Translate

Reklama

Friday, September 13, 2019

Shërimi i zhgënjimit dhe edukimi i besimit

LSDM dhe Zoran Zaev luajtën në një kartë tepër interesante, kapën të gjithë atë që unë do ta quaja elektorat gri, urban, i civilizuar , e vërci-mërci si të doni edhe ju quajeni, por nga këndvështrimi i përkatësisë klasore, mund ta quaj, përsëri unë them, si pjesë e  mikroborgjezisë, ta zëmë, profesionale. Pra, sipas mendimit tim, ky elektorat  janë njerëz që bëjnë punë deri diku të patjetërsuar e të sigurt, me rrogë mesatare e më lartë, janë të mirë-arsimuar dhe që e kanë shumë lehtë që ta shprehin revoltën e tyre në rrjetet sociale, por edhe në kutinë e votimit. Ngritja krye e tyre lind dhe vdes këtu. E pastaj do të rilind, ajo, indinjata e vjetër, mllefi ndaj popullit që s’i kupton, nganjëherë edhe fyerja e tij, dhe pezmi se “nga ky vend duhet ikur një orë e më parë”.

E veçanta e kësaj klase është se pozicioni që ata kanë në shoqëri u atribuohet përpjekjeve individuale. E prej këtu vlerësohet se cilido që punon me veten sikur këta, pra duke mësuar, lexuar dhe kultivuar një sjellje të njëjtë do të kishin të njëjtin rezultat. Këtu e kam fjalën për ata që mendojnë se bota ndryshohet përmes shembullit të mirë! P.sh. ata që mendojnë se po t’i hedhësh mbeturinat në kosh, të njëjtë gjë pastaj do ta bëjë edhe fqiu i tij, e kështu me rradhë…

Kjo nuk është kështu, sepse ja po ti marrim se këto pozicione kanë qenë meritore, nuk mund që t’i anashkalojmë dy faktorë :

Shpeshherë këto pozicione janë produkt i përparësive që shumë syresh kanë pasur në jetë (familje me të ardhura të sigurta, me kapital kulturor, kultivuese të ambicies profesionale, ndjekës të shkollave të mira etj.).
Ç’është më e rëndësishmja, meritokracia tregon vetëm se mbi ç’rregull zihen vendet e lira në këtë teatër, por jo se sa vende të tilla ka.
Shtrirja, të ardhurat dhe mënyra e jetesës së një klase të tillë janë produkt, së pari, i pozicionit periferik të Vendit Tonë në zinxhirin e asaj që quhet kapitalizmit global dhe, së dyti, i shpalosjes së kontradiktave klasore brenda për brenda shoqërisë sonë.

Rrjedhimisht, ideja se të tjerët përreth me pak mund do të gdhihen klasë e mesme është një “bonbone kalamajsh” për mendjen. Ashtu si shoqëruesja e saj se mjafton që ne të japim shembullin e mirë dhe të tjerët, me të na parë nga gjysmëlargësia, do të bëhen sikur ne.

Të mendosh kështu do të thotë të sillesh rreth vetes, pa e parë veten as në pasqyrë dhe as në raport me të tjerët që nuk janë si vetja jote. Të veprosh sipas të njëjtës frymë do të thotë që në njërën anë qëllimet t’i ngresh në qiell, ndërsa në tjetrën mundësitë e realizmit të tyre t’i kesh përtokë. “Populli” do të vazhdojë të të mos kuptojë dhe dora-dorës, nëse nuk dorëzohesh fare, të mbetet vetëm të shpresosh te ardhja e një mbinjeriu që, kushedi për ç’arsye misterioze, ia del të kapë njërën prej partive të mëdha dhe të nisë ndryshimin e shumëpritur. Në mos ardhtë ndonjëherë ashtu , ne do t’u përshtatemi këtyre që kemi, me iluzionin se me mbështetjen dhe kontributin tonë do të bëhen një çikë më të mirë.





Populli, domethënë ajo masë e nënrenditur që mezi nxjerr muajin – nuk ia del dot vetëm. Mundet të nisë vetëm hallkën e parë dhe spontane të organizimit, aty në lagje apo vend pune kur jeta dhe puna bëhen tërësisht të padurueshme. Por ashtu siç marrin zjarr, edhe shuhen. Kushtet e punës dhe të jetesës, si edhe mangësitë që burojnë nga diskriminimi, ua pamundësojnë artikulimin koherent të kauzës, organizimin e qëndrueshëm dhe përfytyrimin e vetes si pjesë e një klase ose lëvizjeje shumë më të madhe se grupi i vogël që reziston. Këtu lind nevoja për të ndryshuar nga vetja, për ata që gjithmonë i kanë parë me skepticizëm a mllef sepse janë ndjerë të përbuzur.

Pra,anëtarët e këtyre klasave të, ngaqë janë të varfër në mjete shoqërore, e kanë të vështirë të mos shkurajohen, të mos e konsiderojnë krejt jetën politike si një allishverish të cilën ia vlen vetëm ta bojkotosh ose t’i marrësh ç’të mundesh aty për aty (ca dhjetëra euro për votë). Ata janë po ashtu të kërcënueshëm nga burokratët e vegjël partiakë që u kanë në dorë dhënien e ndihmës ekonomike, mosprerjen e energjisë elektrike ose tolerimin për të shitur ndonjë ditë shetitoreve të qytetit .

Vetëm kështu, duke u nisur nga poshtë dhe artikuluar interesat bazike të njerëzve, duke u fuqizuar bashkë me ta, edhe ne,  që thurim ëndrra, do të rreshtim së qeni të zhgënjyer dhe zhgënjyes dhe, duke i përshtatur dhe masivizuar idetë tona, do të mund t’i kthejmë ato në atë fuqi të madhe materiale që e transformon këtë botën tonë të vockël.