Translate

Reklama

Saturday, March 28, 2020

A do të jetë më e fortë Evropa, pas pandemisë së koronavirusit?



Roza Balfur, anëtare në programin e Evropës në “German Marshall Fund”:

Evropa jo vetëm që mund të bëhet më e fortë pas pandemisë së koronavirusit. Por ajo ka një përgjegjësi globale për ta bërë këtë. Çdo ditë, evropianët po tregojnë se solidariteti dhe zgjuarsia mund të jenë transformuese.  Përveç disa rasteve të budallallëkut të daljes së njerëzve shëtitje në turma, shumica e evropianëve janë fizikisht të distancuar nga njëri-tjetri, duke ofruar mbështetje ndaj njëri-tjetrit, dhe duke shpikur mënyra të reja të jetesës.

Kjo do të jetë edhe baza për ringritjen e ekonomisë evoprine nga recesioni:më shumë dixhitale, politika të gjelbra, dhe më një barazi shumë më të madhe, pasi pandemia do të ketë treguar se sa të brishta janë shoqëritë e pabarabarta. BE-ja duhet që ta mbështesë transformimin e ekonomisë në eurozonë.

Ndërsa në nivelin global, Evropa duhet të udhëheqë reagimin kundër gjeopolitikës së koronavirusit. Vetëm bashkëpunimi ndërkombëtar dhe institucionet e fuqizuara globale, bashkë me shoqëritë e qëndrueshme, mund të jetë efektiv në luftën kundër kësaj pandemie.

Stefën Busher, themelues i “Dreamocracy”:

Evropa do të jetë më e forte, vetëm nëse e shfrytëzon këtë pauzë të detyruar, për të pasur më shumë reflektim kolektiv mbi institucionet tona. Qeveria franceze, ka ngritur pak kohë më parë një konventë të qytetarëve mbi çështjen e ndryshimit të klimës.

Po sikur ajo të përfitonte nga pezullimi i detyruar i debateve parlamentare, për të diskutuar online me qytetarët reformën e diskutueshme të pensioneve dhe të kujdesit për të moshuarit? Po sikur bashkitë, rajonet dhe vendet e Evropës, të organizonin debate për të nxjerrë mësime dhe ide të mira nga kjo situatë e jashtëzakonshme?

Po sikur të ftojmë qytetarët në Parlamentin Evropian, ku ata të ndajnë idetë e tyre mbi çështje madhore, siç kemi sugjeruar së fundmi ? Në kushtet kur të gjithë jemi tepër imunë ndaj ndryshimit – siç theksohet nga psikologu i Universitetit të Harvardit Robert Kegan – në duhet të sfidojmë arsyet më të thella pse jemi të lidhur pas një stili jetese të paqëndrueshëm. Evropa mund ta kapërcejë këtë krizë, nëse ne jemi të gatshëm të sfidojmë mekanizmat tanë imunitarë.

Fransua Heisburg, këshilltar në Institutun Ndërkombëtar për Studime Strategjike:

Ne jemi vetëm në fillim të një pandemie, evolucioni i ardhshëm i së cilës mbetet i pasigurt. Me trefishin e numrit të vdekjeve që pati Kina, vendet e BE-së nuk kanë gjasa të jenë në gjendje të heqin karantinën në më pak kohë sesa provinca kineze e Hubeit. Dhe kjo, duke supozuar të mos kemi një valë të dytë.

BE-ja mund të forcohet, vetëm nëse shfaq virtyte që janë të rëndësishme për të përballuar këtë situatë të rëndë. Kultura teknokratike e Bashkimit Evropian, mund të shfrytëzohet për plotësimin e kërkesave të ekonomisë së komanduar, të krijuara nga kushtet luftarake.

Në luftë, efektiviteti është thelbësor. Dhe Bashkimi Evropian është i aftë në hartimin e programeve të mëdha, të cilat do të duhen për rimëkëmbjen ekonomike pas koronavirusit, edhe pse ajo vazhdon të jetë e shumë e dobët në provimin e dobisë së saj në vijën e parë të emergjencës. Kur Italisë i duheshin urgjentisht maskat ​​dhe ventilatorët, ishte Kina dhe jo BE ajo që i erdhi në ndihmë.

Ben Hoxhs, kreu i Qendrës për Analizën e Politikave Evropiane:

Në teori, po. Por kjo gjë nuk do të ndodhë automatikisht ose domosdoshmërisht. Ne duhet të vazhdojmë ta luftojmë pandemisë, dhe t’i rezistojmë tundimit për të lehtësuar disi masat kufizuese, pasi është ende shumë herët. Prindërit dhe gjyshërit tanë duruan vite sakrificash gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Dhe ne mund të sakrifikojmë për disa muaj. Tani për tani, mund të ndërmarrim disa hapa. Së pari të mendojmë në një mënyrë strategjike. Qeveritë duhet të nisin të diskutojnë që tani për jetën pas kësaj pandemie, ashtu si fuqitë aleate diskutuan dikur mbi botën e pasluftës shumë përpara D-Day.

Ato duhet të dëshmojnë, se mund të mësojmë nga përvoja. Udhëheqësit duhet të marrin përgjegjësitë e tyre, të ndalojnë së fajësuari të tjerët, të pranojnë se ku kanë gabuar, të inkurajojnë të mësuarit dhe inovacionin, dhe ta zbatojnë atë sa më shpejt. Kjo gjë do të rivendosë besimin.

Ndërkohë duhet ndërtuar qëndrueshmëria sociale. Të keë një nxitje të stileve të jetesës së shëndetshme, shpërblim dhe promovim të sjelljeve së përgjegjshme në të gjitha aspektet, si dhe nxjerrja në pah e sistemeve efektive të kujdesit shëndetësor, përkundrejt sistemeve efikase të kujdesit shëndetësor, në mënyrë që këto sisteme ta përballojmë më mirë pandeminë e ardhshme.

Stefan Lene, studiues në think-tankun “Carnegie Europe”:

Ka mundësi, por së pari ajo duhet që t’i mbijetojë kësaj krize. Koronavirusi ka një efekt anësor të keq: egoizmin kombëtar. Shumë qeveri, i mbyllën menjëherë kufijtë e tyre, dhe ndaluan eksportimin e furnizimeve mjekësore përkatëse.

“Secili për vete!”, dukej se ishte qëndrimi dominues, dhe për pasojë Shengen është tani në dyshim, dhe tregu i brendshëm po shfaq shumë shenja të infeksionit. Kohët e fundit, ka pasur akte individuale të ndihmës reciproke midis shteteve anëtare, si transportimi i pajisjeve mjekësore në Itali, dhe çuarja e disa pacientëve francezë dhe italianë në spitalet gjermane.

Por në këtë fazë, këto janë pak më shumë se sa gjeste simbolike. Komisioni Evropian, po përpiqet të inkurajojë menaxhimin e krizave në nivelin e BE-së, por meqë kompetencat kryesore për shëndetin dhe politikën ekonomike u mbeten vendeve anëtare, ndikimi i tij është i kufizuar. Paradoksalisht, është institucioni më teknokratik i BE-së, BQE, programi masiv i të cilit për blerjen e obligacioneve, e bën mëse të qartë se kjo është një krizë e mbarë BE-së, e cila duhet të tejkalohet përmes përpjekjeve kolektive.

Menaxhimi i pasojave ekonomike, do të jetë prova e vërtetë e kohezionit të unionit. Sigurimi i mbijetesës, dhe më vonë rimëkëmbja e vendeve më të prekura, do të kërkojë një nivel të paparë solidariteti midis shteteve anëtare. Nëse BE e përballon këtë sfidë, ajo mund të dalë në fakt më e fortë nga kriza. Nëse jo, mund të mos ketë shumë të ardhme.

Marrë me shkurtime nga Carnegie Europe