Qytetarët e Vendit Tonë në shumë situata kanë dëshmuar se janë njerëz të durueshëm ndaj
proceseve të cilat, jo rrallëherë, kanë qenë të dëmshme edhe për ta. Vetinë e
durimit nuk e kemi të rastësishme, por sikur të instaluar në mendje dhe në
qenien tonë nga koha e sistemit të kaluar dhe nga kërkesa e udhëheqësve tanë të dikurshëm për durim,durim,
durim...dhe vetëm durim.
Nëse në atë periudhë kemi pasur sadopak arsye të durojmë,
sot nuk e shoh asnjë arsye të tillë; nëse atëherë kemi shpresuar se një ditë do
të bëhet më mirë, sot kjo shpresë nuk ekziston;nëse atëherë kemi qenë edhe të
papërgatitur të përballemi me atë regjim, sot i kemi të gjitha mekanizmat
demokratik për t’i penguar proceset që po e dëmtojnë Vendin Tonë. Sot, nëse
heshtim, ne mund të bartim pak përgjegjësi,sikur prindërit tanë që e bartin një
gjë të tillë për situatën në të cilën gjendemi.
Nuk dua ta besoj, ndonëse e mendoj shpesh, se durimi na ka
mbetur nga e kaluara dhe sot jemi duke duruar në heshtje të gjitha proceset
negative që i ndodhën Vendit Tonë.
Pushteti mund t’i ketë blerë disa mediume, disa
pseudo-analistë, disa pseudo-opinionistë që e shesin propagandën e pushtetit,
mirëpo ne jemi më shumë nga ata që nuk i nënshtrohemi pushtetit, që duhet të
flasim, të reagojmë dhe të veprojmë, sepse ata janë një grusht njerëzish që
manipulojnë me ne dhe me durimin tonë të tepruar.
Që nga paslufta po durojmë politikanë të papërgjegjshëm,
mashtrues dhe të korruptueshëm; po e durojmë pasurimin e politikanëve në
kurrizin tonë; po e durojmë krimin e organizuar të instaluar si sistem; po e
durojmë varfërinë që ka arritur përmasa shqetësuese; po e durojmë papunësinë;
po e durojmë një sistem arsimi jo cilësor;po e durojmë edhe ndotjen te ajrit
tonë; po e durojmë një shëndetësi ku pacienti shihet si vlere monetare; po e
durojmë jetën e vështirë që jemi duke e bërë çdo ditë...
Prandaj, nga instalimi i vetisë se durimit në qenien tonë po
i bartim pasojat sot, sepse sikur jemi mësuar të durojmë dhe të heshtim për
gjithçka, duke besuar se dikush mund të na dojë më shumë se sa që ne mund ta
duam veten tonë.
Nuk dua ta besoj, ndonëse e mendoj, se tashmë jemi adaptuar
me gjëra të këqija që ndodhin në këtë vend. Sikur jemi mësuar të dëgjojmë çdo
ditë për burgosje, për korrupsion, për keqpërdorim të detyrave zyrtare dhe
krejt natyrshëm sillemi ndaj të gjitha këtyre proceseve, thuajse ato tashmë
janë normale. E ne, si shoqëri, po pajtohemi lehtësisht me to.
Nëse është e vërtetë edhe për Ju kjo që po e mendoj, duhet
të jemi të shqetësuar si shoqëri, e jo të sillemi sikur asgjë nuk po ndodh ose
sikur gjithçka që po ndodh nuk po ndodh në Vendin Tonë!(Apo mos vallë ndotja
(ruse) është shaktare për këtë?)