Translate

Reklama

Wednesday, June 26, 2013

HISTORI E SHKURTËR E LËVIZJES MASONIKE NË SHQIPËRI


Ky ishte pra viti 1717, kur katër loxha të Londrës vendosën që të bashkoheshin, nëpërmjet një inisiative të përbashkët, dhe si pasojë e kësaj ngjarje, lindi lozha e madhe e Anglisë. Nga ky moment historik i masonizmit anglez, mori rrugën zyrtare edhe data e fillimit të historisë së masonizmit modern në mbarë botën. Pse u quajt kështu dhe cila ishte domethënia e vërtetë e saj? Le të bëjmë një kthim të shkurtër në kohë, për t’i kuptuar gjërat që nga fillimi...
Me gjithë botimet e shumllojshme dhe interpretimet gati në kufijtë e legjendës mbi masonët dhe masonizmin, ende askush nuk ështe në gjëndje që të thotë diçka të plotë mbi origjinën dhe kohën kur e ka zanafillën dhe ku ka filluar masonizmi... Ky fakt ende mbetet një monopol i thellësisë së mijra-vjeçarëve! Vetë masonët, ende nuk janë në gjëndje që të japin një definicion të saktë për një gjë të tillë. Një fakt i dukshëm eshtë se mbas vitit 2000 është shtuar shumë prezenca e temave dhe kërkimeve në këtë fushë në median elektronike dhe në atë të botimeve periodike. 
Tashmë në vëndin tonë flitet lirshëm, ka biseda serioze edhe intervista nga më të ndryshme mbi masonët. Masonizmi dukshëm nuk është më një tabu sot dhe gjithkush ka të drejtë të japë opinionin e tij në këtë drejtim. Shpesh shihen edhe manipulime apo shkrime mbi këtë temë të cilat në thelb kanë shpirtin e revanshit apo motive të kundërta me ato çka kërkon një qëndrim serioz dhe i bazuar në aktin e të vërtetës. Megjithatë edhe sot e gjithë ditën kërkimet vazhdojnë intensivisht, në këtë moment të madh të ndriçimit të mëndjeve të qënieve humane...
Por ç’po ndodh në të vërtetë? Flasim mbi masonizmin në përgjithësi dhe kjo gjë a ka të bëjë me të kaluarën e historisë humane apo me vjetërsinë e saj? Ky fakt a ka të bëjë gjithashtu me origjinën e jetës sonë në tokë... Në masonizëm elementët filozofike përmblidhen në ritualet, dhe pasqyrohen tek besimi i njeriut si krijesë e zotit. Ritet janë të lashtë, dhe me qëllim ato ruhen dhe aplikohen brënda lozhës. Lozha nënkupton vëndin e shenjtë ku vëllazëria mblidhet rregullisht dhe ku burrat janë të barabartë në mes tyre. 
Ky shkak i bën ata ta duan dhe ta nderojnë njëri-tjetrin, si vëllezër ku zoti padyshim është babai i tyre i përbashkët.
Aty ata edukohen së bashku duke u ndriçuar me idealet e larta të humanizmit, me idenë fisnike që, njeriu ështe dhe mbetet gjithmonë referenca në kërkim të qëndrës së universit.
Kjo filozofi praktikohet dhe është e mbështetur simbolikisht mbi të dy shtyllat e Herkulit! Në gjuhën masonike këtu e kemi fjalën për Moralin dhe Metafizikën. Për të kaluar më në thellësi të filozofisë masonike duhet të themi se zoti i masonëve është “ARKITEKTI I MADH I UNIVERSIT”! Pra siç thonë ndryshe ata, besojnë tek një “Qënie Superiore”, ( të mbinatyrshme )... Masonizmi në mënyrë të padiskutueshme është dhe mbetet urdhëri më i vjetër i regjistruar në koshiencën humane.
Por duhet theksuar se shpesh ky urdhër në vënde të ndryshme ka egzistuar në mënyra të ndryshme, në shfaqjen dhe në praktikën e të manifestuarit të elementëve të vet. Por në substancë ai ka mbetur i njëjtë! Flet për masonizëm dhe praktikat e ndryshme të tij, dhe mundesh të dallosh në elementë të caktuar nga njëra-tjetra, në të njëjtën kohë kupton qartë se është fjala për të njëjtën gjë.
Qëllimi mbetet i njëjtë, ruajtja e ritualit masonik qysh nga njeriu i parë, i cili vendosi atëherë të jetonte në tokë, dhe e konsideroi atë si shtëpinë tonë të përbashkët. 
Mësimet të cilat na vijnë nga thellësia e mijvjeçarëve nuk duhen harruar kurrë. Kjo edhe sot është shumë e rëndësishme dhe primare, pothuajse!
Ato (mësimet) janë: E djeshmja, e sotmja gjithashtu, dhe padyshim e nesërmja, e cila me të panjohurën e saj na intrigon kaq shumë.
Por a nuk tingëllon kjo gjë, si tre dimensionale?
A nuk do të ishte e drejtë gjithashtu që ta përdornim këtë gjë si një arësye më shumë për të zbuluar se nga vijmë, pse ndodhemi këtu, dhe ku qëniet humane do ta kenë stacionin tjetër të jetës së tyre në një të ardhme të afërt apo të largët?
Cila do të jetë shtëpija jonë e re në univers?
Pikërisht këto pyetje fare të thjeshta e bëjnë njeriun më human, apo jo? 
Masonët besojnë tek njohuritë universale, dhe ata i përcaktuan ato qysh në fillimet e veta. Ishte fjala për shtatë artet e lira. Këto shtatë arte të lira do të bëheshin baza dhe thelbi i njohurive të përbotshme:
Drejtësia, Gjeometria, Matematika, Fizika, Oratoria, Astronomia dhe Astrologjia.
Pra këto shtatë arte (shkenca) janë gjithashtu edhe esenca e Metafizikës, si njohuri universale!
Përsa i përket moralit brënda konceptit masonik, ndaj tij ne kemi kërkesa shumë të rrepta. Simbolikisht prezenca e moralit tek njeriu, do të thotë prania e zotit...
Le ta kuptojmë edhe kështu! Masonët për shkak të moralit të tyre të lartë në sensin humanist konsiderohen pëgjithësisht edhe si “ Burrat e Mirë” të kësaj bote.
Por sa qëndron kjo në realitetin tonë të përditshëm? Nëqoftëse do t’i hidhnim një sy të shpejtë historisë moderne të njerëzimit, do ta kuptonim se për çfarë në fakt po flasim... Eshtë një listë e gjatë me emra të famshëm masonësh të cilët të paktën shekujt e fundit i kanë dhënë inteligjencës së shoqërisë humane, gjithçka që ka të bëje me zhvillimin, me zbulimet, apo edhe në aplikimin e teknologjisë në kohën moderne...
Ja disa nga këta emra: Isak Njuton, Uilliam Shekspir, Xhejms Huku, Kristofor Marlou, Lord Bajroni, Robert Bërnsi, Edmond Hallej, në Angli.
Në Francë kemi emra të tillë si Viktor Hugoi, Volteri, Napoleon Bonaparti, Zhyl Verni; nga industria e motorrave emra si: Reno, Pezho, etj.
Në Gjermani gjithashtu kemi emra si Gëtja, Hajne, Lesingun, Bahun, etj...
Në Austri kemi Moxartin, Vagnerin, Hajden, Franc Listin, Zigmund Frojdin, familjen e Hadsburgëve etj!
Po ashtu në Itali kemi emra si: Xhuzepe Garibaldin, Mazinin, Karlo Kolodin, Pucinin, Totonë (humoristi), Salvadore Kuazimodon, familjen Di Mediçi etj.
Edhe në Shqipërinë e periudhës së rilindjes dhe gjatë kohës së kryengritjes për pamvarësinë nga pushtimi Otoman, dolën në këtë drejtim emra të shquar si: Sami dhe Abdyl Frashëri, Vaso Pasha, Naum Veqilharxhi, Kostandin Kristoforidhi, Ismail Qemali, Faik Konica, Jeronim De Rada, etj. Por për hatër të së vërtetës ky është vetëm një numër modest emrash të cilët kanë luajtur një rol të madh në historinë botërore dhe në historinë tonë gjithashtu...
Kjo gjë na kujton neve faktin se jemi rritur dhe edukuar me një frymë idealesh të mëdha për jetën dhe moralin shoqëror...
Masonizmi nuk është Fe, por është thjesht formë e të shpjeguarit të jetës! Organizimi masonik është i ngrirë brënda kornizës së një urdhëri! Një kandidati i cili inspiron të bëhet anëtar i këtij urdhëri, i kërkohet fillimisht të konfirmojë qartë se ai ka besim të patundur tek Zoti! Ndërsa, përsa i përket fesë të cilës ai i përket, qëndrimi ynë masonik është një qëndrim krejtësisht liberal. Një kandidat i caktuar për tu bërë mason, nuk pengohet që të bëhet i tillë nga shkaku i besimit të tij fetar.
Janë vlerat universale të humanizmit së fundmi, ato që përcaktojnë besimin dhe moralin e një frimasoni. Zoti i masonëve quhet ndryshe edhe si: “Arkitekti i Madh i Universit”, pra dukshëm një qënie superiore dhe jo Humane. 
Kushdo që beson në Zot, mund të bëhet frimason... Pra ky është modeli i “Njeriut të Mirë” të cilin ne shpesh e ndeshim në jetën tonë të përditshme. Ky njeri ka gjithashtu një bagazh të caktuar intelektual dhe eksperiencë shoqërore.
Edukimi që ai fiton brënda aktivitetit të një lozhe masonike kur ai bëhet i tillë, e ngre në nivele shumë herë më të larta intelektuale se sa ai ka zotëruar fillimisht. Ky është një fillim i ri dhe një rilindje e vërtetë në rrafshin mendor dhe emocional.
Një mason është i prirur gjithmonë drejt së të vërtetës absolute, ai nuk kënaqet me gjysëm të vërtetën, as me të vërtetën që mundet t’ja sygjerojnë të tjerët. Ai është në kërkim të vetvehtes gjithashtu, mbetet i sjellshëm dhe i gatshëm që të ndihmojë të gjithë ata që nuk u ka prirë fati, ose që nuk janë në gjëndje që të ndihmojnë vehten e tyre...
Por kur është formuar llozha e parë masonike në aspektin historik? Sipas dokumentave të deri sotme, ne njohim
lozhën e “OLD CHARGES”, pra lozha e detyrave të lashtë. Ajo është e dokumentuar me egzistencën e saj qysh nga viti 925 A.D. Këto dokumenta janë ruajtur nga njëri prej nipave të Alfredit të Madh në Athelstain, Angli.
Më tej akoma egzistencën e lozhave masonike e gjejmë në vitet 598-600 A.D. Por ishte perandori romak Konstantius Klorus (Babai i Konstandinit të Madh) më 298, A.D, mbas djegjes së Galisë, i cili dërgoi Albanin e Shenjtë, në Britaninë e Madhe që të prezantonte masonizmin si teori dhe praktikë atje.
Albani i Shenjtë, një Yllir, ishte arkitekt për nga profesioni. Arkitektët gjithmonë kanë qenë të organizuar në urdhëra sekrete. Edhe shumë më herët se në kohën e Romakëve apo edhe Egjiptianëve gjithashtu, dhe prazenca e tyre në të tilla rrethe vërtetohet edhe sot e gjithë ditën, duke u zbuluar nga gjetjet e vjetra arkeologjike të ndërtimeve të lashta në vënde të ndryshme të botës.
Arkitektët, dihet që janë njerëz të zgjedhur, dhe ruajnë sekretin e ndërtimeve me fanatizëm brënda formave të organizimeve të tyre të fshehta. Evidencat e zbuluara dhe interpretimi i tyre, ka qenë dhe do të mbetet gjithmonë një objekt interesant studimi. Pra, ky quhet ndryshe me termin e sotëm edhe si: “Masonizmi Operativ”, i organizuar në Urdhër për të mbrojtur interesat e Arkitektëve, që kanë qënë edhe ndoshta do mbeten më pas, simbolikisht në të njëjtat pozita. E thënë ndryshe, njeriu i ka krijuar organizimet e veta sekrete si rezultat i rrethanave të presionit të ashpër dhe shtypës, të cilin zakonisht e përdor pushteti absolut për qëllime mbijetese.
Dimë se pushteti absolut sjell represion, dhe nën regjime të tilla historia na mëson se vlerat elementare humane
janë të kërcënuara rëndë, ose në disa raste të veçanta ato janë të zhdukura krejt. Pra me këtë rast dua të theksoj se jo çdo gjë sekrete ka një karakter negativ. Megjithatë kur është fjala për masonët dhe masonerinë botërore në përgjithësi gjërat kanë ndryshuar, sidomos në këtë dhjetë-vjeçarin e parë të mijvjeçarit të ri! Ata janë më të hapur ndaj publikut të gjërë, dhe informacionet e tyre nuk janë të vështira për tu konfirmuar. Sot gjithçka mund të gjënden në faqet e internetit, deri tek listat e anëtarëve të tyre së bashku me të dhëna të tjera të nevojshme.
Sistemi demokratik e ka lehtësuar njohjen dhe komunikimin në mes njerëzve.
Shumë gjëra që deri dje konsideroheshin si krejtësisht të pamundura, tashmë janë kthyer në një realitet të përditshëm.
Ende shumë gjëra të tjera priten të ndryshojnë. Pritet që njeriu të kthehet në qëndër të vetvehtes në cilësitë bazë të humanizmit të tij brënda një shoqërie të lirë dhe demokratike. Pritet që jeta të sulmojë standarte të reja, që natyrisht vijnë nga përpjekjet tona të përditshme dhe nga sakrificat, nga bashkëpunimi ynë më i madh me njëri-tjetrin, dhe respekti reciprok që buron nga ky bashkëpunim.
Kemi hyrë tashmë në botën e teknologjisë dhe informacionit dhe kjo pritet që të sjellë një zgjim kolektiv të ndërgjegjes sonë. Kjo do të thotë gjithashtu, se do të kemi më shumë përgjegjësi për vehten dhe të tjerët, dhe më pak mashtrues dhe dallkaukë nëpër këmbët tona. Siç duket po flasim për rëndësinë e padiskutueshme të Moralit dhe Metafizikës. “ Njihe vehten, O njeri !”
Po tradita Shqiptare deri ku ndodhet në këtë pikë?

Si qëndron ajo në linjën e ditëve të sotme?

Ne përmendëm në përgjithësi një listë masonësh shqiptarë... Ata së shumti i përkasin periudhës së shkuar por veçanërisht asaj të rilindjes Shqiptare dhe Europiane. Nën perandorinë Otomane mund të përmëndim dy lozha të famshme të cilat u anëtarësuan nga shumë shqiptarë të njohur. Emrat e lozhave janë kryesisht ato të Selanikut, Stambollit, por nuk duhet harruar edhe ato të Rumanisë, Bullgarisë, Sirisë, Egjyptit, Italisë, etj.
Por kështu kemi aktivitet masonik gjatë periudhës së pamvarësisë së Shqipërisë...
Midis dy luftrave Shqipëria kaloi një periudhë relativisht të qetë në dukje, por të varfër ekonomike. Nga ky shkak një pjesë e shqiptarëve dolën nëpër botë nën presionin e mjerimit ekonomik. Me këtë rast është me vënd të kujtojmë se një numër i madh emigrantësh shqiptarë u shpërndanë në disa vënde të Europës Perëndimore si: në Angli, Francë, Gjermani, Austri, Itali, etj... Veçanërisht, kujdes mendoj se duhet që të tregojmë në rrafshin e dokumentave historike me dosjen e shqiptarëve emigrantë në Amerikë.
Atje njihet tashmë fakti se ishte numri më i madh i shqiptarëve të cilët u organizuan në shoqata patriotike. Evidenca të tilla mendohet se ka plot. Nga këto evidenca vijnë emrat e shquar të Faik Konicës, Nuredin Vlorës, Dervish Dumes, dhe shumë të tjerëve të cilëve nuk ua dimë emrat ende. Kjo do të na bëjë më të kujdesshëm dhe të organizojmë kërkime efikase me qëllim studimi mbi të kaluarën tonë masonike, e cila pret që të riformatohet tashmë mbi baza thellësisht shkencore...
Por gjithashtu masonizmi shqiptar i ka rrënjët e veta të thella në historinë e përbotëshme. Shqipëria dhe “Bijtë e Shqipes”, të paktën këto 1000 vitet e fundit kanë pasur një eksperiencë të hidhur historike! Dikur, Shqiptarët, një nga popujt më të rëndësishëm të historisë Europiane dhe atë botërore, kanë pasur një rol të veçantë në civilizimin perëndimor. Gjatë këtyre mijëra-vjeçarëve ata panë të ngrihen përpara syve të tyre, dhe në territorin e tyre, perandoritë e famshme të Hititëve, Persëve, Maqedonasve, Romës, Bizantit, dhe së fundi të asaj Otomane. Ishin idetë, gjaku, dhe sakrificat e tyre që i sollën këto perandori në jetë.
Dhe ata, Shqiptarët, bënë rolin e dëshmitarit të dorës së parë, kur panë ngritjen e tyre në zenith, dhe më pas nën rrafshimin e këtyre gërmadhave. Megjithëse sot, kjo ishte dhe ka mbetur prapë toka e “Yllirëve të Shenjtë”, apo ajo e “Pellazgëve Hyjnorë”. Këta quheshin atëherë “Bijtë e Shqipes”, ashtu si edhe sot e gjithë ditën! Ende shqiptarët flasin të njëjtën gjuhë të vjetër dhe nga ana e gjakut trashëgojnë të njëjtin gen trashëgimor. 
Pra ka qënë një kohë kur Yllirët i zgjeruan territoret e tyre në një periudhë të caktuar, më pas u tkurrën gjithashtu, duke përfunduar në këtë hapësirë të vogël që mezi duket në hartën e sotme botërore. Atdheu i tyre me famë “I Shqiponjave” të dikurshme, tashmë është i ndarë në disa shtete të Europës së sotme! Sipas këtij fakti na lind e drejta të themi se edhe historia, kultura, dhe gjithçka tjetër është e shpërndarë në shumë shtete të Eúropës, gjithashtu! Tamam në atë pikë të vogël të hartës botërore e cila sot quhet Albania, ka mbetur nën shtresëzimin e shekujve një substrakt domethënës i civilizimit të lashtë dhe të ri të historisë botërore.
Kjo për ne si shqipëtarë, ndonëse kaluam së fundmi edhe kolerën komuniste, tregon që prapë mbetemi trashëgues realë të civilizimit universal, i cili thirret thjesht civilizim i mbështjellë në guackën e masonizmit të sotëm. Dhe është pikërisht ky moment i cili mbijetoi dhe na dha ne mundësinë për një fillim të ri, me dimensionin modern.
Humanizmi ishte spuntoja që në fillim të shek. XIX, i bëri shqiptarët të orientohen drejt vlerave masonike.
Një shëmbull që mund ta përmëndim me këtë rast është edhe revolucioni i ashtuquajtur Grek i vitit 1821, që përfundoi me krijimin e një shteti të ri ballkanik. Udhëheqësit më të rëndësishëm të këtij revolucioni si Kapodistria dhe Kollokotroni, apo edhe Boçarët dhe shumë emra të tjerë masonësh të asaj kohe, ishin thjesht shqiptarë, dhe në fakt ata luftuan për çlirimin e atdheut të tyre të atëhershëm nga perandoria Otomane.
Ky revolucion, i cili u konkretizua siç e përmendëm edhe më lart me formimin e shtetit Grek, kishte qënë dikur një territor shqiptar dhe njerëzit e atyshëm ishin shqiptarë.
Ky është një leksion që na e jep historia, së bashku me arësyet e gabimeve të europianëve të atëhershëm, që kishin maninë të krijonin shtete të rinj, në territoret e shteteve të vjetër - duke injoruar faktin që aty jetonte i njëjti popull i lashtë, qysh prej mijëra-vjeçarëve.
Më vonë nga fundi i shek. XIX, tipike do të ishte lëvizja Xhonturke brënda Perandorisë, e cila kishte si qëllim të transformonte “Perandorinë e Plakur” të asaj kohe në një shtet të ri modern, me tendencë tipike kulturore europiane perëndimore.
Edhe në pjesën më të rëndësishme të kësaj lëvizjeje u bënë një numër i konsiderueshëm shqiptarësh të asaj kohe, të cilët ishin edhe masonë të lozhës Turke si: Sami Frashëri, Abdyl Frashëri, Mehmet Aliu i Egjyptit, Mustafa Qemal (Ataturku) ose babai i Turqisë moderne, Hasan Tahsini etj. Po ashtu edhe Vaso Pasha, Guvernatori i Libisë nën perandorinë Otomane, Naum Veqilharxhi, Konstandin Kristoforidhi, Petro Luarasi, Ismail Qemali kryeministri i parë i shtetit Shqiptar, të krijuar nga kongresi i fshehtë i Londrës në vitin 1913, Jeronim De Rada poet rilindas, Mihtat frashëri, Nikolla Naço, Kostandin Çekrezi, Ali Këlcyra, dhe sa e sa emra të tjerë, për të cilët ne ende nuk kemi në fakt një informacion solid, por që pritet të studjohen si pjesë e masonerisë shqiptare dhe të asaj botërore.
Por mbas rënies së komunizmit gjithçka do të ndryshonte në atdheun e Shqiponjave. Filloi të flitej për masonët qysh në fillim të viteve 90’ e në vazhdim. Fshehurazi larg syve të opinioni publik filluan edhe disa kontakte të para me masonizmin Italian dhe kryesisht me GOI-n. Por i pari artikull me sa kuptoj unë për këtë qëllim u botuar nga Mitro Çela, dikur publicist aktiv dhe politikan i krahut demokratik, gjithashtu. Ai doli në mos gabofsha me dy artikuj mbi masonët, të parin aty nga viti 2001 dhe të dytin aty nga viti 2002.
Esenca e këtyre artikujve ishte ndërtuar nën një këndvështrim negativ mbi vlerat dhe rolin e masonëve në histori! Në këto rrjeshta vihej në lojë një farë “Konti i Monte Karlos”, i cili siç dukej edhe ndoshta e kishte vizituar Shqipërinë gjatë periudhës në fjalë. Gjithashtu në artikull përmendeshin edhe dy “masonë kosovarë”, të cilët kishin bërë rolin e shoqëruesit për “Kontin”, gjatë një kalimi të tyre nëpër shqipëri (gjithmonë sipas artikull-shkruesit, Çela).
Në pjesën në vazhdim të artikullit Çela binte shumë poshtë nga argumentet që kishte përdorur. Aty kishte etiketime negative, sulme dhe fyerje që nuk ishin thënë kundër masonëve qysh nga koha famëkeqe e inkuizicionit...
Kjo periudhë siç e dimë edhe nga historia, është e regjistruar si “Periudha e Heretikëve të Pabesë”.
Një nga viktimat e famshme të asaj kohe të errët për humanizmin, ishte padyshim edhe Xhordano Bruno, matematikan brilant dhe frimason. Po kështu edhe një tjetër astronom i famshëm i kohës ishte Galileo Galilei, i cili ra nën vordullën e akuzave të inkuzicionit dhe u detyrua të dalë në gjyqin e Kishës, megjithëse ishte në një moshë të thyer.
Në fakt pas kësaj ndodhie ndjeva keqardhje për Mitron, i cili kishte kryer edhe studimet në ekonomi, (shkenca e shifrave), dhe që nuk e kishte ditur se Xhiordano Bruno kishte qënë një Frimason.
Më vonë lexova edhe disa shkrime të tjerë mbi masonët gati një vit më vonë, mbasi unë isha kthyer nga emigrimi im i gjatë në Sh.B.A.
Në shtator të vitit 2007-të, botohen dy artikuj në gazetën“Korrieri”, të cilët kishin tituj vërtet bombastikë. I pari: “Masonët me celulë në Tiranë”, dhe i dyti: “Mariza Lino, anëtare e masonëve”... Më tej në këto artikuj theksohej se trupi i huaj diplomatik i akredituar në Tiranë, po kujdesej që të ngrihej dhe të funksiononte në mënyrë të rregullt një lozhë me emrin “Akacia”!
Ndoshta ky fakt do të ishte vërtet i mirë po të kishte ndodhur. Akacia është një pemë që i ka rrënjët të thella, të cilat i ruan gjatë, dhe simbolikisht korrespondonte me traditën e masonizmit në shqipëri. Dhe po të ndodhte vërtet kështu, kjo gjë do të krijonte kontradiktë të thellë me kushtetutën masonike në aspektin teknik të saj. Rregullat masonike nuk lejojnë që në një vënd të pavarur, të huajt të krijojnë lozha masonike.
Në Shqipëri, sipas kushtetutës masonike, vetëm Shqipëtarët kanë të drejtë që të ngrejnë llozhat e tyre masonike...
Një tjetër informacion ishte se ish-ambasadorja amerikane Mariza Lino na paska qenë masone. Do ta uroja përsëri një gjë të tillë... por prapë janë rregullat e brëndëshme të masonerisë botërore që nuk e lejojnë një gjë të tillë. Ndoshta mbetet një përjashtim në një rast të tillë. Le të theksojmë këtu faktin se babai i saj, Bro. Luis L. Lino i përket “Valley of Portlend” në shtetin e Oregonit, dhe është një mason me një shkallë të lartë kualifikimi masonike, 32º!
Pra që ish-ambasadorja amerikane në Tiranë Mariza Lino vjen nga një familje me rrënjë masonike, dhe nuk përjashtohet mundësia që ajo të inkorporohet në aktivitete të tilla si: “Vajza e Masonit” ose “Masonic Daugher” në anglisht, gjë që tregon një diferencë të vogël brënda vëllazërisë tonë! Megjithatë me këtë rast duhet theksuar, fryma e shkrimit nuk ishte negative, por e qetë dhe pa sulme të pa motivuara të cilat i ndeshim rëndom në këto raste. Jo dhe aq për faj të artikull-shkruesit pjesa tjetër e shkrimit vuante nga niveli i informacionit dhe nga mungesa e tij, shkak që ky shkrim ngjante më tepër me një shashkë tymuese.
Një muaj më vonë, Kastriot Myftaraj, një personazh i njohur për tema të tilla në gazeta, dhe aspak serioz në qëndrimin e tij, gjithashtu debatues në median televizive, boton një opinion kritik mbi “Mjaftin” e E.Veliajt, në gazetën “Sot”! Kjo ndodhi më 25 tetor të 2007-tës. Pse “Mjafti” i Erion Veliajt, ka natyrë masonike dhe pushteti okult pas Erion Veliajt” ishte titulli i analizës së tij, në “Sot”, etj, etj...
Unë nga çfarë lexova në artikull, nuk besoj se ia vlente që e gjithë përralla e Myftarajt të botohej me një titull kaq bombastik, vetëm e vetëm për të shpjeguar dallaveret e disa njerëzve të ndyrë dhe të rafinuar të politikës së sotme shqiptare, njerëz të cilët mjerisht po i përdornin këlyshët e vegjël të “Mjafti-t” për interesat e tyre të fëlliqura.
Por me sa duket, siç më ka thënë edhe vetë Myftaraj në një rast bisede të lirë me mua, gjithmonë sipas tij, gazetat shiten mirë kur në artikujt e tyre përdoret emri “Frimason”. Emri “mason” tashmë në Shqipëri tingëllon shumë seksi, thotë një nga miqtë e mij të ngushtë gjithashtu! Ky është ndoshta dhe “mëkati” i Dan Braunit i cili vazhdon të shkruaj intensivisht romane interesante mbi masonët dhe masonizmin.
Në një gazetë tjetër, në atë të Rilindjes Demokratike, njëfarë Besnik Aliaj, në një nga intervistat e tij, me një siguri të frikshme thoshte se masonët dhe grupet masonike, po e përçajnë Partinë Demokratike... “Prite Zot”, i thashë vehtes sime! Nga kjo deklaratë del se sipas z.Aliaj, të gjithë grupistat, klanistat, xhepistat, qurrashët dhe dallkaukët ordinerë të gjitha ngjyrave, dhe që nuk është çudi që të kenë penetruar edhe brënda P.D-së, duhet që të jenë patjetër masonë nga qëndrimi i tyre!!! Shkurt sipas z. Besnik Aliaj, i bie që këto monstra të jenë patjetër kopukë dhe masonë, gjithmonë sipas artikullshkruesit...
Ky trim i vogël, me një gur po na vriste papritur dy zogj të mëdhenj. Por me këtë rast unë do të doja ti kujtoja një gjë z. B. Aliaj!
Në qoftë se masonët në Shqipëri, do të kishin qënë anëtarë të P.D.-së dhe të P.S.-së gjithashtu, ose të çfarëdo lloj partie tjetër, ata do të ishin padyshim një faktor i fuqishëm progresi dhe uniteti. Po kështu ata do të ishin një faktor prosperiteti ekonomik dhe moral, i cili do t’i bënte ata, një gur themeli në përsosjen e marrëdhënieve midis njerëzve!
Pra, z. Aliaj le të mos i shesë masonët kaq lirë, sepse nuk ja ka lënë askush në dorë atij një gjë të tillë... Le të jetë pra ky fenomen një lapsus i gazetarisë së çoroditur Shqiptare e cila kontrollohet nga mafia kriminale në të gjitha segmentet e saj, se sa nga fakti i ditës dhe nga të shkruarit esëll...
Një fushë tjetër ku është komentuar dhe “regjistruar” masonizmi i ashtuquajtur shqiptar, është padyshim edhe media e internetit. Ajo duket më e sofistikuar dhe më enigmatike në rastin tonë.
Po pse kështu?
Kujt do t’i interesonte një gjë e tillë që të ashtuquajturat lajme të sakta dhe të dokumentuara mbi masonët shqiptarë, të rezultojnë një ditë të gënjeshtërta dhe të përfundonin në koshin e plehrave!!! E kujt do të ishte kjo lojë? Ja disa nga faktet të cilat unë dua t’i përmënd me këtë rast…
Në këtë media thuhet se janë bërë përpjekjet e para për krijimin e një lozhë masonike qysh nga viti 1993! Por kjo mbeti thjesht një lajm pa konfirmim; përpjekje... ??? Pastaj përmendet diçka më 1999! Krijohen disa Webb-Site fantazmë, që përveç titullit s’kanë kurrfarë informacioni tjetër, etj, etj... 
Do të ishte pikërisht viti 2000, kur do të kishim një informacion të shpallur në një “letër lajm” të masonerisë Italiane, konkretisht GOI, ku në pak rrjeshta shpallej krijimi i të ashtuquajturës lozha “e parë” shqiptare!!!
Një lajm vërtet interesant për tu analizuar, i cili siç e përmëndëm në disa rrjeshta më sipër, ishte hedhur në internet nga Grand Orienti i Italisë, që po përpiqej “të ngrinte në këmbë” masonerinë shqiptare... Aty thuhej shprehimisht: Më datën 19 shkurt 2000, Mjeshtri i madh Massimo Bianchi, i shoqëruar nga një tjetër Mjeshtër i madh Gustavo Oraffi, bëri një udhëtim në Sh.B.A, për të marrë pjesë në një Konferencë Botërore të Mjeshtrave të Mëdhenj të Amerikës së Veriut. 
Këtu, në këtë aktivitet, Massimo Bianchi ka deklaruar në mënyrë solemne se ka iniciuar një ceremoni për 10 profanë të nacionalitetit shqiptar në Llozhën “Cairoli Risorta (777)”, dhe 5 të tjerë në një lozhë tjetër me emrin “Saggezza Triumfante (984)”, lozha të cilat janë të lokalizuara në zonën e Barit (Itali). Ky lajm në vazhdim thekson se, këto janë zhvillime në shtëpinë masonike të Barit, nën drejtimin e Mjeshtrit të Madh Aggiunto Mario Misuri, ish Mjeshtrit të Madh Virgilio Gaitto, dhe një numër mjeshtrish dhe vëllezërish të tjerë, të cilët kishin ardhur jo vetëm nga zona e Pulias, por edhe nga zona të tjera të Italisë.
Këta vëllezër të rinj, të cilët morën pjesë në familjen tonë të traditave kulturore antike, përgjithmonë janë të lidhur me vëndin tonë, dhe janë ndër më të mirët shqiptarë - në fushën profesionale, akademike dhe artistike. Për shumë vite ata kishin qenë të lidhur me kryemjeshtrin e atëhershëm dhe të tanishëm Virgilio Gaitto, dhe kanë manifestuar dëshirën e tyre të fortë për tu edukuar nga drita masonike e GOI-t. Për të qartësuar përfundimisht situatën politike, me rënien e diktaturës komuniste, nën të cilën shumica e tyre kanë vuajtur persekutime të ndryshme, më në fund ata po realizojnë aspiratat e tyre, falë kujdesit konstant të ish mjeshtrit të madh dhe të përndriturit.
Ata (mjeshtërit), kanë arritur të vendosin si prioritet ardhjen në Itali të 10 profanëve, të cilët do të mund të ndërtojnë themelet e një lozhe shqiptare, e cila nuk ka egzistuar më parë. Më pas e ka marrë fjalën kryemjeshtri Massimo Bianchi, i cili në fjalën e tij duke e përforcuar fjalën e kryemjeshtrit Giatti, ka dëshmuar në mënyrë konstante mbështetje për fillestarët e rinj që kanë formuar tashmë në Tiranë shoqatën para-masonike me emrin “Vëllazëria Shqiptaro-Italiane”, që gjëndet e regjistruar konform ligjeve, dhe që mund të shërbente gjithashtu si një bazë për themelimin e llozhës së madhe Shqiptare.
Vëllai Giatto ka theksuar rëndësinë e veçantë të penetrimit të masonerisë Italiane në “vëndin e Shqipeve”, duke përfituar nga demokracia e re në vënd. Kjo gjë i bën “Vëllezërit Shqiptarë”, të sotëm dhe të nesërm, me ndihmën Italiane, për të mbrojtur dhe forcuar principet e masonerisë, universalitetin e saj nën ritin e lashtë. Pranimi i 10 profanëve (fillestarë) të cilët i përkasin fesë muslimane, u krye duke bërë betimin solemn mbi kuranin (i cili konsiderohet si libri i shenjtë për ta), dhe si një simbol i ligjit moral i cili inspiron një mason të vërtetë...
Një tjetër informacion nga interneti është dhe ky, që po ju tregojmë tani. Në vitin 2005, në muajin prill, lozha e madhe e Anglisë, në buletinin e saj të lajmeve, vë në dukje se në Shqipëri është krijuar llozha e parë Shqiptare, e cila quhet Lozha “Ha-shem Nr.39”!!! Pra ata me krenari e deklarojnë dicka të tillë, dhe nënshkrimi i këtij lajmi është bërë nga Brother. Eye Rue Alexander Gabiro, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të këshillit të Lartë Masonik për Anglinë dhe Uellsin. 
Gjithashtu me këtë rast jepet edhe një adresë, e cila është: 16 Victoria Park, Dover, Kent, CT16 1QS England. Jepet edhe numri i telefonit të tyre (44) 079 09 65 39 86 dhe kontakti me postën elektronike //.com. Kjo konsiderohet nga Këshilli i Lartë Masonik për Anglinë dhe Uellsin si llozha e parë e konsakruar në Shqipëri, në kryeqytetin e tyre Tirana...
Por në nëntor të vitit 2006, pra një vit më vonë, është një tjetër vëlla me emrin Ken, i cili nën dixhiturën “Vizitor Ndërkombëtar”, përgënjeshtron faktin se në Shqipëri egziston një lozhë e tillë, e cila ishte anoncuar një vit më parë nga Këshilli i Lartë, siç dhe ishte deklaruar prej tyre!
Konkretisht ai ishte shprehur nëpërmjet e-mail-t që i dërgon vëllezërve të lozhës së tij në Angli:
Në udhëtimet e mija më të fundit, unë kalova nëpërmjet Sërbisë, Kroacisë, Malit të Zi dhe Shqipërisë... Vonë në mbrëmje sot, do të mundohem të arrij anijen për në Korfuz të Greqisë... Shqipëria është një vënd i mrekullueshëm. Tashmë ajo dallohet për një diversitet të madh, në disa situata nga më të mjerueshmet të cilat unë kam parë, dhe mundet të shikohen në kontrast me shumë pallate të reja fantastike të cilat janë ndërtuar buzë rrugëve kryesore.
Shqipëria bëhet interesante gjithashtu nga e kaluara e saj historike... Dhe një javë më parë unë pata lexuar informacione nëpër gazeta të ndryshme që të gjitha fetë kishin qënë të ndaluara në periudhën e komunizmit për 45 vite me rradhë. Por tani feja është e lirë në Shqipëri, aq sa mund ta kem kuptuar unë! Megjithatë, kishat dhe xhamitë janë të rralla... E prapë se prapë, unë nuk pashë asgjë e cila mund të fliste për masonizmin këtu. Për më tepër, asnjë informacion i tillë nuk ishte rregjistruar në internet... (Ky e-mail është regjistruar në postën elektronike më datë 30.11.2006, nënshkruar: vëllazërisht nga Kent)!
Por sipas këtyre burimeve të çuditshme të internetit, na lind e drejta të mendojmë se aktualisht në Shqipëri kemi dy lloje lozhash masonike: njëra prej tyre, siç theksohet edhe më lart, paskësh qenë formuar në vitin 2000, nën kujdesin e “GOI”-it; dhe tjetra në 2005, nën kujdesin e “Këshillit të Lartë Masonik të Anglisë dhe Uellsit”. (???!!!)
Por në të vërtetë, realiteti Shqiptar, pamvarësisht nga të tilla informacione në dukje ineresante, nuk na afron asgjë serioze, asnjë lozhë të rregullt ose të parregullt, apo edhe të përzier sipas standarteve minimale, në Shqipëri!
Çfarë po ndodhte në të vërtetë? Pse gjithë ky interesim i madh mbi fillimin e masonizmit në Shqipëri?
Ne të gjithë i dimë cilësitë dhe funksionimin e një lozhe të rregullt, e cila bazohet në parimet themelore të frimasonizmit. Porse neve po e theksojmë përsëri se ende nuk e kemi parë një llozhë të tillë brënda territorit të Shqipërisë... Por qënka e shkruar diku që, paradokset në këtë drejtim ende të vazhdojnë...
Në 6 dhjetor të vitit 2009, në një lajmërim të shkurtër gati telegrafik të periodikut të GOI-t, thuhet se janë 15 shqiptarë të cilët janë bërë mjeshtra masonë, nën kujdesin e tyre! Sikur të mos mjaftonte ky informacion i përmendur pak më parë me deklarata dhe kundër-deklarata mbi lozhat masonike shqiptare INEGZISTENTE, prapë G.O.I. Italian bëri shakanë e radhës. Por lind pyetja? Përse kaq shumë propagandë për gjëra të tilla të cilat nuk mbështeten nga realiteti? Përse të flitet kaq shumë për lozha masonike kur në Shqipëri nuk ka masonë të mirëfilltë të cilët të jenë ngritur në nivelin e mjeshtërit nëpërmjet një rituali, i cili zhvillohet normalisht brënda një lozhe të caktuar kudoqoftë? A është në interesin e ndokujt që të monopolizojë lëvizjen masonike Shqiptare, duke e bllokuar me gënjeshtra dhe përralla të këtij lloji?
Unë tashmë si një mjeshtër mason me një eksperiencë relativisht të gjatë, i ardhur për këtë qëllim nga lozha e Madhe e Nju Jorkut, me forcë e besoj një gjë të tillë...
Unë po besoj gjithashtu, duke marrë shkas nga të tilla informacione të kombinuara nga media e huaj e internetit dhe ajo shqiptare, se për një kohë të gjatë segmente të mafies shqiptare dhe asaj botërore, fshihen mbrapa këtyre lajmeve të rreme mbi llozhat INEGZISTENTE.
Éshtë pikërisht kjo mafie dhe elementë të korruptuar të piramidës së shtetit Shqiptar, të cilat e shikojnë potencialisht të rrezikshme për pushtetin e tyre, funksionimin e lozhave të rregullta masonike... Pra ishte e qartë tashmë se vetëm masonizmi me autoritetin e tij të padiskutueshëm do të sillte elementët e vërtetë të demokracisë së shumëpritur shqiptare!
Mbasi kisha punuar intensivisht me një grup modest dashamirësh të masonizmit për muaj të tërë, duke eleminuar dukshëm të gjitha gabimet e paraardhësve tanë të mëparshëm që i treguam pak më lart, me seriozitetin më të madh, ne më në fund arritëm të krijonim të parën shoqatë masonike në Tiranë, mbas një periudhë shkëputjeje të një kohe tepër të gjatë. Ajo erdhi në jetë me emrin “MIQTE E MASONËVE”! Kjo ndodhi kur gjykata e Tiranës aprovoi kërkesën tonë për një gjë tillë. Kjo siç është edhe e regjistruar, e mori të drejtën e qytetarisë nga Gjykata Civile e Tiranës, konform të gjitha ligjeve të shtetit Shqiptar. Ishte pra dita e 3 Nëntorit të vitit që shkoi, 2009-tës! Por në fakt në qershor të vitit të kaluar, një grup modest dashamirësh së bashku me mua, u mblodhëm për të marrë një vendim të tillë.
Në qershor ne porositëm një vulë për shoqatën tonë të ardhëshme dhe ajo u bë gati. Më pas u morëm me përgatitjen e dokumentave të përshtatshme për t’i paraqitur në gjykatën e rrethit siç e përmëndëm edhe më lart.
Por përgatitja e dokumentave na mori disa muaj kohë, nga mungesa e eksperiencës sigurisht, por edhe sepse askush nuk ishte në gjëndje që të na ndihmonte për momentin nga ana juridike në një rast të tillë. Askush nuk dinte të thoshte diçka të qartë mbi masonizmin dhe qëllimet e egzistencës së tij. Siç duket dëshira e mirë nga ana jonë nuk mjaftonte në këtë rast.
Por falë këmbënguljes së A. Alliut dhe inteligjencës natyrale të A. Bogdanit, së bashku edhe me nja dy-tre miq të tjerë po të këtij grupi, edhe ne arritëm më në fund të ndërtonim diçka të mirë.
Çdo ditë mbas pune, gati në orët e mbrëmjes, ne mblidheshim mbi kompjuter dhe përpiqeshim që t’u jepnim formë juridike, gjithçkaje që kisha mësuar unë si mjeshtër frimason, njohuritë e mia gjatë viteve si frimason i ardhur nga lozha e madhe e Nju Jorkut! Implementimi i këtyre ideve dhe mënyrës se si duhej t’i përshtateshin si rregulla një shoqate, do të inspironte që ta kthente traditën masonike shqiptare, dhe që t’i jepej mundësia kësaj lëvizjeje të ngrihej mbi dy këmbët e saja dhe të ecte si dikur...
Kjo ishte një ditë e madhe për shqiptarët!
Por në Shqipëri sot, gjërat e mëdha i lakmojnë krimbat e vegjël. E kam fjalën për pushtetarët tanë të cilët më së shumti i trajtojnë ngjarje të tilla me mediokritet dhe me xhelozi, dhe më shumë se kaq i luftojnë pa mëshirë ato, për faktin e vetëm se ndiejnë rrezikun e ditëve të reja që do të vijnë. “Të majtët” dhe “të djathtët” në Shqipëri sot, sillen si një sajesë e ligë, dhe që i kanë transformuar shqiptarët e sotëm në specie që shikojnë ëndërra me sy hapur, dhe i detyrojnë të vazhdojnë ta presin demokracinë pafundësisht si një gjë që nuk do të vijë kurrë, sepse kështu duan ata!
Por masonizmi përditë e më shumë po bëhet një realitet i prekshëm nga të gjithë. Shoqata jonë tashmë ka dy mbështetje shumë të forta, atë të Lozhës së Madhe të Nju Jorkut, nga ku unë erdha, dhe atë të Lozhës së Madhe të Austrisë. Kjo e dyta me kontaktin që patëm në prillin e këtij viti në Vjenë, vërtet ishte një fitore premtuese për këtë lëvizje relativisht të re.
Ne kemi dalë në publik dhe çdo ditë e më tepër po forcohemi si faktor masonik. Së shpejti në bazë të përgatitjes teorike të “Miqve Tanë”, ata janë gati që të përfaqësohen me kandidaturat e tyre të para për t’u pranuar në nivelin e parë të çirakut ( The Entered Apprentice).
Urime kandidatëve të parë!
Më në fund ne do të dalim nga errësira e gjatë, nga manipulimet e pështira të ish pinjollëve të klasës kriminale komuniste e cila luan në të gjithë gjatësinë e segmenteve të saj, si organizatë mafioze. Ata kanë bërë përpjekje që të krijojnë lozhat e tyre (zoti na ruajtë nga kjo hata e madhe). Po kë quajnë lozhë këta derdimenë, dhe kë quajnë masonë gjithashtu?!!!
Por një gjë dihet mirë, se këta kriminelë, hajdutë, pederastë, dhe armiqtë më të egër të popullit shqiptar, nuk do të kenë shancin më të vogël për t’u bërë masonë.
Dhe me që ra fjala, në disa artikuj dhe përkthime të hedhura në internet si rastësisht, përmënden emra të tillë si Enver Hoxha, Fatos Nano, apo edhe Edvin Rama, midis shumë të tjerëve emra të cilët nuk kanë treguar moral dhe dëshirë për të punuar për njerëzit e këtij vëndi i cili quhet Shqipëri, emra që nuk kishin dhe nuk kanë as shancin më të vogël për tu bërë frimasonë. Ky është një mallkim ndaj punëve të tyre të liga që kanë bërë ndaj popullit dhe vëndit të tyre, sot e përgjithmonë. 
Për pasuesit e tyre, të korruptuarit e çdo forme, pseudo-demokratët, dhe sharlatanët e të gjitha ngjyrave të cilët mendojnë se paraja dhe krimi do t’i çojë përpara, nuk do të kenë mundësi gjithashtu që t’i afrohen masonizmit!
Dhe më në fund një këshillë për mercenarët dhe ata që arrijnë të penetrojnë në lozhat apo shoqatat paraprake masonike:
Të kenë kujdes dhe t’i rrinë larg urdhërit masonik!
Përndryshe ata do të kenë ndoshta fatin më të hidhur se të gjithë të tjerët të cilët i përmënda pak më lart. Mercenarët duhet ta dinë se do konsiderohen tradhëtarë dhe spiunë të kësaj çështjeje kaq të madhe dhe humane, dhe do ndëshkohen shumë egër, ashtu siç është parashikuar edhe nga kushtetuta masonike.
Brënda një Lozhe masonike gjithmonë ka dhe duhet të ketë vënd vetëm për njerëz me zemër të madhe, vizionarë dhe njerëz me virtyte të larta, të cilët vënë gjithçka të mirë që kanë brënda vehtes së tyre, në shërbim të familjes, atdheut, dhe frimasonizmit, si filozofi dhe praktikë të përditshme të jetës së tyre!!!