Translate

Reklama

Wednesday, January 22, 2020

STUDIM/ Negociatat për arritjen e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit


Agron Shaqiri

ABSTAKT
Rrëfimi për Marrëveshjen e Ohrit, i ngjan, të themi një gote e cila nuk është plotësisht e mbushur. Pra, për dikë Marrëveshja e Ohrit është një gotë gjysmë e mbushur, për të tjerët ajo është vetëm një gotë gjysmë e zbrazët. Vlerësime të ngjashme për këto dhjetë vite pati edhe procesin e implementimit të kësaj marrëveshjeje. Dioptria: bardh e zi, shkonte nga ekstremi në ekstrem: ose, se Marrëveshja e Ohrit është plotësisht e implementuar, (bindje kjo, që ende dominon tek maqedonasit); deri tek vlerësimi se kjo marrëveshje aspak nuk është implementuar (qëndrim ky i shqiptarëve).
Për këtë marrëveshje u negocua prej fundit të qershorit e deri në fillim të gushtit 2001, me ndërmjetësim nga faktori ndërkombëtar, që u realizua në vilën presidenciale në Ohër,e locuar diku në skaj të bregut të liqenit të Ohrit. Me një kompromis të arritur nga të dyja palët e përfshira në konflikt u dakorduan që t'i japin fund përballjes së armatosur dhe i lejuan paqës që të mbisundojë në këtë nënqiell.
Pa e marrë rolin e arbitrit midis këtyre dy perceptimeve të ndara etnikisht, do të mundohem, të qartësoj se si janë zhvilluar deri diku prapaskena e negociatave duke u bazuar në atë që kanë thënë pjesëmarrësit në këtë process, por do të mundohem që të tregoj edhe anën teorike të këtyre negociatave, ciklin e tyre dhe metodologjinë.

HYRJE

Kanë kaluar plot 18 vite nga arritja e Marrëveshjes Kornizës të Ohrit, një marrëveshje që i dha fund konfliktit të armatosur shtatë mujor që kishte përfshirë Maqedoninë e Veriut, në këtë fillim shekulli, përkatëshisht në vitin 2001. Marrëveshje kjo për të cilën u negocua prej fundit të qershorit e deri në fillim të gushtit 2001, me ndërmjetësim nga faktori ndërkombëtar, që u realizua në vilën presidenciale në Ohër,e locuar në bregun e liqenit të Ohrit. Me një kompromis të arritur nga të dyja palët e përfshira në konflikt, të cilat u dakorduan që t'i japin fund përballjes së armatosur dhe i lejuan paqës që të mbisundojë në këtë nënqiell.
Edhe pse drejtuesit e katër partive kryesore politike në Maqedoninë e Veriut firmosën këtë marrëveshje, atë e bënë me negociata të vështira dhe nën presionin e fortë të SHBA-së dhe BE-së.
Gjatë këtyre negociatave që u zhvilluan në mes palëve të përfshira në konflikt, më 13 gusht të vitit 2001 në Ohër u arritën më shumë të drejta politike dhe sociale për shqiptarët, e gjitha kjo në këmbim të paqes.
Asnjëra palë nuk ishte e kënaqur me këtë kompromisin, por të gjithë ishin të vetëdijshëm se arritja e një marrëveshje do të linte gjurmë të madhe për përmirësimin e të drejtave të njeriut edhe pse nuk mund të quhej ideale.

RETHANAT QË SOLLËN KONFLIKTIN E ARMATOSUR NË MAQEDONINË E VERIUT

Por, si edhri deri tek konflikti i armatosur. Këtu jam munduar, që në mënyrë transparente të jap dy versione se si janë zhvilluar rrethanat që çuan deri tek konflikti i armatosur në mes të shqiptarëve etnik të Maqedonisë së Veriut dhe maqedonasëve.
VERSIONI SHQIPTAR:
Me shkatërrimin e Federatës Jugosllave dhe pavarësimin e Republikës së Maqedonisë, si rrjedhojë u shkaktuan ndryshime rrënjësore politike, shoqërore dhe ekonomike në vend.
Me ardhjen e pluralizmit, filloi edhe formimi i partive politike, të cilat karakterin ideologjik e zëvendësuan me karakter të fuqishëm etnik dhe nacionalist. Si rezultat i këtij tranzicioni, një pjesë e madhe e popullsisë mbetet pa punë, kurse varfëria, korrupsioni, kriminaliteti dhe kriza ekonomike filluan të marrin përmasa shumë të mëdha.
Ekonomia e shkatërruar, aferat dhe skandalet politike, korrupsioni dhe marrëdhëniet e keqësuara ndëretnike edhe më shumë e destabilizuan vendin.
Vlen të theksohet fakti se me Kushtetutën e vitit 1991, shqiptarët i humbën të drejtat të cilat, formalisht, i gëzonin me Kushtetutën e vitit 1974. Për këto shkaqe Kushtetuta u miratua pa votat e deputetëve shqiptarë në Parlament. (Halili, 2019)
Diskriminimi ndaj shqiptarëve në të gjitha sferat e jetës shoqërore, e cila ishte e pranishme edhe në sistemin e mëparshëm, edhe më shumë u shfaq pas mëvetësimit të Republikës së Maqedonisë. Gjatë procesit të privatizimit të kapitalit shoqëror, autoritetet vetëm maqedonasve u mundësuan që me kushte shumë të volitshme t’i blejnë fabrikat dhe kapacitetet tjera ekonomike në vend.
Pjesëmarrja e shqiptarëve në institucionet shtetërore ishte tejet e ulët, vetëm për të mos thënë aspak. Mospërfaqësimi, sidomos në strukturat e sigurimit (polici dha armatë), te shqiptarët shkaktoj një ndjenjë mosbesimi në këto institucione. Kjo sidomos do të shfaqet gjatë ngjarjeve të Bit-pazarit dhe në Gostivar (protestat për shkak të pamundësisë të përdorimit të simboleve etnike), ku gjatë përleshjeve me policinë mbeten të vrarë dhe të maltretuar shumë shqiptarë.
Për shkak se në sferën e arsimit sipëror nuk kishte asnjë institucion për shkollim të lartë në gjuhën shqipe, shqiptarët ishin të detyruar që në vitin 1994 ta themelojnë Universitetin e tyre në Tetovë. Si rezultat i intervenimit policor, në ditën e hapjes, disa shqiptarë e humbën jetën.
Partitë politike të shqiptarëve në Parlament nuk arritën që t’i institucionalizojnë kërkesat e tyre dhe shërbenin vetëm si dekor sepse çdo herë ishin të mbivotuar nga deputetët maqedonas. Nga ana tjetër, mospërfilljen e kërkesave të shqiptarëve, të cilët ndiheshin si qytetarë të rendit të dytë, politikanët maqedonas e arsyetonin nën pretekstin se me ndryshimin e statusit të shqiptarëve në vend do të federalizohej Maqedonia, ndërsa më vonë edhe do të ndahet. Kriza kosovare e vitit 1999 dhe roli i UÇK-së ishin shkak për rritjen e vetëbesimit dhe bashkimit të shqiptarëve në rezistencën ndaj institucioneve të Maqedonisë.
Për shkak të represionit sistematik nga ana e sistemit, ideja për kryengritje të shqiptarëve kulminoi me konfliktin e armatosur në fillimin e vitit 2001.
Si palë në konflikt paraqiten, nga njëra anë, forcat e bashkuara të sigurimit të Maqedonisë (ARM dhe policia) dhe Ushtria Çlirimtare Kombëtare, nga ana tjetër.
Konflikti filloi në fshatin Teracë me granatimin e stacionit policor, që të vazhdojë pastaj në fshatin Tanushë, rrethina e Shkupit, dikur kah mesi i shkurtit të vitit 2001 dhe së shpejti u zgjerua edhe në fshatrat e Tetovës, në disa pjesë të qytetit, në rajonin e Lipkovës, rrethina e Kumanovës dhe në disa fshatra të Shkupit (Haraçinë, Radushë dhe Luboten).
Popullata shqiptare moralisht dhe materialisht plotësisht e përkrahte UÇK-në, kurse popullata maqedonase e përkrahte ARM dhe policinë. Megjithatë, nuk kishte konflikt direkt mes popullatës civile që kontribuuan për anashkalimin e luftës qytetare në Maqedoni.
Gjatë konfliktit, armata dhe policia granatonin shumë fshatra shqiptare. Si rezultat i këtyre aksioneve ushtarako-policore, humbën jetën shumë civil shqiptar si psh. familja Zymberi e cila i humbi 10 anëtar dhe 30 ishin te plagosur,dhe shum familje tjera në fshatin Sllupçan dhe në rajonin e Lipkovës. Masakrat e policisë dhe ushtrisë vazhduan edhe në fshatin Luboten, në lagjen e Çairit dhe shumë vende tjera. Shokante dhe rrëqethëse për shqiptarët ishte vrasja e montuar e babait me të birin para kamerave televizive afër stadiumit të qytetit në Tetovë.
Konflikti kishte ndikim të ndryshëm ndaj rajoneve të cilat nuk ishin direkt të kyçura në konflikt. Gjatë kësaj kohe ishim dëshmitarë të dhunës permanente të ushtruar ndaj shqiptarëve, sidomos, në ato pjesë ku shqiptarët ishin pakicë. Në Prilep dhe Manastir digjeshin shtëpitë, shitoret dhe xhamitë që të detyrohen të shpërngulen nga vatrat e tyre. Kudo që jetonin shqiptarët ishin të vendosur punktet policore të cilët i kontrollonin dhe maltretonin ata.
Gjithashtu, gjatë kësaj kohe u paraqit një ide absurde për ndërrimin e territoreve dhe popullatës nga ana e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë (ASHAM).
VERSIONI MAQEDONAS
Periudha pas pavarësimit në Republikën e Maqedonisë karakterizohet me ndryshime të ndërlikuara shoqëroro-ekonomike dhe politike si rezultat i tranzicionit.
Shumë kapacitete industriale falimentuan dhe u mbyllën, një pjesë e madhe e popullsisë mbeti pa punë dhe varfëria morri hov. Privatizimi ishte i shoqëruar me parregullshmëri të ndryshme, dobësi të legjislacionit dhe keqpërdorime të rënda. Qeveria në të cilën participonin edhe shqiptarët nuk mundej ta përballonte më këtë situatë në vend. Partitë politike ishin të formuara në baza etnike.
Rrethanat politike situatën në vend e bënin të pasigurte, më së shumti për shkak se për Maqedoninë ishin vitet e para si shtet i pavarur.
Kishte më shumë shkaqe për fillimin e konfliktit. Nën pretekstin se i kërkojnë të drejtat dhe liritë të fituara me Kushtetutën e vitin 1974, disa qarqe shqiptare brenda dhe jashtë Maqedonisë dëshironin ta realizojnë idenë për Shqipëri të Madhe. Partitë politike të shqiptarëve në vend e nxisnin nacionalizmin te popullata shqiptare për realizimin e qëllimeve radikale. (Исмановска, 2001)
Eskalimi i krizës kosovare të vitit 1999 kishte ndikim negativ në Maqedoni. Ajo ndikoi në rritjen e unitetit shqiptarë dhe formimin e grupeve të armatosura të përbëra nga shqiptarë nga Kosova dhe Maqedonia. Këto grupe me veprimet e tyre kriminele dhe ilegale, në pjesën veriore të Maqedonisë, do ta destabilizojnë atë në fushën e sigurisë.
Kah fundi i vitit 2000 dhe fillimi i vitit 2001 ndodhën edhe incidentet dhe përleshjet e para mes formacioneve të armatosura shqiptare (UÇK-së), të përbëra nga grupe kriminele, terrorist dhe mercenar islamik nga njëra anë dhe forcat e sigurimit maqedonas nga ana tjetër.
Konflikti i armatosur filloi me disa aksione terroriste në janar të vitit 2001, më saktësisht me sulmin e stacionit policor në Tearcë, rajoni i Tetovës, ku humbi jetën një anëtar i policisë me përkatësi etnike maqedonase.
Fillimi i konfliktit arriti kulmin me mitingun e mbajtur në Tetovë, më 14.03.2001, kur intelektualët shqiptarë publikisht e ftuan popullatën shqiptare të ngrihet në kryengritje, në emër të drejtave të tyre. Nga rajoni i Tetovës, konflikti u përhap në rajonin e Shkupit dhe Kumanovës (Lipkovë) ku shqiptarët ishin shumicë. Në këto rajone kishte përleshje të armatosur mes forcave të rregullta të policisë dhe ushtrisë nga njëra anë dhe UÇK-së nga ana tjetër. Këta të fundit në fillim i quanin terroristë që më vonë të shndërrohen në luftëtarë për të drejtat e njeriut.
Gjatë kohës së konfliktit kishte kidnapime të popullatës civile, vrasje në pritë të anëtarëve të policisë dhe rezervistëve ushtarakë në fshatrat Vejce, Karpallak dhe Luboten; digjen dhe shkatërrohen objekte fetare, bëhet spastrim etnik dhe shkatërrim i shtëpive maqedonase në vendet ku shqiptarët ishin popullsi dominante.
Edhe pse konflikti zhvillohej vetëm në pjesën veriore dhe atë veri-perëndimore të Maqedonisë, ai u reflektua në gjithë territorin. Personat e zhvendosur nga vendet e krizës ishin të vendosur te familjarët dhe miqtë e tyre si dhe në qendrat kolektive të organizuara nga shteti. Nën ndikimin e ngjarjeve në rajonet e krizës, një pjesë e popullatës maqedonase shprehu mllefin e vetë duke djegur dhe shkatërruar objektet fetare dhe pronat private të myslimanëve (kryesisht shqiptarë), në Prilep dhe Manastir.
Situata bëhej gjithnjë e më kritike për shkak të mundësisë për eskalim të konfliktit në tërë territorin e sidomos në anën e Dibrës, Kërçovës, Strugës dhe Gostivarit ku jetojnë shumë shqiptarë.
Një pjesë e popullatës maqedonase ishte e mobilizuar në radhët e ushtrisë dhe policisë si rezervistë. Shumë maqedonas u paraqitën si vullnetarë për mbrojtjen e atdheut.
Në këtë periudhë në tërë vendin, me ligj, u vendos taksa ushtarake me çka edhe më shumë u keqësua situata ekonomike e popullatës. (Исмановска, 2001)



SI U ZHVILLUAN NEGOCIATAT NË OHËR
Me paraqitjen e krizës u paraqitën edhe dilemat se si duhet zgjidhur ajo. Negociatave finale në Ohër i paraprinë bisedimet politike disamujore në mbajtura në Shkup, të cilat i udhëhiqte Kryetari i atëhershëm i Repulbikës së Maqedonisë, Boris Trajkovski, ku merrnin pjesë përfaqësues të partive politike shqiptare dhe maqedonase.
Ky dialog politik (mars-qershor), linte përshtypjen e një dialogu joformal, i cili nuk  synonte ndërprejen e konfliktik, por më tepër i ngjante stilit të taktizimeve, e që ishin të mvarura pak a shumë nga ngjarjet në terren, andaj edhe nuk dukej serioz dhe nuk jepte përshtypjen se mund të arrihej një zgjidhje përfundimtare për ndërprerjen e konfliktit të armatosur në mes UÇK-së dhe forcave të sigurisë së shtetit të Maqedonisë.
Taktizimet e palës shqiptare ishin të orientuara në faktorin kohë, e që kishin vetëm një qëllim që në negociata të përfshiheshin edhe përfaqësuesit e UÇK-së me ndërmjetësim ndërkombëtarë.
Në të njëjtën kohë, taktizimet e palës maqedonase ishin të orientuar tek shpresa e forcave të sigurisë, tek të cilat politikanët maqedonas mendonin se do të korrnin fitore në fushëbeteja dhe të rimerrnin kontrollin në territoret e kontrolluara nga UÇK-ja.
Qëllimi i të dy palëve ishte që të fitonin pozicione më të favorshme në negociata, që siç e nënkuptonin ata, nuk do të mundet që t’u iket në periudhën që do të pasonte.
Pala maqedonase ishte kundër negociatave tipike për arritjen e një marrëveshjeje paqësore, për shkak se, për ta, ishte e papranueshme përdorimi i armëve nga ana e kryengritësve shqiptarë për arritjen e qëllimeve të tyre politike, e që kishin të bënin me përmirësimin e statusit politiko-juridik të shqiptarëve që jetonin në Maqedoninë e atëhershme. Gjithashtu ata kundërshtonin palën shqiptare edhe nga frika e legjitimimit të faktorit ushtarak shqiptar (UÇK-së) dhe përfshirjes së kësaj të fundit në tavolinën e negociatave, që sipas tyre, nenkuptonte edhe kapitullimin e Maqedonisë.
Për këtë periudhë (para fillimit të negociatave në qytetin e Ohrit), kreu i Partisë Demokratike Shqiptare, njëherit edhe njëri nga pjesëmarrësit në negociata dhe nënshkrues i marrëveshjes, Arbër Xhaferi do të thonte:
“ Duhet të kalonin disa muaj para se të fillonin bisedimet për shkak të shpresave të rejshme të palës maqedonase se do të fitonin betejën politike kundrejt palës shqiptare. Në këtë kohë ekzistonte një shpresë e madhe se faktori politik shqiptar do të hubte kredibilitetin në arenën ndërkombëtare dhe se kauza maqedonase do të përkrahej, njëjtë, siç ishte përkrahur kauza kosovare nga forcat vendimarrëse ndërkombëtare”. (Љатифи, 2008)
Kështu Presidenti, Trajkovski, që t’i ikë internacionalizimit të mëtejmë të kërkesave shqiptare del me një propozim që nënkuptonte se forcat politike legjitime në Maqedoni ishin të afta që të gjejnë zgjidhje të problemeve me nisjen e një dialogu i cili do të mund të zhvillohet në Kuvendin e Maqedonisë, më saktësisht në Komisionin për Integrime euro-atlantike ose në tryeza të rrumbullakta të cilat do të bëheshin nën patronatin e tij. (Halili, 2019)
Këtë propozim e kundërshtoi PPD e cila në dokumentin e titulluar ” Kornizë për negociata për çështjet e hapura të shqiptarëve në Maqedoni” opinionin e patë informuar se “…PPD insiston që bisedimet maqedono-shqiptare të kenë karakter negocues dhe përveç palëve në bisedime të merr pjesë edhe faktori ndërkombëtar (EU, OSBE, NATO dhe SHBA). PPD konsideron se forum për diskutime nuk mund të jetë Komisioni për integrime evro-atlantike në Kuvendin e Maqedonisë e aq më pak Tryeza e rrumbullakët e inicuar nga ana e kryetarit Trajkovski, pa rend dite të përcaktuar që më parë, pa pjesmarrje të faktorit ndërkombëtar dhe pa status të definuar të pjesmarrësve në bisedime…” (Arkivi i PPD-së).
Përkundër këtij qëndrimi të PPD-së ajo qe e detyruar të merr pjesë në Tryezat e kryetarit Trajkovski, nga presioni që asaj ja bënë faktorë ndërkombëtarë me kërcënim të izolimit të saj nga skena politike. Dëshmi e përmbajtjes së Komunikatës së PPD-së janë edhe konstatimet e mëvonshme të kryetarit të saj Imer Imeri i cili shprehet si vijon:”…Unë në fillim kur pashë se sa cekët duhet të shkonin në zgjidhjet politike, nuk u pajtova në asnjë mënyrë dhe i injorova, në disa takime nuk shkova. Faktori ndërkombëtar bënte presion që të shkonim në takim, pa marrë parasysh se ç’farë do të arrihej dhe ne në disa takime shkuam, në disa nuk shkuam…” (Mënaj, 2004).
Ashtu siç raportonin mediat në gjuhën maqedonase të asaj kohe si ishin TV A1, pastaj gazetat “Vecer”, “Dnevnik” dhe të tjera, liderët shqiptarë, Imer Imeri dhe Arbën Xhaferi, nuk kanë marrë pjesë në tryezat e organizuara nga kryetari Trajkovski pas takimit të parë më 9 korrik 2001, si protestë për mospranimin e kërkesave politike shqiptare nga ana e liderëve të partive politike maqedonase, të cilët në tryezë kishin rënë dakord për ndryshime kozmetike kushtetutare duke mos i hyrë esencës së zgjidhjes së problemit.
Në takimin e fundit në nivel të liderëve të katër partive më të mëdha politike, VMRO-DPMNE, LSDM,PDSH dhe PPD, ku kanë marrë pjese edhe Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian Solana dhe Sekretari Gjeneral i NATO-s, Robertson, më 26 dhe 27 korrik 2001, palët bashkëbiseduese kanë ardhur në përfundim se një dialog politik maqedono-shqiptar pa ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve ka qenë i pamundur. Edhepse parimisht palët ishin pajtuar që bisedimet të rinisin më 28 korrik në Tetovë, ato e kanë ndruar për shkaqe sigurie, destinacionin i tyre, tashmë, ishte për në Ohër, në vilën Biljana, rezidencë e kryetarit të republikës. (Halili, 2019)
“Në takimin e parë që u mbajtë më 9 korrik 2001 në bisedimet e udhëhequra nga Trajkovski, ku kanë qenë të pranishme katër partitë më të mëdha politike, si VMRO-DPMNE, PDSH, LSDM dhe PPD pjesmarrës kanë qenë kryetari Imer Imeri” (Halili, 2019). “Dokumenti bazë ka qenë ai i shkruar nga eksperti francez Badinter në bashkëpunim me ekspertët maqedonas. PPD dhe PDSH kanë prezentuar dokumentin e tyre të përbashkët ku është kërkuar që Maqedonia të jetë shtet binacional me gjuhë shqipe të barabartë me maqedonishten, përfaqësim proporcional të shqiptarëve në institucionet e shtetit, me krijimin e institucionit të nënkryetarit të shtetit me të drejtë vetoje për çështje të rëndësishme nacionale, me polici lokale që do të reflektojë përbërjen nacionale të populates”. (Halili, 2019)
Përfaqsuesit e partive politike maqedonase i kanë hudhur poshtë këto kërkesa të partive politike shqiptare, ndërsa për përfaqsuesit e PPD-së dhe PDSH-së platforma e ekspertëve maqedonas dhe ajo e Badinter-it ka qenë e papranueshme.
Më 10 korrik përfaqësuesve të partive politike në Tryezën e Trajkovskit u bashkangjiten edhe lehtësuesi amerikan Pardju, ai i BE-së Leotar, përfaqësuesi i OSBE-së për pakicat, Maks Van der Shtul dhe përfaqësuesi i NATO-s në Shkup, Peter Feith.
“Më 9 korrik në orët e vona, diku kah ora 20.00 në restoranin “Uranija” e pata ftuar në darkë familjarisht ambasadorin francez François Terral. Më vonë një telefonatë nga dikushi, ambasadorit ia vuri në dije se lehtësuesi i BE-së François Leotard ka arritur në Shkup dhe ka shprehur dëshirë të na bashkangjitet në darkë. Pasi e shpreha kënaqësinë time që ai të jetë pjesë e tryezës, ai erdhi dhe ndejtëm deri vonë në mesnatë. Mes tjerash këmbyem mendime për krizën politike dhe kërkesat shqiptare. Ky takim spontan i dha lehtësuesit Leotard pasqyrë të qartë se çka ndodh dhe me cilat sfida do të ndeshet më vonë gjatë misionit të tij” (Halili, 2019).
Pasi të dy palët nuk i pranuan platformat e njëri tjetrit e me qëllim të sinkronizimit të qëndrimeve përfaqësuesit ndërkombëtarë, ditëve që vijnë ndarazi, bëjnë takime me ekspertë të partive politike në bisedime dhe nga negociatorët shqiptarë arrijnë kompromisin që të hiqet dorë nga kërkesa për nënkryetar të shtetit me të drejtë të vetos për çështje që preknin identitetin kombëtar shqiptar si dhe për statusin e popullit konstituent të shqiptarëve. Grupin e ekspertëve të PPD dhe PDSH e përbënin Naser Zyberi dhe Xhevdet Nasufi, ndërsa ky i fundit ishte edhe nënkryetar qeverie.
Tekstin e përmirsuar dhe të korrigjuar të dytë lehtësuesit ua dorëzojnë partive politike më 16 korrik 2001.
Më 17 korrik 2001 televizioni A1 informon se të dërguarit special të BE dhe SHBA Leotar dhe Perdju e dorëzuan versionin e fundit të platformës së tyre për ndryshime kushtetutare.
“…Sipas propozimeve të tyre gjuha shqipe e merrte statusin e gjuhës së dytë zyrtare”. Propozim-zgjidhjen e re për çështjen e gjuhës, e cila praktikisht do të thoshte shpallje e gjuhës shqipe për gjuhë të dytë zyrtare, e solli dialogun në krizë. Propozimi që e dhanë Leotar dhe Perdju ishte i papranueshëm për VMRO-DPMNE dhe LSDM. Kryetari Boris Trajkovski me bisedat telefonike me disa shtetarë botëror u ka bërë me dije palës maqedonase se ajo çka e ofrojnë lehtësuesit Leotar dhe Perdju faktikisht, sipas tyre, do të ishte federalizim i shtetit, dhe se është jashtë kornizës së dialogut bazë e të cilit janë propozimet e Badinter. (Halili, 2019)
Draft versionin e fundit mediumet maqedonase si dhe intelektualët e kishin politizuar në paskajshmëri si problematik dhe një mbështetje e hapët e lehtësuesve Leotar dhe Perdju kërkesave shqiptare, që është në kundërshtim me platformën e Badinter-it, mbështetur fuqishëm nga partitë politike maqedonase dhe si një mundësi për shkatërim të shtetit. Kryeministri Georgievski shkon edhe më tej në kualifikimet duke deklaruar se kjo platformë është ofruar në “stilin e kaubojve” nga ana e përfaqsuesve Leotar dhe Perdju. Kjo ka qenë data më kritike e vazhdimit të bisedimeve maqedono-shqiptare në vitin 2001.
Shtatëmbëdhjet vite më vonë ambasadori Pardju boton librin e tij “Krijuesit e paqës: lidershipi amerikan dhe fundi i gjenocidit në Ballkan” (Pardew, 2017) ku një kaptinë ia përkushton edhe nënshkrimit të Marrëveshtjes së Ohrit. Sipas tij për t’u arritur paqa në Maqedoni kanë qenë të nevojshëm dy kushte: statusi plotësisht i barabartë i gjuhës shqipe me maqedonishten dhe fuksionimi i policisë lokale si dhe disa probleme sekundare siç ka qenë edhe Preambula e Kushtetutës.
Një kokëdhimbje të posaçme ka shkaktuar statusi zyrtar i gjuhës shqipe për të cilin edhe vetë Pardju ka pasur dilema se a duhet të jetë ashtu dhe për të cilin pala maqedonase as që ka dashur të diskutojë.
Kthesa në bisedime është bërë, shkruan Pardju, më 16 korrik 2001 ku shqiptarët pranojnë pozicion më të dobët të gjuhës shqipe dhe të tërhiqen nga kërkesa për kontroll të tërësishëm të policisë lokale.
“Shqiptarët pranuan draft-tekst me të cilin shqipja bëhet gjuhë e dytë zyrtare por jo të niveli të njejtë. I thashë Xhaferit se poqese më jep garanca se të gjithë liderët shqiptarë do ta pranojnë propozimin, do t’ja ofrojmë kryetarit si shansë më të mirë për marrëveshje. Disa orë më vonë Xhaferi u paraqit me garanca….megjithatë për shqiptarët statusi i gjuhës së tyre ishte prioritet parësor…” (Pardew, 2017)
Më 29 korrik 2001 liderët shqiptarë Imer Imeri dhe Arbën Xhaferi tentojnë ta bindin kryetarin Trajkovski që ta pranojë statusin e barabartë zyrtar të shqipes me maqedonishten si kusht për çarmatimin e UÇK-së por ai e refuzon këtë. Në mbrëmje të 29 korrikut pala shqiptare pranon kompromisin që GJUHA SHQIPE TË KETË STATUSIN E GJUHËS ZYRTARE POR QË NË TEKSTIN E MARRËVESHTJES MOS QËNDROJË TERMI “GJUHA SHQIPE” (por 20%). Më 31 korrik 2001 të dy palët e pranojnë kompromisin e gjuhës por Georgievski kërcënon me lëshimin e bisedimeve.
Pas kësaj date më tepër angazhime kanë pasur ekspertët se sa politikanët. Leotar në intervistën e tij dhënë për Dojçe Vele (2004) në gjuhën maqedone, falenderon për ndihmë juridike Badinter-in e njohur, ndërkaq Pardju e lëvdon për talentin e saj eksperten Laurel Mirel e cila para se të angazhohet në Maqedoni ka punuar në kushtetutën e Bosnjës në Dejton e më vonë në Kushtetutën e Kosovës, por esenca është se baza themelore për Marrëveshtjen ka qenë Deklarata për status të barabartë të shqiptarëve në Maqedoni e Grupit parlamentar të PPD-së e përforcuar me një pjesë të platformës së PDSH-së  ku parashihej krijimi i institucionit të nënkryetarit të shtetit me të drejta të vetos për çështje kombëtare.
Pas kompromiseve të bëra, kur mendohej se bisedimet do të ecnin tutje pa ndonjë pengesë serioze, një numër i incidenteve që ndodhën në këtë kohë në terren do ta ndryshojnë rrjedhën e negociatave për ndryshimet kushtetuese në Ohër. Këto incidenete do ta bien në pikëpyetje procesin paqësor dhe i tërë procesi ishte i bllokuar për shkak të reflektimit të këtyre ngjarjeve në dinamikën e bisedimeve.
Këto incidente edhe sot ngelen mister, si edhe pyetja se çka në fakt kishte ndodhur dhe kush i ka lansuar dhe për çka! A ishte qëllim i ndonjërës palë të negociatorëve që këto bisedime të ndërpriten dhe të mos arrihet sukse në Ohër apo ishte taktizim që të fitohet terren në bisedime apo të ndërpriteshin totalisht negociatat dhe të përfundonin aty ku kanë ngecur?!
Kështu më 8 gusht 2001, siç kujtojnë pjesëmarrësit e drejtëpërdrejtë në këto negociata, paraqitet një kthesë e papritur ku pala maqedonase tenton që t’i ndërpresë bisedimet dhe të fillojë me granatime të pozicioneve të UÇK-së si kundërpërgjigje të asaj që kishte ndodhur në Karpallëk, vend diku në mes Shkupit dhe Tetovës, ku një konvoj i ushtrisë maqedonase sulmohet nga një njësit i UÇK, ku humbën jetë 10 persona të uniformuar të forcave të sigurisë së RM-së.
“…më 8 gusht 2001 diku pas orës 9 në mëngjes më telefonoi dhe mu drejtua Menduh Thaçi, zëvendëskryetari i PDSH-së me këto fjali: ‘…profesor duhet urgjent të vini në Ohër se këta tuajt refuzojnë ta nëshkruajnë Marrëveshtjen…’. Në fillim u gjeta i habitur sepse ende nuk kishte ardhur koha e nënshkrimit dhe kishte ende tema për negociata dhe nuk e dija se çka kishte ndodhur sepse ende ishte herët e unë nuk i kisha dëgjuar lajmet. Për çfarë nënshkrimi bëhet fjalë Menduh?- e pyeta. Pala maqedonase do t’i ndërpresë bisedimet dhe të fillojë me granatime si përgjigje për atë që ka ndodhur në Karpallak. Me veturën me targa të Tetovës u nisëm për në Ohër. Në kthesën për në Prilep dhe Ohër policia kishte ngritur barrikade dhe duke parë targën e Tetovës, policët duke u dridhur, na i kontrolluan dokumentet dhe na shtrinë përdhe dhe e kontrolluan veturën. Kur u prezentuam se kush jemi dhe ku shkojmë mezi na dhanë leje të shkojmë drejtë. Aty mësuam se çka në të vërtet kishte ndodhur në Karpallak të Tetovës dhe pse policët ishin aq rigoroz dhe aq të frikësuar.” (Halili, 2019)
Në të njëjtën ditë, negociatorët maqedonas dhe shqiptarë u detyruan që t'i përfundojnë negociatat dhe nën presion të ndërmjetësuesve ndërkombëtar, që të mos dështojë i gjithi ky proces, ose të paktën të shpëtohet ajo që ishte arritur, a metej të diskutohej edhe për disa detaje, si edhe për çështjne e arsimit të lartë në gjuhën shqipe me financim shtetëror, palët ishin të detyruar që të nënshkruajnë Marrëveshjen, e cila zyrtarisht u nënshkrua më 13 gusht të vitit 2001 në Shkup, në prani të personaliteteve botërore, Havier Solana dhe Xhorxh Robertson.
“Me të arritur në Ohër e pyeta kryetarin Imer Imeri se çka po ndodh e ai mu përgjigj se vetë më në fund pajtohet ta parafoj Marrëveshjen por këtë refuzon ta bëjë kryenegociatori Naser Zyberi si edhe Abduladi Vejseli në cilësinë e nënkryetarit pasi ka ngelur pa negocuar Universiteti i Tetovës. Pasi kryetari Imer Imeri disa herë kishte biseduar me Solanën dhe pas këmbimit të fjalëve me Leotar dhe Van der Shtul, kryetarit i thashë se poqese Naseri, Abduladiu dhe Azizi nuk e parafojnë atëherë rradha më bie mua dhe këtë do ta bëjë. Më në fund Marrrëveshjen i pari e parafoi Imer Imeri pastaj Aziz Pollozhani. Siç dihet teksti i parafuar i Marrëveshtjes u nënshkrua në Shkup më 13 gusht 2001” (Halili, 2019).
METODOLOGJIA E NOGOCIATAVE- CILAT ISHIN PROCEDURAT GJATË NEGOCIATAVE NË OHËR
Metodologjia e negociatave në Ohrit, e cila përfundimisht u tregua e suksseshme, ishte rezultat i qasjes së ndërmarrë nga lehtësuesit ndërkombëtarë, të cilët, në fakt nuk u futën në asnjë polemikë me ndonjërin nga  negociatorët e të dyja palëve.
Gjatë negociatave, lehtësuesit ndërkombëtarë, Perdju dhe Leotar, vetëm kanë dëgjuar, u kanë bërë pyetje negociatorëve, si atyre shqiptarë, ashtu edhe atyre maqedonas, ose thjesht kanë dëgjuar argumentet e dhëna nga ndonjëra palë negocuese me të cilat ata kanë qenë duke diskutuar për ndonjë çështje.
Lehtësuesit ndërkombëtarë kanë përdorur një metodologji që në shumicën e rasteve nuk përfshihet në kontekstin e kërkesave të palëve, ose në kundër-argumente.
Që nga fillimi, çdo pjesëmarrës në negociatat në Ohër ishte i njohur me procedurat. Në mëngjes, lehtësuesit ndërkombëtarë Leotar dhe Pardju u jepnin propozime negociuese të dyja palëve. Negociatorët fillonin që t'i shqyrtojnë propozimet e paraqitura nga ekipet negociuese dhe ekipet e partive politike ose të diskutojnë për ta veçmas, qoftë në grupe pune, në seanca plenare, apo në komunikim të drejtpërdrejtë me lehtësuesit, Leotar dhe Perdju.
Kryesisht është punuar me grupe të vogla pune të cilat ishin të formuara nga palët e përfshira, maqedonase dhe shqiptare me përfaqësues ose ekspertë të katër partive politike. Më pas, e gjithë kjo i ishte  përcjellë Presidentit të Shtetit ose drejtuesve, apo liderëve të partive politike. (Halili, 2019). Pala maqedonase e përfshirë në negociatat në Ohër, siç edhe kishte vepruar gjatë negociatave, të mëhershme, në Shkup, vazhdimisht është përpjekur që bisedimet të mos kenë karakter formal dhe çdo herë kanë tentuar që të ketë sa më pak takime dhe diskutime me negociatorët shqiptarë.
Bisedimet ishin zhvilluar të ndara. Lehtësuesit ndërkombëtarë Perdju dhe Leotar kanë pasur takime të ndara me ekspertë të partive shqiptare dhe maqedonase, si dhe me ekspertët e presidentit.
Ata kanë realizuar vetën një takim të përbashkët formal midis autoriteteve shtetërore maqedonase dhe përfaqësuesve të partive shqiptare dhe maqedonase me lehtësuesit ndërkombëtarë në Ohër edhe atë në ditën e parë të bisedimeve dhe dy herë të tjera, ku kishin të bënin vetëm me çështje procedurale. (Halili, 2019)
Natyra e metodologjisë së negociatave nuk ka lejuar që të ketë shumë debate të hapura apo shkëmbime të drejtpërdrejta të argumenteve midis negociatorëve shqiptarë dhe maqedonas në Ohër.
Të dërguarit ndërkombëtarë kanë qenë një urë komunikimi gjatë gjithë kohës së negociatave, me përjashtim të takimeve të përbashkëta, ku janë diskutuar disa nene të Kushtetutës. Edhe çështjet më të diskutueshme të bisedimeve, siç ishin çështja e gjuhës, preambula e kushtetutës dhe çështja e policisë lokale, janë zgjidhur në takime të ndara, ku madje ishin ndarë edhe dy partitë politike shqiptare, poashtu edhe ato maqedonase.
Kur u arrinte ndonjë kompromis për ndonjë çështje ose ndonjë formulim që mund të ishte afër të dyja palëve etnike, lehtësuesit ndërkombëtarë i ulnin në tryezë të bisedmieve palët negocuese për t'u pajtuar ose për të mos u pajtuar me çështje që ishin diskutuar. Pastaj vazhdohej, përsëri me diskutime të ndara me ndërmjetësim në çështje të tjera. (Halili, 2019)
Bisedimet në Ohër u zhvilluan kryesisht me teza dhe kundër-teza, të cilat në fund nxirreshin si përfundime ose u sqaroheshin nga lehtësuesit ndërkombëtarë.
Në zbatimin e metodologjisë të punës gjatë negociatave, rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe ekspertët partiak të partive politike shqiptare dhe maqedonase. Partitë politike shqiptare, PPD dhe PDSH, në nivelin e ekspertëve partiak ishin të përfaqësuar nga eksponentë të përzgjdhur nga fusha e jurispodencës, të ndarë në grupe pune që punoni së bashku me ekspertët e partive maqedonase dhe lehtësuesit ndërkombëtarë, ku punonin posaçërisht në hartimin e legjislacionit që rridhte nga negociatat që u zhvilloheshin në Ohër.

KLASIFIKIMI I NEGOCIATAVE PËR ARRITJEN E MARRËVESHJES SË OHRIT
Në librin e tij të titulluar “Si negocojnë popujt”,  Fred Charles Ikle bën një klasifikim të negociatave ndërkombëtare, sipas qëllimeve të palëve për arritjen e marrëveshjes. Kështu klasifikimi i tij është si vijon:
1.NEGOCIATAT PËR KONTINUITET
2.NEGOCIATAT PËR NORMALIZIM
3.NEGOCIATAT PËR ALOKIM (SHPËRNDARJES)
4.NEGOCIATAT INOVATIVE
5.NEGOCIATAT ME EFETE TË JASHTME
Кëto kategori ofrojnë një klasifikim bazë të negociatave, të cilat mund të përdoren për të rishqyrtuar ndryshimet në marrëveshjet ndër-shtetërore, grupe ose palë. Sigurisht që, kategoritë e mësipërme janë një lloj ideali, pasi në praktikë negociatat shpesh janë të një natyre "të përzier" për shkak të faktorëve të ndryshëm, siç janë p.sh.  përshkallëzimi i dallimeve midis palëve.
Negociatat për ndërprerjen e konflikteve, që pasuan pas shpërbërjes së Federatës së Jugosllavisë Socialiste, përfshirë këtu edhe negociatat e Ohrit, duhet të jenë, sipas klasifikimit të Ikle-s, në kategoritë e negociatave për normalizimin, megjithëse ekzistojnë disa tipare karakteristike të atyre, pasi negociatat që synojnë normalizimin varen nga vetë natyra dhe përmbajnë një shkallë shpërbërjeje.
Negociatat që u zhvilluan në Ohër dhe që kishin qëllin ndërprerjen e konfliktit të armatosur në mes të shqiptarëve dhe maqedonasve në vitin 2001, përmbajnë një element që negociatat i karakterizon me një shkallë me karakter të përzier: kompleksiteti i lartë i këtyre negociatave rezulton në një ndryshim në qasjen dhe sjelljen e negociuesve, kështu që ka pasur raste kur palët negociuese kanë ndryshuar strategjinë e tyre gjatë negociatave, edhe atë deri në optimum, kur kërkohej një shkallë më e lartë devijimi, deri në një rezultat të kënaqshëm, më praktik, ndonjëherë për ndonjë palë edhe më dramatik. Me këto ndryshime ndryshohet gjithashtu edhe  forma e negociatave që marrin elementë të kategorisë së negociatave të alokimit (shpërndarjes).
Sidoqoftë, qëllimi kryesor i këtyre negociatave përmban elementet tipike të negociatave për të arritur një marrëveshje normalizimi, pasi ato janë gjithashtu të dizajnuara për të kapërcyer konfliktet përmes të cilave arrihet në një marrëveshje paqeje dhe përfshijnë një shkallë të lartë të shpërbërjes së konstelacioneve të reja sociale brenda kontekstit të sistemeve politike.
Nga ana tjetër, nëse marrim parasysh klasifikimin dikotom të llojeve të negociatave, atëherë kemi një ndarje të këtillë:
1. Negociata të bazuara në pozicione (pozicionet)
2. Negociata të bazuara në interes
Duke pasur parasysh këtë klasifikim, atëherë negociatat për arritjen e Marrëveshjes së Ohrit, shikuar në përgjithësi, nuk mund të vendosen në njërën nga dy kategoritë, pasi ato janë të një natyre të përzier. Pra, negociatat në Ohër janë në të njëjtën kohë një ndërthurrje e të dy llojeve të negociatave të përmendura më lart, por prapëseprapë me avantazhin e negociatave për pozicionim, pasi ato janë tipike për negociatat midis palëve kontraktuese të përfshira në një konflikt të armatosur.
Themi që negociatat për arritjen e Marrëveshjes së Ohrit janë më tepër të karaktetit të negociatave pozicionuese, sepse qëllimi i vetë palëve negociuese në Ohër ishte identik me qëllimin e përgjithshëm të negociatave pozicionuese, pasi në çdo rast strategjia ka pasur për qëllim përmbushjen e interesave personale (në baza etnike) në kurriz të kundërshtarit (palës tjetër negociuese) dhe tendencës për zgjidhje personale që ishte e dukshme (në këtë rast pala e një bashkësie etnike personifikohet përmes përfaqësuesve të partive politike).
Por, jo vetëm për sa i përket qëllimit të përgjithshëm të negociatave pozicionale, por edhe për sa i përket karakteristikave, negociatat që u zhvilluan në Ohër,  përmbajnë disa nga karakteristikat kryesore të negociatave pozicionale, siç janë:
1. Të dy palët në Ohër kanë marrë pozicione të ndara
2. Marrëdhëniet midis palëve negociuese maqedonase dhe shqiptare kishin pak rëndësi, por më e rëndësishme ishte arritja e një marrëveshjeje
3. Vonesa në negociatat në Ohër, për njërën nga palët, në lidhje me ndonjë çështje të veçantë, do të konsiderohej një shenjë e dobësisë
4. Lufta në tryezën e bisedimeve në Ohër shkoi deri në fund, e cila është në përputhje me një nga karakteristikat tipike të negociatave për pozicionim "Thënia ime është më e mirë dhe më e drejtë"
5. Pala tjetër shihet si kundërshtare, e jo si partner etj.
Pra, qëllimi i negociatave të palëve negociuese në arritjen e Marrëveshjes së Ohrit, si dhe qëllimi i përgjithshëm i vetë negociatave pozicionale, është që të fitohet sa më shumë që të jetë e mundur, pavarësisht nga mjetet e arritjes së asaj fitoreje, përfshirë këtu efektet anësore të incidenteve dhe luftimeve në terren, siç ishte rasti gjatë negociatave në Ohër.
Elementet e natyrës së negociatave të orientuara nga interesi në rastin e negociatave të Ohrit duhet të kërkohen në përpjekjet e ndërmjetësve (lehtësuesve) ndërkombëtarë që të përkojnë me qëllimin e një lloji të tillë negociatash, ku strategjia e bisedimeve është e drejtuar drejt përmbushjes së interesave të të gjithë atyre që negociojnë.
Këto elemente mbivendosen në një farë mase me disa nga kapitujt kryesorë në negociata duke favorizuar interesat, metodologjinë dhe rolin e ndërmjetësuesve (lehtësuesve) ndërkombëtarë, d.m.th të palës së tretë që ndërhyri në Ohër. Përkatësisht, me insistimin e një pale të tretë, vëmendja e ndërmjetësve u përqëndrua në çështjet e diskutueshme dhe problemin që ishte objekt diskutimesh, sesa personalitetin e pjesëmarrësve. Këto dy elemente formojnë një nga parimet kryesore të negociatave të bazuara në interes.
Negociatat e zhvilluara në qytetin e  Ohrit përmbajnë edhe dy parime të tjera kryesore të përgjithshme të negociatave të bazuara në interes, të cilat nuk u inicuan ose nuk u përqafuan plotësisht nga të dy palët, por u zbatuan si rezultat i presionit të palëve të treta:
1. Marrja e një vendimi me konsensus dhe
2. Kërkesa e varianteve të ndryshme përpara se të merren vendimet
Sidoqoftë, ajo që i bën këto bisedime të ndryshme nga negociatat e bazuara në interes është fakti që negociatat e Ohrit nuk e kanë si emërues të përbashkët, palën negociuese, kur flasim për strategjinë e negociatave të përmbushjes së sa më shumë interesesh,  do të thotë se kjo ishte një karakteristikë e negociuesve shqiptarë dhe maqedonas në Ohër, por jo një tipar i palës së tretë të involvuar në këto negociata.

CIKLI I NEGOCIATAVE- RASTI I NEGOCIATAVE TË OHRIT
Në përgjithësi cikli i negociatave është i përbërë prej tre fazave . Në rastet tipike të negociatave , palët e përfshira shkëmbejnë kërkesat apo pretendimet  e tyre në fazën e parë, i diskutojnë ato në fazën e dytë dhe arrijnë në një përfundim në fazën e tretë.
Ky cikël trefazor është respektuar edhe në rastin e negociatave në Ohër, këtu vlen të theksohet se  ka pasur raste kur ka pasur përzierje dhe ndryshim midis fazës së parë dhe të dytë të ciklit të negociatave.
Në mosmarrëveshje komplekse, siç është edhe rasti i Ohrit, është normale që palët në fillim, pra në fazën e parë, t'i zgjerojnë qëllimet e tyre. Në këtë fazë, në pjesën më të madhe diskutohet në aspekt të përgjithshëm me parashtim të çështjeve si dhe sqarimi i tyre se pse është ashtu.
Në të gjitha fazat, palët negociuese janë në kërkim të shenjave se çfarë dëshiron të fitojë kundërshtari i tyre nga negociatat.
Palët negociuese zakonisht, në një fazë të hershme, identifikojnë qartë çështjet e diskutueshme. Ata gjithashtu testojnë saktësinë dhe rëndësinë e fakteve në mënyrë që të vërtetojnë pretendimet e tyre.
Gjatë negociatave të Ohrit, palët negociuese përcaktuan në mënyrë të qartë shumë herët, çështjet e gjuhës, preambulës dhe kompetencave të policisë që nga fillimi, dhe më pas kaluan pjesën më të madhe të fazës së dytë dhe të tretë në testime dhe taktika mbi faktet që do t'i mbështesin pikëpamjet e tyre për këto çështje.
Në fazën e dytë, “pleqtë” negociues zakonisht tregojnë për atë që ata argumentojnë dhe përpiqen të gjejnë dobësi në argumentet e palës tjetër. Ata këtu tregojnë ose plotësojnë kërcënimet e tyre nëse nuk arrijnë të marrin atë që dëshirojnë. Kjo është një sjellje tipike, e cila ngjashëm u manifestua edhe në verën e vitit 2001 në negociatat e zhvilluara në Ohër.
Heshtja dhe gjuha e trupit (komunikimi jo verbal) që shoqërojnë fjalët shpesh mund të dërgojnë mesazhe me përmbajtje të rëndësishme në këtë fazë. Deri në këtë pikë, negociatat do të ishin përbërë pothuajse tërësisht me fjalë me veprime të hapura të ndjekura nga kërcënime dhe premtime. Кy lloj i komunikimit joverbal që praktikohet dhe është karakteristikë e lehtësuesve ndërkombëtarë me përvojë dhe me aftësi paraprake,  nuk do të praktikohet aspak nga negociuesit lokalë maqedonas dhe shqiptarë.
Faza e tretë e ciklit të negociatave për zgjidhjen e një konflikti më së miri vëzhgohet në bazë të afatit ose, kjo është një pikë e negociatave kur nuk merret asnjë vendim faktik.  Deri në këtë fazë, palët negociuese zakonisht hezitojnë përpara se të bëjnë ndonjë ndryshim në pozicionet e tyre. Para kësaj faze, si të themi të përpunimit të qëllimeve, ekziston shumë pak rrezik për të mos merren vendime dhe të arrihet marrëveshja. Pra, kjo fazë jep sinjale që koha e vendimmarrjes ka ardhur dhe se marrëveshja duhet që të arrihet. Fazë kjo e cila në negociatat enë Ohër u shkurtua shumë pas incidenteve të armatosura dhe eskalimit të situatës që ndodhi në terren.
Ekzistojnë disa lloje të seancave të bisedimeve që vendosen në secilën nga tre fazat e ciklit të negociatave, seancat е më poshtme konsiderohen të jenë standarde:
1. Plenare
2. Takime me delegacione
3. Takime me ekspertë dhe
4. Takime joformale
Gjatë negociatave të Ohrit, u mbajtën të gjitha seancat standarde të bisedimeve, megjithëse më të zakonshmet ishin takimet mе ekspertët. Në këto takime, ekspertët negociojnë për çështje thelbësore, si p.sh. në Ohër, në këto takime ekspertësh u diskutua për përdorimin e gjuhëve, për qeverisjes vendore ose për policinë lokale, etj. Pra, në këto takime diskutohet për çështje më specifike.
Në takimet me delegacionet, zakonisht hartohen strategjitë e përgjithshme të negociatave të delegacionit dhe koordinohen aktivitetet e delegatëve. Është e preferueshme që secili anëtar i grupit të ketë kontakte të ngushta me kolegët e tij, në mënyrë që të koordinojë punën e tyre dhe t'i informojë kolegët e tjerë të grupit për përparimin e bërë në takime formale dhe / apo joformale. Gjatë negociatave të Ohrit, delegacionet shqiptare dhe maqedonase kanë pasur kohë të konsiderueshme për të mbajtur takime të kësaj natyre.
Forma, tema, kohëzgjatja dhe procedurat e takimeve joformale varen plotësisht nga pjesëmarrësit. Takimet joformale janë pjesë e nevojshme e çdo konference ndërkombëtare. Ata ishin një pjesë integrale e procesit të negociatave të Ohrit.
Takimet e tilla në Ohër ishin bilaterale (midis dy palëve) dhe kryesisht shërbyen për shkëmbimin e informacionit për ndonjë problem të veçantë dhe përmes elementit shoqëror, të paktën për të lehtësuar tensionet jashtë tryezës së bisedimeve.
Seancat që më së paku u realizuan në negociatat në Ohër ishin seancat plenare. Këto janë seanca zyrtare ku marrin pjesë përfaqësues të palëve negociuese, megjithëse vetëm drejtuesit e delegacioneve kanë të drejtë të flasin në këto seanca plenare. Në Ohër u mbajtën gjithsejt 2-3 seanca plenare, ku morën pjesë anëtarët e ekipeve negocuese shqiptare dhe maqedonase, së bashku edhe me lehtësuesit ndërkombëtarë.
Në disa seanca plenare të mbajtura në Ohër, pjesëmarrësit kishin vendosur për një procedurë për të caktuar axhendën, për rrjedhën e negociatave, në këto pak seanca të realizuara ata gjithashtu dhanë apo bënë deklarata hyrëse në emër të delegacioneve të tyre, etj. Megjithëse dokumenti zyrtar, si rezultat i negociatave, duhej të rregullohej dhe nënshkruhej në seancën e fundit plenare në Ohër, sancë kjo që nuk ndodhi për shkak të incidenteve të armatosura që ndodhën në terren dhe situatës që doli jashtë kontrollit. Kështu, një takim përfundimtar në formën e seancës plenare u mbajt disa ditë më vonë, në Shkup, e cila në të vërtetë ishte edhe ceremonia e nënshkrimit të dokumentit të paqës.

PËRFUNDIMI
Pavarësisht të metogologjisë së ndjekur dhe realizimit të të gjitha etapave gjatë negociatave për arritjen e Marrëveshjes së Ohrit të cilat u zhvilluan në një atmosferë tejet të tenisionuar, ku balancin e krijonin ndonjëherë edhe në formë arbitrare edhe lehtësuesit ndërkombëtarë, të cilët për mendimin tim kanë qenë ndërmjetësues, pavarësisht emërtimit që iu ishte dhënë atyre dhe që ishte për shkak pozicionit të palës maqedonase, e cila ishte kategorikisht kundër ndërmjetësimit ndërkombëtar të negociatave, ka edhe disa lëshime.
Gjatë negociatave të Ohrit në vitin 2001, mbeti  një hap shumë i rëndësishëm pa u inkorporuar në marrëveshje e që duhej të praktikohej sipas modeleve teorike, për të patur një proces efektive, pra nuk u instalua asnjë mekanizëm serioz që do të shmangte problemet që u paraqitën gjatë imlementimit dhe rigjallërimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
Në praktikën e negociatave kjo zakonisht realizohet në procesin e negociatave duke përdorur një analizë "hap pas hapi". Kjo metodë lejon që negociatorët të strukturojnë problemin e ratifikimit dhe ringjalljërimit së traktatit të marrëveshjes, kjo ndërhyrje ndihmon për të parë nevojën për të ringjallëruar zgjidhjet në tërësi.
Kjo do të kontribonte , në muajt që do të pasojnë pas nënshkrimit të marrëveshjesh, në krijimin e situatave dramatike në politikë, por edhe në sferën e sigurisë, gjatë anulimit të shumë pjesëve të kësaj marrëveshjeje që edhe ishin vitale për mbijetesën e saj në kohë.









Bibliography
Arkivi i PPD-së.
Halili, M. (2019, 12 29). Marrëveshja e Ohrit. (A. Shaqiri, Intervistuesi)
Mënaj, P. (2004). UÇK Mesazh dhe Shpresë Vëll II. Tranë.
Pardew, J. W. (2017). Peacemakers: American Leadership and the End of Genocide in the Balkans (Studies In Conflict Diplomacy Peace) . Lexington Kentucky: The University Press of Kentucky.
Љатифи, В. (2008). Преговорите за постигнување на Охридскиот договор . Скопје: Фондација Институт отворено општество- Македонија .