Translate

Reklama

Tuesday, February 19, 2013

KONSTANDINI I MADH, MË I MADHI I RACËS ILIRE



Konstandini i Madh lindi në Naissus (Nish) më 27 shkurt 272. Vdiq në Ancyra (Ankara) më 22 maj 337. Perandor nga viti 306 deri ne vitin 337.
Titujt perandorak
Imperator Caesar Caius Flavius Valerius Constantinus, Piu Felix Victor Augustus, Pontifex Maximus, Pater Patriae, Germanicus Maximus (4 herë) Sarmanticus maximus (2 herë), Gothicus Maximus (2 herë), Dacicus Maximus, Tribunicae Potestatis (21 herë), Consul (7 herë), Proconsul.
Mbishkrimet në monedha
Bono Republicae Nato (I lindur për të mirën e shtetit)

Familja
Babai i Konstandinit të Madh ishte Perandori Konstanci I, e ëma Helena, e shpallur shejtore njihet botërisht si Shën Helena. Nga martesa e parë me Minervinën pati një djalë, Krispin; ndërsa me gruan e dytë, Faustën, vajzën e Perandorit Maksimian, pati tre djem: Konstandini II, Konstanci II dhe Konstanti I, si dhe dy vajza: Konstantina dhe Helena.
Veçanësitë
-Perandori i parë i krishterë
-Themeluesi i Konstandinopojës. Vizioni i Tij për Romën qytet të përjetshëm që mishërohej në Konstandinopojën jetoi për 1129 vjet. Deri te Konstandini XI që u vra në luftë kundër osmanëve në muret e Konstandinopojës, të gjithë perandorët e Perandorisë së Lindjes për 11 shekuj e kanë quajtur veten pasardhës të Konstandinit të Madh.
- Ndërtuesi i objekteve më të mëdha kristiane. E quante veten përfaqësues të zotit mbi tokë dhe i dha sundimit të vet karakter hyjnor.
- Është shpallur shejt nga kisha e krishterë. Kisha e Lindjes e konsideron si shejtorin më të madh.
Rinia e Konstandinit
Gjatë njërës prej fushatave në Lindje, gjenerali Konstanc u njoh me Helenën, vajzën e një familje të thjeshtë. Nga martesa e tyre lindi Konstandini. Kur Perandori Dioklecian vendosi ta shpallë Konstancin I Çezar, për të shuar shpresat dinastike të Tij e mori Konstandinin pranë vetes në Nikomedi. Konstandini qëndroi atje gjatë gjithë kohës, i rrethuar me përkujdesje të veçantë dhe u mësua prej dijetarëve më të shquar të kohës. Ai shfaqi prirje të forta në artin ushtarak, politikë dhe arkitekturë. Autorët antikë e përshkruajnë "me trup dhe mendje të hijeshuar prej Hyut, shprehje të butë dhe pamje madhështore. Dukej i rezervuar dhe i mëshirshëm në paqë dhe i vendosur e imponues në luftë. Gjeneral i madh që dinte të frymëzonte të vetët me dashuri dhe armiqtë me terror". 
Me këtë shenjë Ti do të fitosh
Ende i ri në moshë, Konstandini u angazhua në luftëra në krah të Perandorit Dioklecian kundër uzurpatorit Achilens në Egjypt dhe Palestinë. Pastaj i'u bashkua Perandorit Galeri në luftë kundër sarmantëve. Në vazhdim ishte me babain e Tij kundër piktëve, duke realizuar fitore të madhe. Sapo i vdiq babai, trupat e shpallën August në Britani. Me këtë titull, Konstandini kapërceu Kanalin dhe mundi frankët, duke vrarë mbretërit e tyre: Ascaric dhe Merogaise. Pastaj fitoi edhe një betejë tjetër me barbarët në Massilia (Marsejë).
Në vitin 312, duke përfituar nga kërkesa që i bëri Senati për çlirimin prej tiranisë së Maksencit, u nis për në Romë. Ndërsa po afronte ora e betejës, Konstandinit i'u shfaq në qiell një kryq, mbi të cilin ishte shkruar: "In hoc signo vinces" (Me këtë shenjë Ti do të fitosh). Ushtria konstandiniane kishte 70 mijë këmbësorë dhe 8 mijë kalorës, ndërsa ajo maksenciane 170 mijë këmbësorë dhe 18 mijë kalorës. Megjithatë ishte klasi i gjeneralëve që vulosi fatin e betejës. Lufta përfundoi me triumfin e plotë të gjenisë konstandiniane. Beteja mbi urën Milvius është parë nga autorët kristianë si shprehje e vullnetit hyjnor, për ta nxjerrë krishterimin nga katakombet në dritën e diellit. Kjo betejë shënon pikë kthese në proceset e zhvillimit historik, si njëra ndër ngjarjet më të rëndësishme të Historisë së Vjetër.
Drejt Ëndërrës konstandiniane: Një zot, një Perandor
Koalicioni i barbarëve, i përbërë prej bruketrëve, chamovëve, cherusquitëve, lancionëve, alemanëve dhe tubantëve, duke përfituar nga angazhimi i Konstandinit në Itali, theu traktatin e paqës të vitit 306. Ushtria perandorake rikthehet me shpejtësi e në luftime të ashpra i shpartalloi krejtësisht armiqtë. Shteti i stërmadh romak tani qeverisej nga dy Augustë: Konstandini dhe Licinusi (burri i motrës së Konstandinit). Duke përfituar nga mosmarrveshjet në zgjedhjen e çezarëve, Konstandini filloi eleminimin e kunatit. Beteja e parë në mes tyre u zhvillua në Cibalae (Vinkovc të Panonisë) dhe kurorëzohet me fitoren e Tij, por megjithatë Licinusi mblodhi forcat për një betejë të dytë, në Campus Ardiensis, të cilën e humbi përsëri. Pas këtyre fitoreve, Iliriku kaloi në pjesën konstandiniane të sundimit.
Me vendosjen e paqës së brendëshme, furia konstandiniane ndëshkoi sarmantët, që kishin kapërcyer Danubin dhe pastaj shpartalloi gotët e mbretit Rausimod. Por pas pak, ekuilibret e brendeshme u prishen përsëri, si rrjedhojë e ndërhyrjes së Konstandinit në pjesën e shtetit që sundohej prej Licinusit.
Asnjë lloj provokimi nuk kishte, por në ndjekje të armiqëve Konstandini ishte i detyruar të hynte me ushtrinë e Tij në pjesën e sundimit të Licinusit, pa rrezikuar asnjë marrëveshje të arritur me kolegun e vet. E vërteta është se kërkohej thjesht një pretekst për ta prishur marrëveshjen dhe në çdo situatë pretekse mund të gjenden. Licinusi si kundërpergjigje hoqi dorë nga Edikti i Mediolanumit, që ndalonte persekutimin e të krishterëve.
Me një ushtri prej 120 mijë këmbësorë dhe 10 mijë kalorës, Konstandini u shfaq në rrethinat e Adrianopolit, ku e priste Licinusi me 150 mijë këmbësorë dhe 15 mijë kalorës. Në betejën e parë në Bizant, ushtria e Licinusit u mund dhe u detyrua të terhiqet në Azinë e Vogël, për një betejë të dytë në Chrysopolis. këtu ushtria e Licinusit u mund dhe vetë Ai dorëzoi purpurin perandorak në kryeqytetin e vet në Nikomedi. Motra e Konstandinit, Kontsnatia i kërkoi vëllait faljen e jetës për të shoqin Licinusin, i cili në fillim vetëm u burgos, por pastaj u akuzua për bashkëpunim me barbarët dhe u denua me vdekje. Konstandini u bë kështu sunduesi i vetëm i Perandorisë.
Si perandor i vetëm Konstandini udhëhoqi një fushatë të suksessshme kundër gotëve në Danub. Edhe në vitin 334, Konstandini personalisht ishte i angazhuar në luftimet kundër sarmantëve, duke futur në kontroll pjesën më të madhe të Dakisë.
Vdekja e Konstandinit
Konstandini festoi Pashkët më 3 prill 337. Meqenëse nuk ndihej mirë shkoi në Thermae Pythiae dhe pastaj në Helenopolis, ku e kapën ethe të forta. Vdiq ditën e Pentekotës, më 22 maj 337 në Ancyra (Ankara), jo larg prej Nikomedisë. Para se të vdiste mori pagëzimin si i krishterë. Trupi i Konstandinit, i futur në arkivol të artë dhe i mbuluar me purpurin imperial u varros në Konstandinopojë, në Kishen e Apostujve të Shejtë, ku ishin përgatirur edhe dymbëdhjetë varret simbolike të dymbëdhjetë apostujve. Varri i Tij në mes të apostujve ishte shprehje e dëshirës së Tij për tu shpallur i shejtë dhe më i madhi njeri që kishte jetuar mbi tokë, domethënë më i madhi i apostujve.
Roma e re në buzë të Bosforit
Kur perandori ilir i Romës, Konstandini, e pa për herë të parë Bizantin, qyteti kishte thuajse njëmijë vjet jetë. Që në shekullin VII para Krishtit ekzistonte këtu një qytet i vogël, me akropolin në kodër, aty ku sot shtrihet Shën Sofia dhe Pallati i Sulltanëve. Në të vërtetë fillimisht Konstandini kishte në plan thjeshtë të ndërtonte një qytet, ku të përjetësonte emrin e tij, por pas vizitës së dytë në Romë, e pa se qyteti i vjetër, me tërë atë traditë republikane dhe pagane s’kishte se si të shndërrohet në zemrën e Perandorisë së re të krishterë. Prandaj në vitin 330 të erës sonë, në atmosferën e festimeve, që zgjatën katër ditë, Konstandi i Madh e transferoi rezidencën e tij perandorake në brigjet e Bosforit. Sipas legjendës ishte vetë zoti, që iu shfaq Augustit në ëndërr dhe i tregoi vendin e kryeqytetit të ardhshëm. Me pretendimin e frymëzimit hyjnor, Konstandini i vendosi vetë kufijtë e qytetit të ri, duke i lënë pa mend bashkëkohësit, që shihnin atë hapësirë të pafund, e cila një shekull më vonë do të dukej tepër e ngushtë.
Dyzet mijë gotë morën pjesë në ndërtimin e Kryeqytetit të ri, për zbukurimin e të cilit nuk u kursyen thesaret e Romës, Aleksandrisë, Efesit, Antiokes dhe Athinës. Vëmendje i’u kushtua mbrojtjes së qytetit. Muri, që shtrihej prej bregut të Marmarasë në Bririn e Artë, e mbronte prej sulmeve tokësore. Në qendër të qytetit u ndërtua Milioni, vendi ku gjendej guri i parë miliar (gur miljesh në rrugët romake). Ai vend konsiderohej si qendra e botës. Dhe prej aty fillonte llogaritja e hapësirës së territoreve deri atëherë të njohura të Planetit. Katër harqe triumfi formonin një shesh katëror, me një kupolë përsipër, mbi të cilën qe vendosur Kryqi i vërtetë i Kryqëzimit të Krishtit, që Nëna Perandoreshë, Helena e kishte sjellë nga Jeruzalemi. Pak më në lindje, aty ku më parë ishte Tempulli i Afërditës, u ndërtua kisha e parë e madhe, Shën Irena, që nuk i kushtohej ndonjë shejtorje, por paqes së shejtë të Zotit. Disa vjet më vonë u ndërtua edhe Shën Sofia, kisha e mençurisë hyjnore. Qindra metra më larg, në drejtim të Detit Marmara u ngrit Hipodromi i Konstandinit, në qendër të cilit ngrihej “Kolona e Gjarpërit”, që Perandori e kishte marrë nga tempulli i Apollonit në Delf. Në anën perëndimore të Hipodromit ishte Lozha Perandorake, që lidhej me shkallare spirale me kompleksin e gjërë të salloneve, zyrave qeveritare, apartamenteve, banjove, e tjerë. Nga Milioni drejt perëndimit u ndërtua një Forum i mrekullueshëm oval me dysheme mermeri. Në qendër ngrihej një kolonë porfidi tridhjetë metra e lartë, e sjellë nga Helipoli i Egjyptit, që u vendos mbi një bazament mermeri gjashtë metra të lartë. Brenda kolonës kishte relike shumë të çmuara, që do t’i kishin lakmi të gjitha qytetet e botës të marra së bashku, ndër të cilat sopata me të cilën Noea kishte ndërtuar arkën; copat e bukës, me të cilat Krishti pati shuar urinë e njerëzve; shishja e pomadës e Maria Magdalenës dhe statuja e perëndeshës Athina, që Enea e pati marrë me vete, kur iku nga Troja. Ndërsa në majë ishte një statujë me trupin e Apollonit dhe kokën e Perandorit Konstandin, të rrethuar me një brerore rrezesh. Perandori me dorën e djathtë mbante skeptrin, ndërsa me të majtën një glob që kishte brenda një copë të Kryqit të Vërtetë. 
Atëherë çfarë i mungonte Konstandinopojës për të qenë e barabartë me Romën? Atje kumbonte gjuha e romakëve dhe banorët e saj vazhdonin të quheshin romakë. Ja si e përshkruante Konstandinopojën një kryqtar, që mori pjesë në pushtimin e saj: “Që nga krijimi i botës nuk ka pasur aq shumë thesare, fisnikë, njerëz të pasur, as në Kohën e Aleksandrit dhe as në kohën e Karlit të Madh, as përpara dhe as prapa, dhe unë mendoj se në dyzet qytetet më të pasura të botës nuk kishte aq pasuri sa në Konstandinopojë. Grekët thonin se dy të tretat e pasurisë së botës ishin në Konstandinopojë dhe një e treta ishin shpërndarë nëpër botë”. 
Konstandinopoja ishte e rrethuar me mure në pjesën e saj detare dhe një mur trefish në pjesën perëndimore. Për më shumë se njëmijë vjet, muret e Konstandinopojës e shpëtuan Perandorinë prej humbjeve, madje edhe prej zhdukjes së plotë prej armiqëve të saj të shumtë. Në fakt, muret e Konstandinopojës mbronin më shumë se Perandorinë; ato mbronin qytetërimin romako-bizantin. Qyteti ishte bërë prej kohësh shprehje e dëshirës konstandiniane për ndërtimin e Perandorisë së Krishterë Romake, e cila duhet të ishte shteti i të gjithë të krishterëve të botës, në kufijtë e mëparshëm të Perandorisë. Kisha dhe Shteti ishin bashkuar në një partneritet të pandashëm, që reflektonin rregullin hyjnor. Administrues i këtij rregulli ishte Perandori Romak, zevendës i zotit në tokë dhe “Apostull i Trembëdhjetë i Krishtit”, që sundonte si një autokrat i krishterë prej selisë së tij në Konstandinopojë. Konstandini e pati lënë punën e nisur në mes dhe ndër pasardhësit, Justiniani siguroi madhështinë konstandiane. Ai shpenzoi gjithë periudhën e vet të sundimit për realizimin e madhështisë romake. 
Perandorët ilirë në Perandorinë Romake të Lindjes
Perandorët ilirë konsiderohen si themeluesit e Perandorisë Romake të Lindjes, por studiuesit nuk kanë rënë në një mendje se cili prej tyre konsiderohet perandori që themeloi Bizantin. Disa studiues e marrin problemin që nga rrënjët dhe i’a dedikojnë Dioklecianit ndarjen e shtetit romak dhe krijimin e Perandorisë së Lindjes. Sipas tyre, tetrarkia e Dioklecianit ishte ndarja e parë në pjesë e shtetit dhe që nga ajo kohë Perandoria Romake nuk pati kurrë një qendër të vetme. Të tjerë e lidhin Perandorinë e Lindjes me themelimin e Konstandinopojës, duke e quajtur Konstandinin e Madh si perandorin e parë Bizantin. Ndërsa një grup tjetër studiuesish nuk merret me shkaqet, por evidenton faktet historike, kohën kur Perandori Teodosi i Madh, (një sundues jo ilir i martuar me një princeshë ilire të shtëpisë perandorake Valentiniane) ua ndau shtetin dy djemëve të vet. 
Shumë perandorë ilirë, pas Konstandinit të Madh, sunduan nga selia e tyre e vendosur në Romën e Re. Përmendim Konstancin II, Julianin, Jovianin dhe Valensin. Gjatë sundimit të tyre Perandoria vazhdonte të kishte dy qendra: Romën dhe Konstandinopojën dhe mbeti e pandarë, pavarësisht se të dy pjesët po largoheshin gjithnjë e më shumë prej njëra tjetrës. Zyrtarisht Perandoria u nda në kohën e Teodosit të Madh, midis dy djemëve të tij dhe që atëherë nuk u bashkua më.
Pas ndarjes së perandorisë Romake në dy perandori të veçanta, në fronin e Konstandinopojës janë ulur tetë ilirë të mëdhenjë, të famshëm si gjeneralë, burrështetas gjigandë, patriotë të flaktë, që i dhanë kësaj pjese të Perandorisë shkëlqim dhe romanitet, qytete të lulëzuara, shumë kështjella mbrojtëse, qendra kishtare të shquara me privilegje të veçanta. 
Miti Konstandinian
Konstandini është padyshim burrë i përmasave të jashtëzakonshme. Ruajti me nder titullin "Victor" (Fitimtar). Nuk pati asnjë humbje në jetën e Tij.
Rikthyes i paqës. Vendosi qetësinë që nuk njihej që nga sundimi i Perandorit Antonin në vitet 138-161.
Shumë i aftë në legjitimimin e pushtetit. Mbrojti me vendosmëri prejardhjen dinastike prej Perandorit ilir Klaudi II. Vetë u martua me vajzën e Perandorit Maksimian dhe motren Konstantia e martoi me Perandorin Licinus.
Me revolucionin konstandinian u bënë ndryshime rrënjësore në shtet. Ndaloi persekutimin e të krishterëve, por për të ruajtur unitetin e Perandorisë vetë u bë i krishterë vetëm në prag të vdekjes.
Konstandini qe një legjislator i madh. Falë Kodeve të Theodosit (438) dhe Justinianit (529-534) kanë arritur deri tek ne 360 ligje të Konstandinit.
Reformator i madh. Rikonstruktoi eliten. Zmadhoi Senatin e Romës nga 600 që ishte në 2000 antarë, duke futur kriterin e meritokracisë si kusht për të qenë senator. 
Në fushën monetare dhe fiskale plotësoi sipërmarrjen e Dioklecianit. Nën sundimin e Tij Bizanti i vogël u bë Roma e Re (Qyteti i Konstandinit).
Konstandini është ndërtuesi i objekteve më të mëdha të kultit të krishterë: Katedralet e Shën Pjetrit, Shën Sofisë, Shën Gjonit. Në Vendet e Shejta ndërtoi Kishën e Lindjes, të Kryqëzimit dhe të Ringjalljes së Krishtit.