Tash, miq të dashur, hipokrizia po zgjohet, si çdoherë. Jo se deri tani ka qenë në gjumë, se lumi fle, hipokrizia e sistemit kurrë. Tani çdo hipokrit po hipokrizon për të zgjuar hipokrizinë në popull. Të gjithë të uriturit po ushqehen me një lugë bosh gjellë. Të gjithë të paditurit po mashtrohen me një lugë bosh dije. Të gjithë të shtypurve po u falet një lugë bosh liri. Të gjithë të pashpresët po gostisen me një lugë bosh shpresë.Të gjithë të pa informuarit po i tallin me një lugë “informacioni”.
Në çdo rrugë, kafene, televizion shoh vetëm hipokritë, më të frymëzuar se kurrë për të shërbyer çorbën e tyre. Të rinj që shpresojnë te vrasësit e së vërtetës. Jo më larg se pardje, qindra të rinj, s’di se si të mbledhur aq shpejt e aq shumë aty, dëgjonin me admirim “dikë” tek fliste për planin se si do të vritej e ardhmja e tyre. Ndihem i turpëruar që në hipokrizi përfaqësohem prej tyre. Që janë ndoshta miq të mi, bashkëmoshatarë me të cilët shkëmbeheshim dikur në shkollë, kafene e rrugë. Mishra me dy sy! Kufoma shëtitëse – do t’i quante Noli, që shkatërroni me vetëdije a jo të ardhmen tuaj, të ardhmen tonë. Mercenarë që doni të vrisni të vërtetën. Por të vërtetën nuk e vret dot!Mund ta godasësh, presësh, fshehësh, të gënjesh mbi të, por jo ta mbysësh. Ajo diku po merr frymë. Ky është makthi i çdo hipokriti.
Ama kjo nuk mjafton, i duhen këmbë për të ecur, mendje për të menduar, zë për të klithur, grushte për të goditur. Ndaj mik i dashur zgjidh! Do të jesh përhapësi i të vërtetës apo ushtar i pavlerë i hipokrizisë? Mos besoni më në broçkulla elektorale, mos e hani çorbën e tyre se do e villni gjithë jetën!
Bisedat e kafeneve dhe ngjarjet e fundit tregojnë që populli nuk gënjehet më me një lugë çorbë. Populli është ndërgjegjësuar, i duhet besim tani. Duket sikur nuk ka më as shpresë, por shpresa jeton me të vërtetën. Mirëpo situata nuk zgjidhet në kafene, as duke shpresuar te të huajt, aq më pak duke besuar ne perëndi, se edhe perëndia mbron ca më tepër të zgjuarit dhe ata që janë të zotët të luftojnë për të drejtat e tyre. Ndaj ne, të bijtë e shekullit të ri migjenian, duhet të bëjmë realitet grushtin e së vërtetës. Duhet te jemi zëri i dhimbjes dhe i shpresës. Duhet të jemi grushti i të vërtetës që godet malin e hipokrizisë. Derisa hipokrizia të bëhet hi dhe nga hiri i tyre te bëhet e vërteta mal. Të godasim siç na ka hije për të gjithë të shfrytëzuarit dhe të nëpërkëmburit….TË GODASIM PËR LAGJEN E TRIMAVE!!!.