Nga:
Sovraniteti në kohët moderne nuk është më thjesht çështje e kompetencave brenda arkitekturës shtetërore, por mbi të gjitha, aftësi për të marrë vendime strategjike që sigurojnë interesat afatgjata shtetërore. Maqedonia e Veriut, në udhëkryqin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, po përballet me sfidën e balancimit të këtij sovraniteti me kërkesat e aleatëve të saj perëndimorë.
Politikani pragmatist do të thoshte se për të arritur këtë objektiv madhor, duhet të ketë një përputhje të plotë dhe të qartë me NATO-n, SHBA-të dhe BE-në. Por kur flasim për interesin shtetëror, nuk mund të mjaftohemi me retorikën diplomatike dhe premtimet e vagullta. Ajo që na duhet është të shohim me saktësinë e një argjendari se çfarë përfitojmë në realitet nga kjo aleancë, përtej deklaratave boshe dhe politikave të imponuara.
Në këtë fazë të historisë së saj, Maqedonia e Veriut nuk ka luksin të gabojë në kalkulimet strategjike. Bota është në një "gjurullti" globale ku raportet e forcave po ndryshojnë shpejt dhe askush nuk mund të parashikojë me saktësi milimetrike se çfarë sjell e nesërmja. Prandaj, nevojiten analiza të thella shkencore dhe jo retorikë politike të ashpër dhe rrahagjoksësi boshe.
Historia na tregon se gabimet e interpretimeve të ngurta të konceptit të sovranitetit kanë sjellë pasoja të rënda për shumë shtete. Për shembull, gjatë procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian, disa vende të Evropës Lindore hezituan të adaptohen me standardet e kërkuara, duke e parë humbjen e një pjese të sovranitetit si cenim të pavarësisë së tyre politike. Megjithatë, ato që kuptuan se përshtatja nuk ishte humbje, por një mundësi për të forcuar pozitën e tyre në skenën ndërkombëtare, arritën të përfitojnë nga integrimi ekonomik dhe politik që ofron BE-ja.
Maqedonia e Veriut nuk duhet të përsërisë gabimet e atyre që e shihnin sovranitetin si një pengesë për progresin. Nëse sovraniteti kuptohet si pengesë për integrimin evropian, atëherë do të përfundojmë në një izolim të pashmangshëm. Por nëse kuptohet si aftësi për të marrë vendime të mençura që mbrojnë interesin kombëtar, atëherë do të jetë mjeti më i fuqishëm për të garantuar një të ardhme të sigurt dhe prosperuese për qytetarët e saj.
Në këto kohëra të paqarta, vendimmarrja duhet të jetë historike dhe pa dyshim në funksion të interesave kombëtare. Çdo kompromis duhet të jetë i matur dhe i peshkuar mirë, në mënyrë që çmimi i anëtarësimit në BE të mos jetë humbja e sovranitetit, por forcimi i tij në një kuptim të ri dhe më të fuqishëm.
Koha për të vendosur është tani. Historia nuk pret dhe as BE-ja. Por nëse marrim vendimet e duhura, atëherë do të jemi ne ata që do të shkruajmë historinë e re të këtij shteti.