Translate

Reklama

Sunday, September 22, 2019

'ATI', 'DHEU' dhe rrethi vicioz


Shkruan Agron Shaqiri
I mërzitur në mëndjen time, thelloja dhe trokisja thellë në të duke gërmuar për të gjetur një përgjigje më të mirë për fjalën “AT dhe DHE”. 
Mbaj mend që mësuesi i klasës fillore na thoshte se janë dy fjalë të thjeshta, që po ti bashkojmë formojnë një fjalë të përbërë. Kjo fjalë më ka ngacmuar përherë zemrën time, sa që një herë më bëri që të kap edhe pushkën dhe të bëja jastëk gurin e ftohtë me gjarpërin nën të. 
Por EUREKA, gjeta diçka, tani ti që ke vendosur ta lexosh deri në fund dëgjo mirë dhe reflekto se pastaj mos thuash se nuk e kam ditur!
E di ti se ka njerëz, që kanë lindur në një vend, jetojnë atje gjatë gjithë jetës dhe e quajnë atë vend atdhe. 
E di ti se ka njerëz, për të cilët atdheu është një burg, prej nga ata largohen dhe më së shumti e vizitojnë atë nga ndjenja e detyrimit vetëm në verë, kur edhe kanë pushimet vjetore. 
E di ti se ka njerëz që e humbasin atdheun e tyre dhe detyrohen të arratisen. Këta njerëz nuk kanë privilegjin të vendosin nëse duan të qendrojnë në atdheun e tyre. E atyre që u ecën ters, priten në një vend tjetër nga njerëzit, të cilët duan ta mbrojnë “atdheun e tyre” prej “të huajve” dhe ky vend asnjëherë nuk mund të bëhet atdhe për ta.
A e di ti se poashtu ka edhe njerëz të tillë për të cilët atdheu është një rreth vicioz.Rreth vicioz që i mban ende në jetë sistemet kufomë politiko-shoqërore, aty ku oligarkët shfrytëzojnë punëtorët dhe të mirat e përbashkëta duke u pasuruar në kurriz të tyre, aty ku oligarkët financojnë politikanët, me kusht që këta të fundit të miratojnë ligje që ua lejojnë shfrytëzimin e njeriut dhe asaj që ne e quajmë publike; aty ku oligarkët i mbajnë në pushtet politikanët, e ndërsa politikanët përligjin padrejtësitë e tyre.
Ndërsa njerëzit e atdheut rreth vicioz, bien nga skela, i shtyp makina luksoze, i zë dheu duke hapur kanalizime edhe pse posedojnë diplomë universitare, i vrasin duke blerë bukë për fëmijët, i plasin nëpër burgje me procese gjyqësore të montuara, i detyrojnë të braktisin folenë e tyre, familjen, fëmijët, nuk jua japin pagën, i kërcënojnë deri në kushëriren e shtatë nëse nuk votojnë për ta, ndërkohë që financuesve të tyre dhe të rrethit vicioz u lulëzon biznesi 'zhvatës' miliona eurosh. 
Ata pasurohen ditë për ditë, e njerëzit e atdheut rreth vicioz i vjedhin, i vrasin, i poshtërojnë duke i detyruar të bëhen pjesë e poshtërsisë së tyre, i detyrojnë t'i mbyllin sytë ndaj padrejtësive, me një fjalë ua pijnë gjakun deri në pikën e fundit!
Ja ky është ATI dhe DHEU i dikujt, shyqyr që nuk është kështu ATI dhe DHEU ynë!
AMEN apo AMIN