Koronavirusi është shndërruar në problemin më të madh të momentit kudo ku ka “hedhur farën” e tij. Shpejtësia e përhapjes së tij, edhe pse numri i të vdekurve është i ulët në raport me numrin e të prekurve, mbetet sfida e çdo vendi. Aq sa edhe një vend si Italia – ekonomia e tetë më e madhe e botës – nuk po ia del ta vërë nën kontroll.
Raportimet e mediave nga atje flasin për bilanc lufte me numra të frikshëm dhe trishtues të vdekurish. Ndërkohë numri i përgjithshëm i të infektuarve sa vin e shtohet. Gjendja në vendet tjera të BE-së nuk duket më mire, edhe atje dita ditës po rritet numri edhe i të vdekurve edhe i të infektuarëve.
Për shkak se një pjesë e qytetarëve të RMV-së jetojnë dhe punojnë në këto vende (Itali), por dhe të neglizhencës – individuale dhe qeveritare, (siç ishte rasti me qytetin e Dibrës dhe Qendër Zhupë), nuk u desh shumë që virusi të mbërrinte edhe në vendin tone. Diçka e pritshme sa kohë qeveria jo vetëm që nuk mbylli kufirin të paktën me Italinë, por as i testoi ata që erdhën prej andej – të cilët me shumë mundësi po “arratiseshin” nga pandemia. Vetëm shfaqja e Pacientëve të parë– e detyroi qeverinë të merrte masa. Në fillim të pamjaftueshme e së fundmi tërësisht qesharake.
Nuk mund të jetë veçse qesharake të ndalosh me fasha orare daljen jashtë të qytetarëve, a thua se në orare të caktuara rrezikojmë të infektohemi e në disa të tjera jo, a thua se virusi vërejti që ia “lujtëm” tani po ndryshon orën e “sulmit”. Edhe më problematike ka qenë ndryshimi thuajse i përditshëm i fashave orare kur lejohet e kur ndalohet dalja jashtë. Për të mos përmendur pastaj sa kundërproduktive është të ndalosh daljen e secilit nga ne, qoftë dhe me orare, por jo të punëtorëve.
Brenda disa ditëve u ndalua qarkullimi ndërqytetas, u mbyllën linjat e transportit publik, institucionet, kafenetë, restorantet, diskot, pub-et e club-et. Por jo edhe disa veprimtari tjera ku nuk prodhohen të mira bazike.
Edhe pse paraqesin rrezikshmërinë më të lartë të mundshme për përhapjen e një virusi – me qindra veta punojnë në hapësira të përbashkëta, fare pranë njëri-tjetrit – në sytë e qeverisë ato nuk përbëjnë rrezik. Edhe pse janë me mijëra punëtorë, të cilët shkojnë në fund të ditës në shtëpi, duke rrezikuar mesatarisht edhe nga tre familjarë të tjerë (po ta marrim mesataren e anëtarëve të një familjeje katër veta), për qeverinë nuk përbën rrezik. Afërmendsh qeveria nuk i përkrah punëtorët – ajo mbyll sytë para shtypjes së punëtorëve çdo ditë.
Në vetëm disa javë, numri i të infektuarve është 285 dhe i të vdekurve 7, të paktën zyrtarisht, ndërkohë që janë bërë shumë pak teste. Në një situatë të tillë, ku qeveria nuk ka para për të testuar më shumë njerëz, nuk mund të jesh i sigurt se sa të infektuar mund të jenë realisht – informacione jozyrtare flasin për mijëra të infektuar. Nga momenti i shfaqjes në Itali deri në momentin e konfirmimit të rastit të parë te ne virusi ka “shëtitur” për shtatë palë qejfe.
Pacientët e parë kishin kohë që ishte kthyer nga Italia në momentin që u provuan dhe dolën pozitiv, kishin realizuar kontakte me dhjetëra persona të tjerë, me shumë mundësi edhe infektuar, duke pasur parasysh shpejtësinë e përhapjes, poashtu edhe rasti i pafalshëm i drejtoreshës së klinikës së sëmundjeve të lëkurës në Shkup e cila poashtu kishte realizuar kontakte të shumta me qytetarë në vende të ndryshme.
Përveç kësaj – meqenëse qeveria nuk ka një plan konkret për ndalimin e përhapjes së epidemisë si –ngujimi dhe testimi i të gjithë banorëve; furnizimi me ushqime, ilaçe dhe produkte higjenike – dalja për pazar me vetëm pak orë kohë ne dispozicion, jo vetëm që nuk e ndalon përhapjen, por e ndihmon më atë. Njerëzit detyrohen të rrinë në radhë për të bërë furnizimet e nevojshme.
Si të mos mjaftonte paaftësia për të vënë situatën nën kontroll, qeveria po bëhet çdo ditë e më shumë agresive, një ditë nuk do të ngurrojë të nxjerrë edhe ushtrinë rrugëve – a thua se ushtarët me armë në dorë do ta trembin virusin për të na “çliruar” përfundimisht nga ky armik – dhe rrjedhimisht duke ngjallur ankth e parehati të shtuar te qytetarët. Nuk mungojnë as kërcënimet për dhunë ndaj atyre që nuk respektojnë oraret me shembuj të policisë spanjolle, gjasme, që ndjek dhe rreh qytetarët për t’i mbajtur larg rrugëve.
Ndërkohë spitalet vazhdojnë të mos kenë kapacitetet e duhura për të përballuar një përkeqësim të mundshëm të situatës; paçka se nuk po punojnë nuk ka ende një amnisti të faturave dhe qirave për familjet e atyre që mbetën pa punë; të varfrit “e zakonshëm” që trajtohen me ndihmë ekonomike nuk po marrin ndonjë ndihmë shtesë për të përballuar karantinën, edhe pse dihet se mund të kenë pak ose aspak kursime. Romët,(por jo vetëm ata) që të vetmin burim të ardhurash kanë shitjen e kanoçeve që mbledhin nëpër koshat e qyteteve, nuk po trajtohen me ndihmë pavarësisht se nuk po lejohen të vazhdojnë “punën” si zakonisht. Pronarët e bizneseve të vogla, të detyruar t’i mbyllin bizneset e tyre, rrezikojnë të falimentojnë gjatë kësaj periudhe, ndërkohë që paguajnë qiratë pa punuar, ose do të detyrohen t’i mbyllin ato, duke lënë hapësirë të lulëzojnë bizneset e mëdha të oligarkëve nesër.
Një krizë si kjo kërkon menaxhim serioz, shumë larg sharlatanizmave të pushtetit, por edhe të opoziitës, që kalojnë kohën në live video dhe konferenca për shtyp duke dhënë urdhra sa qesharake, aq edhe të rrezikshme. Kjo krizë kërkon mbledhje të menjëhershme të parave nga oligarkët në formën e një takse të jashtëzakonshme që të garantohet rritja e kapaciteteve spitalore, karantimi i plotë dhe përballimi i nevojave të të gjithëve. Kërkon, padyshim, edhe mbylljen e të gjitha vendeve të punës, me përjashtim të atyre që prodhojnë dhe kryejnë shërbime jetike për shoqërinë. Përndryshe mund të përballemi me një skenar edhe më të tmerrshëm se ai i Italisë.