Translate

Reklama

Friday, September 20, 2013

DERI KUR MË KËSHTU, O POPULL?!!

Sado që dikush deklarohet: shqiptar, maqedon, turk, mysliman, katolik, nacionalist, fundamentalist... nuk mund të ketë asnjë individ që, në këtë copë të vendit tonë të bekuar, nuk e kërkon një të ardhme më të mirë për nesër. Por, mjafton vetëm një pakëz me më shumë vëmendje ta kthejmë kokën përreth, dhe, çka do të vërejmë? Kudo papunësi dhe skamje; një përqindje e madhe e familjeve tona jetojnë në varfëri të skajshme; dita ditës prindërit më nuk mund t’i shkollojnë as fëmijët e tyre; e tërë shoqëria është e kapluar nga një degradimi moral; injoranca, hajnia, mashtrimi, gënjeshtra, korrupsioni, bizneset informale ... të gjitha këto na janë familjarizuar si dukuri normale, ndërsa krimi dhe kriminaliteti, për shumë kë janë bërë një strehë shpresëdhënëse ekzistenciale. 
Fatkeqësisht, për njerëz me kësisoj aspiratash, si një vend i sigurt po bëhet politika; zanat ky ambicioz, i cili, jo vetëm se të ofron fuqinë e autoritetit të mbrojtur, por, si një njëri askush dikur, brenda nate të bënë dikush, dhe, krahas shumë privilegjeve tjera, të sjellë edhe goxha përfitime materiale. 
Deri kur më kështu, o popull?!! 
Zakonisht, te ne mendohet se partitë janë subjekte politike, të cilat si qëllim themelor të ekzistimit dhe funksionalitetit të tyre, e kanë arritjen e marrjes së timonit të udhëheqjes me pushtetin. Në shikim të parë, ashtu edhe është, por, këtë definicion të thjeshtë duhet marrë vetëm si pjesë e një definicioni më të zgjeruar dhe më kuptimplotë. Sepse, të gjitha subjektet politike në një shoqëri të caktuar, përveç se janë grupe njerëzish të organizuar që tentojnë të vijnë në pushtet, ata, duhet ta kenë synimin, në rend të parë, që në planin e jashtëm, t’i mbrojnë interesat kombëtare dhe nacionale të atij shteti, ndërsa, në atë të brendshmen, përmes programeve të ofruara, të bëjnë diçka shumë më mirë për mirëqenien e popullit të vetë, se sa që është bërë deri më tani nga paraardhësit e tyre. 
Sa kuptohet dhe realizohet politika me këtë logjikë në vendin tonë të bekuar, është diçka krejtësisht tjetër. Ajo, te ne, edhe më tej vazhdon të mbetet si synim në kuptimin e ngushtë të definicionit të saj të thjeshtë: kryekëput si qëllim vetëm për arritjen e marrjes së pushtetit dhe pastaj “xhenet” për liderët dhe anëtarët tjerë të rrethit më të ngushtë partiak. 
Deri kur më kështu, o popull?!!
Kjo listë me gjithë ato të këqija të shumta se ka është katandisur vendi ynë i bekuar sot me këtë qeverisje në pushtet, është e madhe. Shumë e gjatë. Por, edhe përpos kësaj gjendjeje shoqërore - politike ALARMANTE në të cilën gjendemi, ne si popull heshtim. Heshtim dhe kurrsesi nuk mund të bëhemi tok së bashku në një organizim masovik për reagim. Për këtë heshtje tonë të pakuptimtë dhe mosreagim të guximshëm qytetar, deri diku mund ta kuptoj atë pjesë të popullsisë me moshë të mesme, por kurrsesi jo rininë tonë intelektuale studentore. 
Deri kur më kështu, o popull?!! 
Nga e kaluara e biografisë sime, me të cilat edhe sot e kësaj dite krenohem, pa dyshim është ai segment i jetës, se i kam takuar gjeneratës së famshme studentore të fundviteve të `90-ta. Asaj gjenerate e cila beri historinë dhe ndikoi  në ndryshimin kronologjik të zhvillimit të rrjedhave shoqërore si vazhdimësi. Edhe ne si  rini e atëhershme i kishim çapkënllëqet tona rinore dhe me “axhamillëkun” e moshës bënim ndonjë hata por, si studentë të përkushtuar në misionin tonë, padyshim se e donim shkollën, studimet dhe mësimin, sepse ishim të etshëm për dije dhe përparim. Edhe ne si rini dashuronim dhe thurnim ëndrra për ardhmërinë, po, mbi të gjitha, e kishim në zemër vendin tonë të bekuar dhe shqiptarinë. Ishim mu ajo gjeneratë e fundviteve ’90, e cila, edhe përball plumbave, dhunës dhe terrorit të paparë politik që ushtrohej sistematikisht mbi këtë popull, thyem heshtjen e dekadave, dhe ju bashkuan  rrugës së lavdishme të një rezistence aktive kombëtare e cila më vonë do të na shpie deri në fitore të papërmbaruar, me sa duket?!
Ishim ne, mu ajo gjeneratë e lavdishme e kohës së intelektualëve dhe pedagogëve tanë gjenial,të cilët, mbi të gjitha, përveç dijes dhe arsimit, na mësuan dhe rrënjosën thellë dashurinë për atdheun, popullin tonë dhe lirinë... Edhe pse, unë sot, me plotë krenari e shkruaj këtë artikull për atë kohë të lavdishme të gjeneratës sime, në të cilën me pietet i kujtoj ata shokë të shumtë, të cilët, krahasuar me mua, nga ai regjim gjakatar, kanë kaluar shumë e shumë më keq, ende më vjen turp prej tyre dhe brejta e ndërgjegjes se kam bërë pak. Dhe, si mundem unë tashti, përkatës i asaj gjenerate rebeluese, ta kuptoj këtë Tetovën e sotme universitare pasive shumë studentë që heshtin? Këtë rini tonë të mrekullueshme por politikisht të përgjumosur, e cila nga “kaffeteritë” të mbusha përplot, pinë “makijato” dhe indiferente rrinë dhe nuk kërkojnë(protestojnë) të mbrohet , dinjiteti i tyre?!! Dhe, kur i vërej të gjitha këto ecuri, si mundem unë sot, student i kohës së atyre intelektualëve dhe profesorëve gjenial dhe  atdhetar, ta kuptoj heshtjen e këtyre doktorëve dhe profesorëve tanë akademik pa kurrizor?!
Deri kur m kështu, o popull?!!