Shkruan Agron Shaqiri
Multikulturalizmi, si një term përshkrues, në ligjërimin politik bashkëkohor dhe në filozofinë politike ka të bëjë me mënyrën e kuptimit dhe përgjigjes ndaj sfidave që lidhen me diversitetin kulturor dhe fetar.
Shprehja "multikulturore" shpesh përdoret si një term përshkrues për të karakterizuar faktin e diversitetit në një shoqëri, ku përqendrimi është në përdorimin e prespektivës së tij në kontekstin e shoqërive demokratike liberale perëndimore.
Ai gjithashtu mund t’i referohet politikës së qeverisë, si një njohje formale e dallueshmërive kulturore të grupeve të caktuara.
Procesi i identifikimit kulturor gjatë historisë ka marrë forma të ndryshme, herë ka qenë si lëvizje paqësore, siç ishte ajo e Gandit në Indi (1869-1948), një nacionalizëm jo i dhunshëm për të përmbysur sundimin britanik, e herë si radikal deri me përdorim të dhunës.
Një multikulturalist kërkon ta rrisë ndërgjegjësimin për identitet dhe përvojën e përbashkët kolektive. Është një qasje komunitare, që e mbron idenë se njerëzit nuk mund të abstrahohen nga komuniteti që i përkasin, ngase janë të formësuar nga konteksti social dhe kulturor i atij komuniteti.
Multikulturalistët mendojnë se kultura u jep formë vlerave, normave dhe supozimeve, përmes të cilave identiteti individual është formuar. Për disa feja mund të jetë shumë e rëndësishme, për disa gjuha, ndërsa për disa të tjerë ndonjë veçori tjetër rajonale e historike. Megjithatë, duhet të bëhet një distinkcion elementar ndërmjet termeve multikulturore dhe multietnike.
Multikulturalizmi përdoret më tepër për rastet kur shtetet janë formuar prej kolonialisteve ose që kanë qenë koloni, si dhe në Evropë ku dallimet vijnë si rezultat i lëvizjeve demografike, si migracioni,qoftë ekonomik ose politik.
Termi multientik përdoret për shtetet ku dallimet kulturore kanë rrënjë etnike dhe janë pjesë e një populli autentik, shpesh që shtrihen në një territor kompakt. Në rastin tonë ne u përcaktuam që ta përdorim termin multikulturor si sinonim për multietnik.
Multikulturalizmi nuk mund të thuhet se është në kundërshtim me liberalizmin. Për më tepër, ai është në harmoni me të për disa arsye. Ai përkon me angazhimin liberal për tolerancën dhe vullnetin për ta mbështetur lirinë e zgjedhjes.
Ndërsa Liberalizmi është neutral për sa i përket zgjedhjeve morale dhe kulturore, që i bëjnë qytetarët, andaj edhe nuk mund të thuhet se është në kundërshtim me multikulturalizmin.
Liberalizmi është i verbër ndaj dallimeve – dallimet kulturore janë për të parëndësishme për shkak se të gjithë njerëzit duhet të konsiderohet si individë autonomë në moral. Por, liberalët bëjnë dallim midis sferës publike dhe private. Kjo e fundit shihet si një fushë e lirisë, ku njerëzit janë të lirë ta shprehin identitetin e tyre kulturor, fetar dhe gjuhësor. Pra, jo detyrimisht këto koncepte duhet të jenë në kundërshtim.
Në Evropë ky problem do të paraqitet më vonë dhe njihet më tepër si multikulturalizëm për më tepër arsye. Por, para se gjithash, për shkak se identitetet kombëtare dhe shtetet etnike ishin konsoliduar më herët. Procesi i identitetit kombëtar atje ka pasur një rrjedhë tjetër, jo detyrimisht paqësore, por që fillon me industrializimin, i cili prodhoi zhvillim ekonomik, ndërsa ky i fundit ndikoi në mobilizimin social, që është karakteristikë e modernizimit, dhe në fund mbaroi me një identitet të përbashkët kombëtarë. Ka pasur edhe përjashtime, kur ky proces nuk është mbyllur në tërësi, siç është rasti me baskët në Spanjë, rasti i Irlandës Veriore, por më herët edhe në Austri dhe Italinë Veriore.
Por, pas shpërbërjes së ish Bashkimit Sovjetik dhe ish Jugosllavisë, dolën në pah edhe shumë dallime kulturore, që sistemi komunist i kishte ndrydhur në emër të ideologjisë. Shtetet e dala nga ish Jugosllavia sot më pak ose më shumë janë të konstituara si shtete multietnike, por që dallojnë në mënyrën e funksionimit. Raste më eklatante të konstituimit të shteteve multietnike janë Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Kosova. Përskaj faktit se Evropa e shpalli për triumfuese demokracinë liberale dhe ekonominë e tregut, si mënyrë për zgjidhjen e gjitha problemeve në një shoqëri, bile nëse ajo është multietnike, sot ka probleme. Kriza e refugjatëve dhe të shpërngulurve nga luftërat e sfidojnë demokracinë liberale dhe ajo merr devijime serioze. Ballafaqimi me kulturat e ndryshme, që për momentin nuk kërkojnë legjitimim politik, por vetëm strehim, ka shkaktuar frikë, e cila në disa raste ka kaluar në histeri. Sot çdo ditë e më tepër ke mendimtarë, që shprehen se Evropa nuk do të jetë kurrë më si ka qenë, andaj është më se e nevojshme që këtij fenomeni t’i jepet përgjigje. Debati për rolin e demokracisë liberale dhe ballafaqimin me sfidat e ardhshme do të hapet menjëherë pas rënies së Murit të Berlinit e, posaçërisht, pas 11 shtatorit të 2001-shit. Shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, që u shënua si dështim i komunizmit dhe triumf i demokracisë liberale dhe ekonomisë së tregut, për Fukuyama-n ishte i mjaftueshëm për të shpallë fundin e historisë.
Argumentimin bazë ai do ta gjejë në suksesin që e tregoi Bashkimi Evropian në tejkalimin e ndasive historike ndërmjet popujve, që solli paqe dhe mirëqenie bazuar në demokracinë liberale dhe ekonominë e tregut. Ai niset nga teza e Hegelit se njeriu që në kohën më të hershme ka qenë në gjendje ta rrezikojë jetën për prestigj si karakteristikë kryesore njerëzore, por – sipas tij – njeriut modern një gjë e tillë do t’i dukej e çuditshme, pasi ai do ta kërkonte drejtësinë në gjyq. Një ekuilibrim i lirisë dhe barazisë, si parakusht për eliminimin e historisë, sipas autorit do të vijnë si rezultat i demokracisë dhe ekonomisë së tregut, andaj njerëzit nuk do të shohin kauza të mëdha për të cilat do të luftonin. Me këtë do të krijohen kushte që njeriu sërish të bëhet shtazë, sikurse kanë qenë para luftërave të përgjakura që e kanë filluar historinë.
Kundër kësaj teze paraqitet Huntington-i, sipas të cilit organizimet kulturore që do të pasojnë do të jenë në kundërshtim me botën bashkëkohore dhe me nocionin klasik të shteteve sovrane. Që ta kuptojmë konfliktin e tanishëm dhe ato të ardhshëm, dallimet kulturore patjetër duhet të kuptohen, dhe kultura – më shumë se shteti – duhet të shihet si arsye e luftës. Huntington-i është i vetëdijshëm se shtetet perëndimore edhe më tutje dominojnë me “fuqinë e fortë”, por ka edhe diçka që quhet “fuqia e butë”, që çdo ditë e më tepër fiton në peshë. Ai citon Xhozef Ni-në, që thotë se ka dallim ndërmjet “fuqisë së fortë”, që paraqet mundësinë e komandimit dhe bazohet në fuqinë ekonomike dhe ushtarake dhe “fuqisë së butë”, që bazohet në kulturë dhe ideologji. Duke ndjekur lëvizjet demografike, kulturore, por edhe parametrat e tjerë të ngjashëm, ai paralajmëron një zhvendosje të popullatës, që mund ta sfidojë Perëndimin, andaj bën apel për një kujdes ndaj “fuqisë së butë”, që lidhet me identitetin kulturor. Përkundër këtyre dy pikëpamjeve, Davutogllu mban qëndrimin se historia nuk ka përfunduar, porse Perëndimi përjeton një proces të shndërrimit, transformimit të civilizimit. Sipas tij, Perëndimi përjeton:
1. Krizën e sigurisë dhe lirisë ontologjike dhe tëhuajësimin ontologjik;
2. Krizën epistemologjike, sepse ekuacioni “arsyeja, shkenca, përparimi” s’mund të lëvizë si epistemologji dhe këto pozicione të iluminizmit përjetojnë lëkundje serioze.;
3. Krizën aksiologjike, që shfaq veten në çekuilibrin e mekanizmit dhe të moralit. Mekanizmi pa lidhje me moralin, nëse lejoni që vetë mekanizmi “të prodhojë” moralin, sipas tij, do të prodhojë tirani;
4. Baraspeshën ekologjike, që është prishur; dhe
5. Problemin e shumësisë së kulturave.
Sipas tij, civilizimet e gjenerojnë forcën e tyre motorike nga dy kërkesa bazë të njeriut: siguria dhe liria ontologjike. Përderisa njeriu do të vazhdojë të ballafaqohet me këto dy fusha problematike, gjithmonë do të ketë dinamizëm historik. Për Davutoglun dy çështje janë që e kanë nxjerrë njeriun në skenën historike: siguria ontologjike dhe kërkimi i lirisë. Vetëm kur t’i ketë zgjidhur njeriu këto probleme, mund të flasim për fundin e historisë. Ai dhe përkrahësit e tij, si promotorë të imagjinatës së re turke, që pretendojnë të jetë alternativë e liberalizmit klasik evropian, theksin e vendosin te populli, shoqëria, bazuar në praktikat e Perandorinë Osmane. Sipas tyre, në atë kohë Roma, Aleksandria, Bagdadi, Kordoba, Sarajeva e Stambolli ishin qytetete kozmopolite, që janë alternativë e nacionalizimit ose edhe multikulturalizmit. Ata angazhohen për shtet të virtytshëm, që nuk e bazon legjitimitetin duke iu “referuar vetvetes”, siç është rasti në shtet modern, por që shkon përtej vetvetes për ta zbuluar realitetin e tërësishëm, që është transcendental.
Nëse e kemi parasysh këtë që u tha për multikulturalizmin në përmasa globale, mund ta krahasojmë lehtë me Maqedoninë e Veriut dhe regjionin si një mikro-glob, pasi pikërisht këtu më shumë se kudo përplasen civilizimet dhe kulturat dominuese të kësaj ane të botës. Maqedonia e Veriut duket si një laborator, që do t’i vinte në test këto koncepte. Në fillim u themelua si shtet njënacional, me elemente qytetare, që do të dështojë, edhe pse u shpall “oazë e paqes”. Pas vitit 2001 u pranua realiteti multietnik i shtetit, por edhe sot e kësaj dite ka dallime nga këndvështrimi i partive politike në mënyrën e funksionimit. Të gjithë, pothuajse, e pranojnë faktin se Maqedonia e Veriut është shtet multietnik, por varësisht prej përkatësisë ideologjike, dallohen se si e shohin mënyrën e funksionimit. LSDM-ja do të kishte preferuar të funksionojë si shtet qytetar liberal, VMRO-DPMNE-ja si unitar etnocentrik, kurse partitë më të mëdha shqiptare, një sistem komunitar mbi parime etnike. Por, situata politike nuk flet as për stabilitet e as për perspektivë stabile. Të dhënat empirike për gjendjen e shqiptarëve në vend janë përtej se alarmante. Të jesh i fundit në regjion, për nga zhvillimi ekonomik, në arsim, në shkencë, kurse të dominojë krimi dhe korrupsioni më tepër se kudo në vendet tjera, kjo është çështje që duhet ta shqetësojë çdo shqiptarë të ndërgjegjshëm, pa marrë parasysh nëse është politikan, intelektual, njeri religjioz, opinionbërës ose edhe një punëtorë i thjeshtë. Me këto të dhëna empirike, që i kemi pasur në dispozicion (Shih: Banka Botërore 1985-2015), është e qartë se opsionet e provuara nuk kanë dhënë rezultat e pritura. Andaj sërish shtrohet dilema dhe pyetja se si më andej?
Që të mundë t’i japim një shpjegim situatës me të cilën ballafaqohemi, shikuar nga rezultatet empirike, do të duhet bërë një metodologji. Do ta marrim si model shembullin e Fukuyama-s, kur ai e krahason situatën nga një vend me tjetrin nëpërmjet pesë parametrave:
1. shtetformimi;
2. sundimi i ligjit;
3. zhvillimi ekonomik;
4. mobiliteti social dhe
5. përgjegjësia (demokracia).
Sipas autorit, këta katër faktorë, nëse ndërlidhen si duhet njëri me tjetrin, në fund formojnë një sistem të mbyllur stabiliteti, progresi dhe mirëqenie. Si i tillë, ai duhet të prodhojë një qeverisje të mirë, që do të karakterizohet me sundim të ligjit, që do të krijojë mundësi për çdonjërin dhe ku do të ketë përgjegjësi.
Pa u ndalur askun tjetër në analizën, do përqendrohemi në rastin e Maqedonisë së Veriut. Maqedonia e Veriut e ka problematike shtetbërjen, sundimin e ligjit gjithashtu, andaj në këto rrethana nuk ka edhe zhvillim ekonomik. Nëse nuk ka zhvillim ekonomik, nuk ka mobilitet shoqërorë, që do të duhej të arrihet si rezultat i konkurrencës, e cila do të ushtronte presion mbi politikën, që kjo e fundit ta transformojë administratën nga klienteliste në meritokratike. Kur keni mobilizim të popullatës jo si pasojë e zhvillimit, por si pasojë e varfërisë, është për t’u pritur që në shtetndërtim të dominojë nepotizmi, lojalizimi, lokalizmi dhe, në fund, kemi administratë klienteliste në vend që ajo të jetë profesionale dhe neutrale. Në rastin tonë administrata është klienteliste e ngritur mbi dy parime: partiake edhe etnike. Kjo administratë nuk mund të funksionojë në bazë të, ligjit prandaj edhe paraqitet korrupsion dhe krimi i organizuar, që – nga ana tjetër – e pengon zhvillimin. Për pasojë, nuk kemi mobilitet të ndikuar nga modernizmi dhe kemi modernizim pa zhvillim.
Shqiptarët e Maqedonisë kanë një lëvizje fshat-qytet, që unë e quaj proces i urbanizimit dhe modernizimit, por që njihet si modernizim pa zhvillim. Kemi demokraci, por kjo lloj demokracie quhet demokraci e hershme. Pra, problemi në këtë rast është përtej koncepteve ideologjike. Këtu bëhet fjalë për më tepër faktorë, që e kanë krijuar një sistem, por që nuk është mbyllur. Përkundrazi, ai ka mbetur i hapur dhe, në vend të stabilitetit, prodhon destabilitet. Institucionet në vend, që të jenë neutrale, janë klienteliste – aty nuk funksionon ligji, por autoriteti politik. Kjo i bën jo të besueshme, prandaj edhe zgjidhja e problemeve politike nuk kërkohen në rrugë institucionale, por jashtinstitucionale. Fatkeqësisht, ofertat që shtrohen para votuesve, për momentin, shumë më tepër janë të orientuara nga ndërrimi i pushtetit sesa nga ndërrimi i konceptit të funksionimit të shtetit.
Cilido opsion që të fitojë nuk e vë në pikëpyetje konceptin multietnik të shtetit, por mënyrën e funksionimit të tij. Gjegjësisht, ata nuk kërkojnë të preket statika e shtetit, por dinamika e jetës politike. Ndryshimet që kërkohen me të ashtuquajturën Raporti i Pribesë janë tepër kozmetike, më shumë për ta ruajtur një status quo sesa për një riorganizim, që do të krijojë parakushte për stabilitet afatgjatë të një shteti multietnik. Për një stabilizim të mirëfilltë ndoshta do të na duhet një kontekst i ri, pasi nga ky që u krijua nuk u përfitua shumë. Ose, ndoshta, atë që Fukuyama e quan “Give war a chance?”.