Translate

Reklama

Friday, January 18, 2013

NGA FERRI I LULIT TË VOCËR,TEK MURGESHAT QË BËJNË DASHURI ME ZOTIN...




      Migjeni arriti të flasë hapur brenda caqeve të gjuhës letrare për realitetin e botës seksuale që e rrethonte: për “femrën-mashkull, rrokun si dy vetë që mbyten”, për “shijen e mollës së ndalueme”, apo për “kafshimet” e herë pas hershme dhe të ndonjë “shuplake në trupat e lakuriqtë”. Akti i Migjenit mbeti pa pasues! Ai ishte i pari shkrimtar shqiptar i cili trajtoi nocionin e “dashurisë epshore”, “epshin kapërthyes”, të shkartisjes së ndjenjave “me fuqinë shtazore” si dhe të “buzëve që përpijnë dhe thithen nëpër skaje t’errta”. Ai përshkroi madje edhe joshjen shpirtërore të një murgeshe duke e pranuar atë haptazi, si dhe kurmin që ajo i zbuloi shenjtëve dhe që përfytyrohet kaherë me xhelozi blasfemuese…
    Jeta e tij ishte e shkurtër. Vepra e tij u rrit në mbizotërimin e anarkive të kohës që spikatën amoralitetin, absurditetin e zakoneve të përçudnuara apo siç e kishte përcaktuar vetë ai: “Kur ëndrrat çirreshin si këmishë e thurur me penj merimange dhe ku mbetej vetëm lakuriqësia e jetës banale”. Kjo ishte koha që donte të kapërcente Migjeni, kundër injorancës së regjimeve dhe pasuesve të turmave nga krizat letrare të realizmit socialist, por edhe të atyre njerëzve pa moral që mbronin idealet e moralit dhe nuk donin të kuptonin mesazhin migjenian. Morali i shoqërisë pak a shumë po aq i ngjashëm si i sotmi me të djeshmin. E gjitha kjo është përmbledhur në atë që sot njihej si, “Anarkia e tretë e Fan Stilian Nolit”, – një postulat i mbajtur në Parlamentin Shqiptar më 1924, – kur Migjeni ishte asokohe një djalosh 13 vjeçar. Noli do deklaronte mbi vlerat morale se në Shqipëri, “qeni nuk e njeh të zonë. Këtu karakteret dobësohen, qullosen dhe ndërrojnë formë e ngjyrë nga dita në ditë, si në kaleidoskop. Këtu ambiciet pa fre e pa kufi; këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha”. Përpos, Migjeni arriti të përshkruante më ngushtë moralin dhe imoralin në tablonë e përmbledhur të prostitucionit me një gjetje natyrale; të femrës që shkon me dy meshkuj njëri pas tjetrit, por edhe kafshimin e dhëmbëve mbi gjokset të paguara me para të grave të Migjenit. Sipas studiuesit Aurel Plasari, “Joshjen epshore ndaj një murgeshe ai e pranon haptazi dhe kurmi që ajo zbulon shenjtëve përfytyrohet me xhelozi blasfemuese”, tek Kanga Skandaloze… Ndoshta nuk është aspak blasfemi; përkundrazi një fryt i përmbledhur i katër feve të ndryshme që nuk kishin zënë rrënjë në popullin pagan:
 “Një murgeshë e zbetë 
 e ftohtë si rrasa e vorrit 
 me sy boj hini si hini i epsheve të djegna të gjallesës 
 me buzë të holla të kuqe 
dy gajtana pshertimet që mbysin ma la der’ vonë kujtimin 
 kujtimin e ftohtë të kalesës,”
duke vijuar më tej:
 “O murgeshë e zbetë 
 që bon dashni me shënjt 
 që n’ekstazë para tyne digjesh si qiriu pranë lterit dhe ua zbulon veten…
Smirë ua kam shejtënvet: Mos u lut për mue 
 se due pash më pash t’i bij ferrit.”
Shkrimtari shqiptar arriti të guxojë “heqjen e bragasheve”, duke kapërcyer hendekun letrar të kohës për të ngelur emancipues deri në ditët e sotme. Jo vetëm të joshjes shpirtërore ndaj një murgeshe, por për të gjitha kundërshtimet e shoqërisë pseudo- letrare që ai i ktheu përgjigje: “Unë jam pa moral. Koncepti im menduer – mos me thanë ideologjik – nuk pajtohet me moralin, të cilin kjo shoqëri ma imponon. Por unë e marr moralin e saj sa për sy e faqe. N’sa mbrapa unë ia loz kur të due. 
Kështu si unë ia lozin lojën shoqnisë me qindra e qindra vetë në vendin tonë”. Ashtu si çdokush që kërkon të thotë të vërtetën, por jo që çdokush e thotë atë, Migjeni arriti në prozat e tij të përligjte ndjenjat apo siç i quante ai “Skllavet e dokeve, zakoneve, të ligjeve të trashëguara në shekuj, skllavet e thashethemnajave dhe atje ku mundet të kuptohet se si mund të dashurohet edhe një kushërirë”. Në të njëjtën prozë, Migjeni ishte ndoshta i vetmi prozator i letërsisë shqipe që i dha vend përmasës homoseksuale alegorikisht duke përdorur termat, “pozitivi bashkohet me negativen”, por edhe përshkrimit të lojës erotike me vetveten, deri tek caku i masturbimit si tek, “Historia e njënës nga ato”: “Në mënyrë të panatyrshme, të rafinueme, të shpikun vetvetiu tue bashkue intelektin me epsh”. Edhe njëherë studiuesi Aurel Plasari e ka piketuar Migjenin si një emancipues dhe një kapërcyes të madh, “i cili pati guximin t´ia sugjerojë haptas të gjithëve epshin 
dhe seksualitetin, ndërsa çdokush që rrekej të studionte veprat e tij, do të merrte etiketimin si “frojdist”, 
“patologjist”, madje edhe “imoral”…Havel, e ka karakterizuar letërsinë e kësaj metode si të tredhur. Do të propozoja që me saktë do të ishte që realizmin socialist ta përfytyronim si një përftesë hermafrodite, as mashkull as femër, si puna e kërmillit, ushunjëzës, krimbave të tokës, që mbarsen me vetveten”… Çfarë 
ndihmë do të kishte dhënë letërsisë shqiptare Migjeni, po të kishte jetuar më gjatë? Ndonëse kjo, mbetet një çështje mbetet hipotetike, sepse zëri i tij individualist i protestës së vërtetë sociale do ta kishte pësuar të njëjtin fat si ai i shumicës së shkrimtarëve të talentuar të viteve dyzet. Të paktën, vdekja e herët e 
Migjenit, na e la shkrimtarin të paprekur… Para dhe pas Migjenit: “Seksi është mjerim!” 
     Si shkrimtar, ai i kishte tërë kushtet paraprake për tu bërë poet: një mendje kureshtare dhe kërkuese, një natyrë depresive pesimiste dhe ndoshta një realitet seksual të shtypur të parealizuar. Erotizmi deri atëherë nuk kishte qenë kurrë një tipar i dukshëm i letërsisë shqipe, por as edhe i autorëve të mëvonshëm që kanë shprehur haptazi impulset dhe dëshirat e tyre intime. Për të flitet se deri në moshën njëzet e gjashtë vjeçare, Migjeni poet mbeti i virgjër. Poezia dhe prozat e tij janë plot me figura grash, shpeshherë prostituta të mjeruara, për të cilat Migjeni ka treguar mëshirë por edhe interes të hapur seksual, qoftë edhe nëpërmjet syve të përlotur apo buzëve të kuqe.
 “Ato dy buzë të kuqe 
 Dhe dy lote të mija 
 Qenë shenjat e dhimbjes 
 Kur më vrau bukurija 
 Kur më zu dashunija 
 E më dogji rinija”.
 Për Migjenin akti seksual ishte një mjerim. Ai ishte mbushur plot me hidhërim dhe neveri – ashtu siç përshkruhet në “Poemën e mjerimit”: Mjerimi tërbohet në dashuni epshore. Nepër skāje t’errta, bashkë me qejë, mijë, mica, Mbi pecat e mbykta, të qelbta, të ndyta, të lagta Lakuriqen mishnat, si zhangë, të verdhë e pisa, Kapërthehen ndjenjat me fuqi shtazore, Kafshojnë, përpijnë, thithen, puthen buzët e ndragta, Edhe shuhet ūja, dhe fashitet etja N’epshin kapërthyes, kur mbytet vetvetja, Dhe aty zajnë fillin të mārret, sherbtorët dhe lypsat Që nesër do linden me na i mbushë rrugat. 
   Sipas albanologut dhe shkrimtarit, Robert Elsie, letërsia shqiptare u largua së tepërmi nga folklorizimet e Çajupit, Asdrenit, madje edhe të Fishtës. “Edhe pse nuk arriti të botojë një libër, poezitë e Migjenit patën një sukses të menjëhershëm në letërsinë moderne shqiptare, ndërsa kjo rrugë mbeti e hapur deri në fitoren e Stalinizmit” – ka përfunduar ai. Ndërsa filozofi dhe kritiku letrar, Arshi Pipa, në një citat të tijin mbi Migjenin, ka hedhur dyshimet se në çfarë mase Migjeni dinte shqip: “I lindur shqiptar në një familje me prejardhje sllave dhe pastaj i rritur në rrethana kulturore sllave, iu kthye Shqipërisë, gjuhës dhe kulturës shqiptare vetëm kur ishte i rritur. Gjuhën e shtëpisë ai kishte serbokroatishten dhe në seminar mësoi rusishten. Ai s’dinte shqip mirë. Shkrimet e tij janë plot me gabime ortografike edhenga më të thjeshtat. Sintaksa i tij nuk 
është normale për një shqiptar. Vërejtja mbi italishten e Italo Svevo-s është akoma më e vërtetë për shqipen e Migjenit”, është shprehur Arshi Pipa. Kritikët letrarë të pasluftës dhe të Realizmit Socialist, e shpalosën Migjenin në mënyrë krejt të përciptë dhe nuk ishin në gjendje të trajtonin disa aspekte të jetës dhe krijimtarisë së tij; simpatitë e tij për Perëndimin; seksualitetin e tij; elementin e Niçes në poemën “Trajtat e Mbinjeriut”. Megjithatë, “Kangët e Pakëndueme” të poetit janë akoma më aktuale se kurrë…