Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Agim Nuhiu në profilin e tij në rrjetin social Facebook ka publikuar një status ku konfirmon se në Stacionin Policor Petrovec ka policë të infektuar me Koronavirus dhe se i njëjtë stacion tani më është rrezik potencial për infektim të edhe më shumë pjesëtarëve të policisë së RMV-së që punojnë aty, përcjell in7.
“Virusi Kovid-19 filloi të sulmojë edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Është konfirmuar se i kemi pesë punonjës pozitiv në polici, ndërsa në Stacionin policor Petrovec ekziston rrezik real! U bëjmë thirrje të punësuarve në polici për vëmendje më të madhe në ballafaqimin me gjendjen e krijuar”, ka shkruar Nuhiu në profilin e tij në Facebook.
Gjithashtu mësohet se gjithsejt 14 pjesëtarë të policisë, po nga Stacioni Policor i Petrovecit, janë në izolim shtëpiak pasi që kanë pasur kontakte me persona tashmë të infektuar me Covid-19.
Shtatë prej tyre janë me rrezik të lartë, derisa shtatë të tjerët me rrezik të mesëm dhe gjenden në vetizolim.
Mësohet se dy rastet e fundit me coronavirus në polici janë paraqitur në policinë e trafikut ku tashmë gjithsej ka 5 persona të diagnostifikuar me Covid-19.