Translate

Reklama

Friday, December 20, 2013

LUTJA

Nuk është askush t’i dëgjojë lutjet tuaja. Lutja juaj është monolog; lutjuni qiellit të zbrazët: Mbajeni në mend – askush nuk ka për të ju shpërblyer shkaku i lutjeve tuaja. Po e ditët vërtet se ç’ është lutja, atëherë vetë lutja është shpërblimi i vetvetes. Askush tjetër nuk ka për të ju shpërblyer; shpërblimi nuk është në ardhmëri, e as në jetën tjetër.
Por lutja është vetvetiu aq e bukur saqë kush do ta çante kokën për ardhmërinë dhe kush do ta kishte dert për shpërblimin? Mendimi për shpërblimin, në të vërtetë është lakmi. Lutja vetvetiu është aso kremtimi, ajo sjell aso gëzimi dhe aso ngazëllimi, saqë njeriu lutet shkaku i vetë lutjes. Nuk lutet nga frika, e as nga lakmia. Njeriu lutet sepse kënaqet në lutje. Krejt një për të, madje, se a ka Perëndi apo nuk ka.
Perëndia është mjet i cili ju ndihmon të luteni.
Po u mësuat njëherë të luteni, harroni çdo gjë mbi
Perëndinë. Vetëm lutja është e mjaftueshme – më se
e mjaftueshme.
Kur kënaqeni në vallëzim, a pyetni, vallë, se a ka Perëndi apo nuk ka. Kur kënaqeni në vallëzim, thjesht vallëzoni; s’e keni dert se a po ju shikon dikush nga qielli apo nuk po ju shikon. S’e keni dert për atë se yjtë, Dielli e Hëna do të ju shpërblejnë shkaku i vallëzimit tuaj. Vallëzimi është shpërblim i mjaftueshëm vetvetiu. Po e dëshiruat këngën, këndoni; s’ka rëndësi se a po ju dëgjon dikush apo jo?
Kështu është edhe me lutjen. Ajo është vallëzim e këngë; ajo është muzikë dhe dashuri. Kënaquni në të dhe me këtë ajo përfundon. Lutja është mjeti dhe lutja është qëllimi. Mjeti dhe qëllimi nuk janë të ndarë – vetëm kështu e dini se çfarë është lutja.
Kur them LUTJA mendoj në hapjen ndaj Perëndisë. Nuk mendoj se duhet diçka të thoni apo diçka të kërkoni, mendoj për hapje të pastër – nëse Ai dëshiron diçka të ofrojë, jeni të gatshëm ta pranoni.
Kjo është pritja e madhe, por pa dëshira – kjo është ajo që ju nevojitet. Pritja ngulmuese, e vullnetshme – sikur diçka ka për të ndodhur çdo moment. Të trazuar jeni duke pritur se ka për të ndodhur diçka e panjohur, por nuk keni kurrfarë dëshire të posaçme. Nuk mendoni se kjo apo ajo duhet apo nuk duhet të ndodhë, posa që diçka kërkoni, lutja më nuk është e pastër.
Kur asgjë nuk kërkoni, kur mbeteni të qetë, por të hapur, të gatshëm të shkoni kudo qoftë, të gatshëm madje edhe të vdisni, kur jeni vetëm pranues, pasivë, të gatshëm të pritni e të pranoni, atëherë ndodh lutja.
Lutja nuk është diçka që mund të bëhet, ajo nuk ka kurrfarë lidhjeje me punën. Ajo nuk është as akt as aktivitet – ajo është gjendje e mendjes.
Po deshët të flitni, flitni; por mbajeni në mend se fjalët tuaja nuk kanë për të ndikuar në ekzistencën. Ato do të ndikojnë në ju, e kjo mund të jetë mirë, por lutja nuk ka për të ndikuar në Perëndinë. Ajo mund të ju ndryshojë juve, por nëse ju nuk ju ndryshon, atëherë është pa kuptim. Mund të luteni me vite, por nëse kjo nuk ju ndryshon, ndërpriteni, hidheni, ajo është pleh, mos e bartni më tej.
Lutja nuk do ta ndryshojë Perëndinë. Gjithnjë mendoni se me lutjen do të ndikoni në Perëndinë. Se do të jetë më i butë, i prirur që të marrë anën tuaj. Nuk ekziston askush që do të ju dëgjonte. Ky qiell i pafund nuk mund të dëgjojë. Ky qiell i pafund mund të jetë me ju, nëse ju jeni me të – kjo është mënyra e vetme për t’u lutur.
Unë po ashtu ju propozoj që të luteni, por lutja thjesht duhet të jetë fenomen energjetik; jo raport midis Perëndisë dhe atij që lutet, por fenomen energjetik.

Bhagwan Shree Rajneesh - OSHO

Shqipëroi: Hasan HAMËZBALAJ