Gjatë bombardimeve të RF të Jugosllavisë në vitin 1999, kishte një plan operativ që ushtria serbe të bombardonte kryeqytetet e vendeve fqinje që morën pjesë në sulmet e NATO-s ndaj Jugosllavisë së atëhershme, plani përfshinte sulmet kryesisht në kryeqendrën kroate Zagreb dhe atë hungareze Budapest, por, sipas këtyre informacioneve të publikuara në disa portale rajonale, Slobodan Millosheviç kishte hequr dorë në minutën e fundit.
Një nga sekretet më të mëdha të operacionit të përfolur të NATO-s u konfirmua nga gjenerali major serb në pension, Vidosav Kovaçeviq, i cili në 1999 ishte kreu i veprimtarive psikologjike dhe propagandistike të Ushtrisë Jugosllave. Sipas disa raporteve, plani ishte përpunuar në detaje, dhe Millosheviqi, i cili ishte komandant i përgjithshëm, ra dakord me të, por ai e braktisi planin, dhe arsyet pse ai e bëri këtë ishin të njohura vetëm për Millosheviqin.
"Po, mbaj mend propozimin e udhëheqjes sonë ushtarake për Millosheviqin që ushtria e atëhershme e RF të Jugosllavisë të sulmonte vendet fqinje nga kishin ardhur sulmet e NATO-s. Sipas ligjit ushtarak, ne kishim të drejtën, nëse një aeroplan vinte nga Hungaria, të granatonim Budapestin dhe nëse një aeroplan vinte përmes Kroacisë, të granatonim Zagrebin ose ndonjë vend tjetër fqinj. Në fund, Millosheviqi nuk e lejoi atë. Pse, nuk e di. Ai ndoshta nuk dëshironte që lufta të përhapet në të gjithë Evropën ose kush e di se çfarë do të ndodhë pas kësaj", ka thënëpër mediat, Kovaçeviq, i cili gjithashtu kishte pozicione të larta në Forcat Ajrore dhe Mbrojtjen Ajrore, si dhe ka qenë edhe kreu i Akademisë Ushtarake.
Ai shpjegon se vetëm disa njerëz, që gëzonin besimin absolut të Millosheviqit, kishin njohuri për planin. Ai gjithashtu shpjegon në menyrën e tij se pse ka hequr dorë nga ky plan Millosheviqi.
"Nuk e di pse Millosheviqi hoqi dorë. Unë mendoj se ai kishte frikë se kjo do të forconte edhe më tej ofensivën e NATO-s, ose ka qenë i penguar nga disa faktorë ndërkombëtarë. Kur e them këtë, para se gjithash e kam fjalën për Moskën, pasi ai kishte më shumë kontakte me rusët.