Translate

Reklama

Thursday, January 23, 2020

Debati për multikulturalizmin


Shkruan Agron Shaqiri

Definicioni ultimativ për multikulturalizmin nuk ekziston, mirëpo ai më së tepërmi identifikohet me dallimet kulturore. Në kohën moderne kontestohet mendimi se kultura është strukturë homogjene dhe stabile, d.m.th., në praktikë individët u takojnë shumë kulturave të ndryshme dhe kanë identitete të ndërlikuara, dhe duke u nisur nga kjo, definimi i multikulturalizmit bëhet jashtëzakonisht i vështirë.

Shkurt thënë, multikulturalistët e sotëm e theksojnë multikularizmin brenda në çdo individ sepse njerëzit janë të aftë për t’u identifikuar me shumë ide dhe shumë koncepte për mënyrën e jetës, e nuk janë ekskluzivishtë të ngatërruar në pamjen e tyre fizike, kulturën apo origjinës etnike.
Postulati kryesor i multikulturalizmit është inkluziviteti, e kjo njëherë nënkupton se nuk duhet të hudhet e jotja që të bëhesh multikulturor, por se edhe nuk duhet të nënçmohen të tjerët.

Për shoqërinë multikulturore flitet nëse bie fjala për pluralitet kulturor në një shoqëri dhe në një shtet. Në këtë kuptim nuk janë të përfshira shtetet federale, të cilat dallimet kulturore i kanë zgjidhur në mënyrë klasike me ndarje teritoriale dhe kulturore të kompetencave midis segmenteve të ndryshëm dhe përsëri kanë krijuar shtete - republika, të cilat bien nën dinamikën shumicë - pakicë, me kulturë nacionale mbizotruese.

Kompleksiteti i politikës në kushte të pluralizmit kulturor në shoqëri multikulturore nuk reflekton në faktin se segmentet e ndryshme kulturore praktikojnë praktika të ndryshme interne kulturore dhe institucionale, por në veçanti nga shkaku se kanë raporte të ndryshme ndaj shoqërisë më të gjërë dhe makro institucioneve të saja, ndaj vlerave në bazë të të cilave bazohen dhe me të në mënyrë permanente e problematizojnë konsenzusin më të gjërë. Shoqëritë e tilla i quajmë shoqëri multikulturore, si shoqëri në të cilat pluralizmi kulturor bëhet dominant dhe shumështresorë - në nivel lokal si mikro bashkësi, si mënyrë e jetës, esnafo-profesionale, kurse në nivel global e posedon skenën politike. Ky pluralizëm e tejkalon dinamikën e shumicës-pakicës, ku kultura nacionale është dominante prej matricës kulturore të shumicës, kurse pakicat janë të getoizuara në kompleksin e të drejtave të pakicës dhe grupi kulturor pakicë në margjinat e kulturës dominante.
Sipas Kimlikës, disa njerëz termin multikulturor e shfrytëzojnë në mënyrë më të gjërë në kuptimin se ai përfshinë një sferë të gjërë të grupeve shoqërore joetnike, të cilët nga shkaqe të ndryshme kanë qenë të përjashtuar nga shoqëria,apo të margjinalizuar në atë.

Për Kiklikën, multikulturalizmi është i dyanshëm, respektivisht e ka anën progresive dhe konzervative.

Retorikat konzervative, sipas tij, e praktikojnë elitistët tradicional për të penguar ndryshimet në grupin e tyre, për ta kufizuar ekspozimin në botë dhe për të mbrojtë disa kuptime esenciale në “kulturën dhe traditën autentike” të tyre, ndërkaq forcat multikulturore progresive i përkrahin vlerat liberale dhe dëshirojnë të luftojnë me praktikën e përjashtimit dhe stigmatizimit, të cilat i pengojnë anëtarët e grupeve pakicë që t’i gëzojnë në tërësi të drejtat e tyre liberale si dhe pjesëmarrje korrekte në resurse, me çka këtë retorik multikulturore e shfrytëzojnë grupet e margjinalizuara për t’i nxitur kierarkinë tradicionale statusore dhe për ta sulmuar pozitën e privilegjuar të llojit të caktuar, religjionit, ngjyrës së lëkurës, mënyrës së jetës apo përcaktimit seksual në shoqëri.
Nga ky kënd, multikulturalizmi është armik i konzervatizmit kulturor dhe e shpreh dhe e pranon hapjen, pluralizmin, autonominë që i sjellë modernizimi dhe globalizimi.