Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se sot do të nisë procesi i numërimit të votave të ardhura nga diaspora. Deri më tani, janë skanuar 890 lista përfundimtare të votuesve nga gjithsej 2 mijë e 533 lista të dërguara.
Gjatë mbledhjes së KQZ-së, drejtori i Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollim Financiar të Subjekteve Politike, Besnik Buzhala, njoftoi se rreth 730 zarfe me fletëvotime nuk janë vlerësuar ende, pasi po pritet përfundimi i skanimit të listave përfundimtare në përfaqësitë diplomatike.
Procesi i numërimit të votave të diasporës pritet të jetë vendimtar për rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve, ndërsa KQZ-ja theksoi rëndësinë e transparencës dhe korrektësisë në këtë fazë të procesit zgjedhor.