Translate

Reklama

Saturday, November 12, 2016

ME SHKAS PËR FUSHATË!!!


Në këtë shkrim më shtyu fushata për president në SHBA.Shumë kandidatë, demokratë, republikanë zhvilluan betejën për president. Gara ishte e hapur, transparente: dihet se sa fonde ka mbledhur Klinton e sa Tramp.E vendosur në optikën dhe analizën e kujdesëshme të publikut e medias, ata ishin të detyruar të shfaqnin të gjitha, ama të gjitha përmbajtjet e tyre prej njeriu e shtetari. Në debatet televizive, shkrimet e tyre apo të stafit të tyre, në takimet me publikun e gjërë kudo, që nga kishat e deri te universitetet e fermat anembanë  vendit të tyre, del  “lakuriq” personaliteti i tyre, merren vesh të gjitha pikpamjet që ata kanë që nga familja e deri tek arti i drejtimit të shtetit.
Kushdo mund t’i pyesë ata se ç’mendojnë për fenë, besojnë apo jo në zot, kujt feje i përkasin, ç’mendojnë për të drejtat e njeriut, për homoseksualizmin, rolin e grave në shoqëri, arsimin, shëndetësinë, pensionet, politikën e jashtme, organizimin e gjërave konkrete, si do ta bëjnë këtë apo atë tjetrën. Ndjekësi i zakonshëm i politikës mund të marrë vesh lehtë se kë kanë ata model të tyre nga paraardhësit, a lexojnë letërsi dhe cilin kanë autor të dashur, cili është sporti që kanë qejf e muzika që i relakson. Ata mund të dinë për familjet e tyre me të cilat ata dalin shpesh në takimet me publikun. Që të mos e zgjasim, u bëhet pra një tomografi e hollësishme e asaj që përmbajnë në bagazhin e tyre etik, kulturor, intelektual si edhe në rrafshin praktik të drejtimit të ekonomisë, politkës, çështjeve shtetërore etj.
Po kjo a ndodh me politikanët tanë?!. Ata hyjnë e dalin në politikë si “jerm” që s’kuptohen se ç’kanë në skutat e mendjes së tyre. Ajo që publiku ynë di për ta janë thashethemet e shumta. Dihen më së miri ato që ata kanë në bark: mish, peshk, biftek, karkaleca deti, verë të mirë, raki të veçantë, xhin, uiski e konjak francez, dihet ku i kalojnë darkat e drekat, batutat që kanë thënë nëpër restaurne e kazino, qofshin ato edhe skedina, ndonjë shaka me bodigardë, shofera e sekretare, dihet si janë shprehur për njerin apo për tjetrin, bizneset e lidhjet me bizneset që kanë, por nuk dihen kurrsesi se nga kanë ardhur në këtë fushë ku kanë marrë këtë të drejtë  që kanë dalë të bëjnë emër, me ç’mendje kanë ardhur e çfarë synojnë, veç atyre të mirave që u sjell pushteti.
Çdo fushatë zgjedhjesh në Vendin Tonë kalon si një tajfun shpartallues plot zhurmë, rrëmujë e batërdi dhe me gjithë “policët ndërkombëtarë” të trafikut që këshillojnë politikanët-shoferë të vënë rripin e sigurisë, të respektojnë këmbësorët e shenjat e trafikut, të mos ngasin makinat mbi shpejtësinë e lejuar apo të dehur dhe që ndonjëherë u vënë edhe gjoba për këto, shoferët-politikanë që zënë për ditë e për natë ekranet e televizioneve dhe kakofoninë e restauraneve apo kafeneve, nuk duan t’ja dinë fare. Populli voton për ta dhe nuk e di si e ke mendjen njeri e tjetri. Por e di mirë ama se i cilës parti është njeri apo tjetri. Ky i gjori popull u mësua me këta parti dhe s’ka zot t’ja shkulë nga mendja se në një shoqëri të lirë e demokratike partitë janë grupime shoqërore pikpamjesh madhore për drejtimin e shtetit e shoqërisë, për këtë apo atë kurs zhvillimi dhe nuk të gjejnë punë apo shtëpi. Po a ka faj populli kur vetë mendësia e partive në Vendin Tonë është ajo e “Nënës Parti” famëkeqe?!  Provoni që tu hiqni emrat në krye programeve të tyre dhe do t’i ngatërrojnë vetë kryetarët e tyre se kush është i njerit e kush i tjetrit.  Për këtë amerikanët kanë një fjalë të buku: Bullshit!
E pra, duhet hequr dorë nga partitë dhe të përpiqemi të njohim më shumë e të vlerësojmë kur është për të vlerësuar, individin. Por si ta njohim këtë individ kur ai vetë shpesh herë i përvidhet njohjes? Vini re se si shpesh herë politikanët shqiptarë flasin me fraza të përgjithëshme, përmendin terma si mirëqënie, rritje ekonomike, të ardhura për frymë, mjekësi, arsim, ujë, drita por pa u futur në hollësira. Të gjithë përpiqen të fshehin të kaluarën dhe kurrë nuk e shfaqin atë hapur e të pandryshuar e zbukuruar. Një ish ministër kulture 40 vjeç kishte tre diploma universitetesh dhe disa specializime. Në CV-të e shpallura të politikanëve vihen vetëm gjërat e bukura dhe kurrë një fjalë për ato që atyre s’do t’u vinte mirë t’ua dinin të tjerët. Kjo sepse ata nuk mbështeten në personalitetin e tyre që në përgjithësi është as mish as peshk, por në një mit të madh që një publik mitoman e ha me qejf gjithashtu të madh. Ky personalitet mbështetet te partia, thashethemet, muhabetet e kafeneve. Ai nuk ka të bëjë fare me analizën e hollësishme të ideve, pikpamjeve që do të përbënin boshtin e çdo politikani.
Asnjëherë këto nuk bëhen të qarta edhe në ato të pakta organizime të medias, ballafaqime apo intervista në TV kryer nga mediatorët ustallarë të medias sonë. Këto ndodhi fokusohen shpesh herë në ngjarjen më të fundit të ditës, në ngërçin e fundit politik të vendit, biseda shpesh acarohet dhe po të jenë dy apo tre të intervistuar, nuk mbaron kurrë pa sherr e pa fytyrën e shqetësuar deri në ekstrem të mediatorit. Të vetmet gjëra që partitë dinë të organizojnë mirë janë mitingjet. Për këto, po, i çahet zemra popullit të shkretë se i kujton ato parakalimet zulmëmadhe të atij kllounit që ngrinte dikur “stafetën”.
Dhe në mitingje dihet se ato që thuhen janë ca gjëra të përgjithëshme e entuziaste dhe ca sharje denigruese për kundërshtarët. Me mitingje nuk zbulohet personaliteti e dijet e vërteta shtetare të politikanit. As me pesë postera me fytyra fotogjenike. Ata vetë nuk duan që t’u dihen pikpamjet e opinionet. Sepse tremben se mos zëmërojnë njërin apo tjetrin grupim të publikut.
Një politikan mbahet mend nga integriteti e personaliteti i tij. Mund të mos jesh dakord me të, mund të mos të pëlqejnë ato që thotë apo bën, mund të përpiqesh që ta rrëzosh nga pushteti me votën tënde të lirë, por integriteti e personaliteti në një shoqëri demokratike meriton kurdoherë respekt. Po nga cili integritet e personalitet t’i kapësh këta politikanët tanë? Shumica e tyre janë personalitete pa personalitet. Ata ç’thonë sot e mohojnë nesër, ndonjëherë janë të heshtur si peshku e shpesh janë papagallë të njëshit të partisë, kurse vetë njëshat janë konfuzë e ambiguitivë të pashoq. Që të mos përmendim pastaj aferat korruptive ku bëjnë pjesë e pazaret e tenderatt ku përziehen sepse kjo do të ishte tjetër histori.

Ja pse ata hyjnë e dalin si anonimë nga jeta politike pa lënë pas as emër e as trashëgimi të qëndrueshme e të vyer mbi të cilën do të ngriheshin brezat e politikanëve më të rinj. Dhe populli rri e vështron.