Translate

Reklama

Monday, April 13, 2020

Ku do t’na shpie koronavirusi



Shkruan Agron Shaqiri

Koronavirusi po prodhon një hop solidariteti midis njerëzve të thjeshtë në shumë anë të botës dhe ndoshta po na bën të vetëdijesohemi se të gjithë jemi qytetarë globalë. Afërmendsh, nuk do ta mposhtë koronavirusi neoliebralizmin dhe atomizimin e jetës shoqërore që e ka shoqëruar prej zanafillës.

Këto mundësi na kujtojnë valën e fuqishme të demokracisë radikale që preku pjesën më të madhe të botës nën impaktin e Depresionit të Madh dhe luftës antifashiste – dhe hapat e hedhura nga padronët për t’i përmbajtur dhe shtypur të tilla shpresa. Kjo histori na mëson shumë për ditët e sotme.

Pandemia duhet t’i tronditë njerëzit duke i shtyrë drejt vlerësimit të një internacionalizmi autentik, kuptimit të nevojës për t’i shëruar shoqëritë nga murtaja neoliberale dhe më pas drejt një rindërtimi radikal që shkon deri në rrënjët e kaosit bashkëkohor.

Tani qytetarët e Botës duhet të zgjohen nga mizoria e sistemit të dobët të drejtësisë shoqërore. Nuk është e lehtë.

Pandemia duhet të na zgjojë për të kuptuar se në një botë të drejtë gardhet shoqërore duhet të zëvendësohen me lidhje shoqërore, ideale këto që datojnë prej iluminizmit dhe liberalizmit klasik. Ideale që i shohim të realizuara në mënyra të ndryshme. Kuraja dhe vetëmohimi mbresëlënës i punonjësve shëndetësorë është një nderim frymëzues i burimeve të shpirtit njerëzor. Në shumë vende po formohen bashkësi të ndihmës reciproke për t’u siguruar ushqim nevojtarëve dhe ndihmë e mbështetje të moshuarve dhe të pamundurve.

Ky është vërtet “një hop solidariteti midis njerëzve të thjeshtë në shumë anë të botës dhe ndoshta po na bën të vetëdijesohemi se të gjithë jemi qytetarë globalë”. Sfidat janë të qarta. Po ato mund të tejkalohen. Në këtë moment të zymtë të historisë njerëzore ato duhen tejkaluar. Përndryshe historia do të ketë një fund të palavdishëm.