ata na paraqesin jetën e popullit të Bosnje dhe Hercegovinës, që ngjason edhe me atë të shumicës së vendeve në Evropën Lindore.
Plenumi në Tuzla: “Qeveria e re nuk do të sjellë asgjë të re, thjesht do të na shpjerë nga një kafaz në tjetrin”.
Emina gjatë plenumit të dytë të mbajtur në Tuzla flet për sindikatat e punëtorëve: “Shumë njerëz i akuzojnë sindikatat e punëtorëve për gjendjen në të cilën ndodhen fabrikat sot. Sindikatat në vend që të dëgjonin punëtorët, mbronin interesat e kompanisë pasi drejtuesit e tyre ishin njerëz të blerë. E njëjta gjë ndodhi edhe me fabrikën Dita dhe sindikatën “Yellow”. Këta njerëz u distancuan ditën që populli u hodh në protestë, ndërkohë që sot duan të jenë grupi i cili do të negociojë me parlamentin. Unë nuk mund të lejoj që të më përfaqësojnë njerëz që dje më shitën. Unë dhe një grup i madh punëtorësh propozojmë ngritjen e një sindikate të pavarur për kantonin e Tuzlës ku të ndalohet pjesëmarrja e sindikatës “Yellow”. Unë më tej dua të inkurajoj kolegët e mi punëtorë që të mos heshtim më, por të ngremë zërin. Ne duhet të tregohemi të vendosur, guximtarë dhe t’i gjendemi pranë njëri-tjetrin.”
Një tjetër pjesëmarrës, Armir Sisiçi, flet në lidhje me kushtet e punës: “Unë shpresoj që së shpejti të hapim një stacion televiziv, ose të paktën një stacion radioje ku politikanët të mos jenë lajmi kryesor. Ne mund të grumbullojmë fonde për të ngritur një vend ku të flasin njerëzit e thjeshtë për t’i dhënë zë përvojave të padrejta nga vetë ata që i pësojnë ato, e tillë qe historia që një profesor ndau me ne për presionin që duhet të duronte nga eprori i tij nga frika e humbjes së punës. Por histori të tilla ka pa fund dhe ato duhet të denoncohen. Populli është ai që duhet ta thotë fjalën e fundit.” Deri tani dy parlamente vendore kanë shprehur mbështetjen ndaj kërkesave të votuara nga plenumet popullore – parlamenti i kantonit të Tuzlës dhe i kantonit Zenica-Doboj.
Kërkesat e plenumeve popullore janë realiste.
“Ne jemi duke pritur formulimin e më shumë kërkesave, por mënyra e re e funksionimit të plenumit duhet të përqendrohet edhe në implementimin e tyre. Personalisht, jam i ngazëllyer nga mundësia për të qenë dëshmitar në këtë shprehje të lirisë qytetare,” përfundoi A. Mujkiç, profesor i Universitetit të Sarajevës gjatë plenumit të dytë popullor në Sarajevë.
Qytetarët gjatë plenumit kërkuan: ngritjen e një qeverie jopartiake të përbërë nga teknicienë të cilët duhet t’u raportojnë qytetarëve një herë në disa javë; inspektimin financiar të privilegjeve qeveritare (politikanët marrin deri në 20000 euro në muaj); inspektimin e procesit të privatizimit të ndërmarrjeve në kantonin e Sarajevës; si dhe investigimin e pavarur të protestës së 7 shkurtit kur ndërtesave qeveritare iu vu zjarri. Këto katër kërkesa u përzgjodhën nga 200 të propozuara gjithsej nga pjesëmarrësit në plenum, të cilat do të rihidhen për diskutim përsëri në asambletë e ardhshme.
Njerëzit në Bosnje dhe Hercegovinë e dinë se ç’kërkojnë dhe më poshtë shpjegohet se: “Një qeveri teknike, e përbërë nga ekspertë jopolitikë, anëtarë të pakompromentuar, të cilët nuk kanë pasur asnjëherë pozicione qeveritare”, mund të duket naïve për këdo që e njeh përvojën e qeverive teknike neoliberale me përfaqësues të pazgjedhur nga populli si në rastin e Italisë apo Greqisë, mirëpo kjo shihet nga protestuesit si qeveri e përkohshme për të arritur në zgjedhje. Kërkesat për raportimin periodik përpara qytetarëve të interesuar për punimet e qeverisë dhe zhvillimeve të ndryshme – përkundër eksperiencës së dekadave të fundit në drejtimin e shkëputur dhe arrogant të tri fraksioneve etnike të oligarkisë boshnjake – tregon një përparim në këtë drejtim, i cili përforcohet së tepërmi me bashkëngjitjen e kërkesave për një program social. Pas dekadash të vrullshme neoliberale, si në nivelin ideologjik ashtu edhe në atë praktik, ngritja e kërkesës për t’ua rikthyer fabrikat e privatizuara punëtorëve mund të jetë një pikë fillimi.
Dëshmi nga rebelimi i popullit të Bosnje dhe Hercegovinës
Një ish-punëtor i industrisë tekstile në Sarajevë tregon për organizimin në protestën e Tuzlës: “Kjo kryengritje duhet të kishte ndodhur dhjetë-njëzet vjet më parë, kur fabrikat dhe pemët filluan të zhdukeshin dhe punëtorët u lanë pa asnjë mundësi mbijetese. Sot ata nuk kanë zgjidhje tjetër përveç djegies së ndërtesave qeveritare.
Përgjatë lumit Drina, 350 km larg Krushevacit, të mërkurën e 5 shkurtit disa qindra punëtorë dhe qytetarë të Tuzlës u mblodhën në protestë përballë ndërtesës së kantonit të Tuzlës. Kjo protestë do të ishte shpërndarë si gjithë të tjerat, me autoritetet të cilat do përpiqeshin ta manovronin situatën duke premtuar një zgjidhje të shpejt. Por diçka e papritur ndodhi atë ditë, diçka përballë të cilës autoritetet u gjendën të papërgatitura: Protesta fitoi mbështetje masive.
Si një forcë e natyrës, punëtorë të tjerë, të papunë dhe studentë vërshuan rrugëve në solidaritet me luftën kundër sistemit që i vodhi dhe keqpërdori ata. Ata vendosën të luftojnë kundër padrejtësisë sociale. Ajo që ndodhi më vonë ishte ndërgjegjësimi i gjithë popullit të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe përhapja e rebelimit nëpër të gjithë vendin.
Ngjarjet në Bosnje dhe Hercegovinë janë leksioni që duam të japim. Ato janë provë e fuqisë së klasës punëtore kur organizohet dhe godet si një gusht i vetëm. Ato tregojnë gjithashtu për frikën e strukturave politike përballë unitetit të klasës punëtore. Unë nuk dua të nënkuptoj asnjë gjë, madje as nuk do të zgjatem për varfërinë, papunësinë, ngacmimet, shfrytëzimin, korrupsionin, vjedhjet etj. Jo, unë kam vetëm një pyetje për ju: Sa të uritur jeni?”
Mensud Greboviç, ish-punëtor i fabrikës POLIHEMA: “Nuk duhet të habiteni që rebelimi nisi në Tuzla. Kantoni i Tuzlës ishte ndoshta më i fuqishmi në ish-Jugosllavi për sa i përket prodhimit dhe industrisë së rëndë, dhe tani është thuajse i rrënuar. Imagjino sa prej nesh kanë përfunduar në rrugë dhe nuk gjejnë punë që atëherë! Si jetoj? Mbijetoj me pensionin prej 308 markash të time mëje. Kam punuar plot 27 vjet.
Mesazhi historik: “Ndjekja e plenumeve popullore.”
Bosnja dhe Hercegovina është duke i dhënë një leksion të gjithëve – djepin e demokracisë – pamjen reale të demokracisë dhe mënyrës se si duhet të funksionojë ajo. Nuk është në letra, apo në panele OJF-iste, as në konferenca të financuara por shterpe, është reale dhe faktisht ndodh rrallë. Kësaj radhe mundet vërtet t’i bëjë qytetarëve të Tuzlës, Sarajevës, Mostarit, Zenicës dhe shumë qyteteve të tjera të vendosin për vete.
Demokracia në BH ditëve të fundit nuk nënkupton parti politike, apo politikanë (ata janë të përjashtuar nga asambletë publike), nuk nënkupton teknokratë me kostume neoliberalësh, nënkupton një zë dhe një mandat. Një vendim i marrë nga poshtë që u transmetohet delegatëve për t’u aplikuar ose përçuar më tej drejt aplikimit të tij nga instancat më të larta. Për momentin nuk ka kushte të tjera të cilave duhet t’u nënshtrohet ky mandat, por gjithsesi është një hap i rëndësishëm. Njerëzit nuk janë më thjesht votues dhe taksapagues: ata janë vendimmarrës të vërtetë.
Atë që po e jeton Bosnja dhe Hercegovina ditët e fundit BE nuk e ka pasur kurrë më parë (ndoshta pak javë në Paris më 1968). Ndërkohë që populli i BH i jep mësime botës mbarë rreth demokracisë direkte, BE shkatërron çdo liri civile në Spanjë dhe komodifikon jetët e qytetarëve në vende të tjera. Populli i Bosnjës dhe Hercegovinës nuk duhet të presë që të përfaqësohet nga ndonjë lider. Ata nuk duhet të ndihen inferiorë ndaj dikujt apo fajtorë për djegien e disa ndërtesave imperialiste të cilat gjithsesi nuk i honepsnin. Ata duhet të punojnë me njëri-tjetrin që ta bëjnë të mundur, pasi askush më mirë sesa ata vetë nuk di ç’është më e mira për ta. BE nuk do t’ia dijë për demokracinë, interesi i tyre i vetëm është përfitimi. Ndoshta duhet të dalë dikush e t’u thotë: “Kthehuni mbrapsht! Uluni! Mbylleni gojën! Na lini të vendosim vetë! Ne nuk jemi të interesuar.”