lirët flisnin një gjuhë që dallohej nga gjuhët e popujve të tjerë të kohës së lashtë të Ballkanit. Ajo ishte një gjuhë e veçantë indoevropiane, që kishte lidhje afërie ku më të largët e ku më të afërt me gjuhë të tjera të gadishullit dhe jashtë tij. Janë konstatuar elemente të përbashkëta sidomos me trakishten. Lidhur me vendin e ilirishtes në mes të gjuhëve indoevropiane është diskutuar mjaft dhe janë dhënë mendime të ndryshme. Një varg dijetarësh të shquar historianë, arkeologë e gjuhëtarë, kanë sjellë një sërë argumentesh historike dhe gjuhësore për origjinën e shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre. Sintezën më të plotë, të shoqëruar me vështrimin kritik të mendimeve për origjinën e gjuhës shqipe, e ka dhënë gjuhëtari i shquar prof. Eqrem Çabej, i cili ka sjellë dhe argumentet e tij shkencore, në mbështetje të tezës ilire. Disa nga argumentet e parashtruara prej tij janë këto: Shqiptarët banojnë sot në një pjesë të trojeve, ku në periudhën antike kanë banuar popullsi ilire; nga ana tjetër, në burimet historike nuk njihet ndonjë emigrim i shqiptarëve nga vise të tjera në trojet e sotme; një pjesë e elementeve gjuhësore: emra vendesh, fisesh, emra njerëzish, glosa, etj., që janë njohur si ilire, gjejnë shpjegim me anë të gjuhës shqipe. Format e toponimeve të lashta të trojeve ilire shqiptare, të krahasuara me format përgjegjëse të sotme, provojnë se ato janë zhvilluar sipas rregullave të fonetikës historike të shqipes, d.m.th. kanë kaluar pa ndërprerje nëpër gojën e një popullsie shqipfolëse; marrëdhëniet e shqipes me greqishten e vjetër dhe me latinishten, tregojnë se shqipja është formuar dhe është zhvilluar në fqinjësi me këto dy gjuhë këtu në brigjet e Adriatikut dhe të Jonit; të dhënat arkeologjike dhe ato të kulturës materiale e shpirtërore, dëshmojnë se ka vijimësi kulturore nga ilirët antikë te shqiptarët e sotëm. Nga të gjitha këto argumente, del si përfundim se teza e origjinës ilire të gjuhës shqipe, është teza më e mbështetur nga ana historike dhe gjuhësore. Nga ilirishtja e Ballkanit gjer tani nuk është gjetur gjë e shkruar dhe është menduar se nuk ka qenë e shkruar. Dëshmohet e shkruar mesapishtja e Italisë Jugore, që është mbajtur e mbahet përgjithësisht si një degë e ilirishtes, në njëfarë mase si një dialekt i saj i zhvilluar më tej në kushtet e një veçimi prej disa shekujsh nga trungu i saj gjuhësor kryesor. Prej saj kemi rreth 2 000 mbishkrime të shkruara në një alfabet grek (dorik) me disa ndryshime për të riprodhuar disa tinguj të posaçëm të gjuhës së tyre. Një mbishkrim i Kalasë së Dalmaces afër Pukës, që për dekada të tëra qe mbajtur si i vetmi mbishkrim ilir, u provua nga gjuhësia e re shqiptare se nuk ishte tjetër veçse një mbishkrim greqisht i shek. VI-VII. Nëse do të kurorëzohen me sukses përpjekjet që po bëhen për leximin e një mbishkrimi të Muzeut të Shkodrës me prejardhje nga Dobraçi, shkruar me një alfabet të panjohur dhe të një mbishkrimi të gjetur në Bugojë të Bosnjës Perëndimore, mund të sillen të dhëna të reja e të hapen perspektiva. Zbulimet e mëtejshme arkeologjike mund të japin ndonjë tekst ilir të shkruar me alfabet të veçantë ose me alfabet grek a latin. Gjuhët greke dhe latine që hynë më parë në Iliri si gjuhë kulture, tregtare ose si gjuhë zyrtare administrative, nuk u bënë kurrë gjuhë të të gjithë popullit, i cili vazhdoi të ruajë në jetën e tij të përditshme të folmen amtare. Njoftimi i historianit grek të shek. II p.e.sonë, Polibit, për bisedimet e mbretit Gent me delegatët maqedonas përmes përkthyesit që njihte ilirishten, dëshmon se kjo gjuhë u praktikua edhe si gjuhë zyrtare deri në fund të jetës së pavarur politike të ilirëve. Nga gjuha e ilirëve kanë mbetur disa materiale, por që nuk janë të mjaftueshme: elemente leksikore shumë të pakta të së folmes së përditshme përbërë nga disa glosa ilire, dhe sidomos një numër i madh (rreth 1 000) emrash të përveçëm, emra personash, perëndish, fisesh, vendesh dhe disa emra lumenjsh e malesh. Fjalët ilire i kemi në formën që na janë dhënë prej autorëve grekë e latinë, jo në formën autentike të tyre. Ndër ato fjalë mund të përmenden rhinos = mjegull, sabaia = birrë meli etj. Emrat e përveçëm ilirë që na janë transmetuar në burimet e shkruara antike (autorë grekë e latinë, mbishkrime greke e latine, monedha të territorit ilir) përbëjnë materialin kryesor që kemi prej ilirishtes së Ballkanit. Ato lejojnë që të nxirren disa elemente të fjalëformimit emëror të ilirishtes e ndonjë tipar fonetik i saj, ndonjë element i leksikut të saj dhe material krahasimi me gjuhët e tjera indoevropiane, po nuk japin mundësi të njihen gramatika dhe leksiku i saj. Studiues të ndryshëm kanë përcaktuar si ilire edhe një numër fjalësh të ndeshura në gjuhët e tjera të lashta ose në gjuhët e sotme të Evropës, duke i marrë ato si huazime nga ilirishtja ose si të trashëguara prej saj. Shumica e tyre janë të diskutueshme, po disa kanë gjasa vërtetësie. Ndër to përmendim: lat. mannus = kalë i vogël, krhs. shqipen maz/mëz; gr. balios = i bardhë, me pulla të bardha, krhs. shqipen balë; gr. kalibe = kasollë; disa fjalë pararomane etj. Material më të pasur jep mesapishtja e Italisë Jugore. Prej saj kanë ardhur një numër mbishkrimesh zakonisht të shkurtra e shpesh fragmentare të shek. VI-I p.e.sonë, që japin edhe fjalë, trajta e ndonjë frazë, përveç emrave të përveçëm që përmenden në to, por që janë kuptuar dhe shpjeguar deri më sot në një masë të vogël. Kemi disa glosa si brendon = bri, bilia = bilë, bijë etj., dhe shumë emra të përveçëm njerëzish, fisesh e vendesh. Janë vënë re gjithashtu edhe bashkëpërkime të rëndësishme midis mesapishtes dhe shqipes në sistemin fonetik dhe gramatikor, si p.sh. reflektimi i |o|-së së shkurtër indoevropiane në |a|, evolucioni ?|-m|>|-n| i mbaresës së rasës kallëzore njëjës të emrave në të dyja këto gjuhë etj.